Fragmente nga libri “Në kërkim të fëmijës së humbur” nga Ridvan Dibra

“Gjatë rrugës së kthimit, ndërsa rrij në samarin e biçikletës sovjetike të tim ati, kisha kohë boll të mendoja për gjithçka të ndodhur pak më parë. Edhe pse rrekesha shumë me mendjen time, kurrsesi nuk ia dilja t’I justifikoja sadopak sjelljet e çuditshme e mizore të babait. Pse më hidhte në ujë ditë-për ditë, kur e dinte fort mirë se kjo gjë nuk më pëlqente dhe më trembte për vdekje?
A nuk I mjaftonin lotët dhe ankesat e mia? Po sikur unë të mbytesha një ditë? Thua këtë dëshironte im atë? Kaq shumë më kishte inat? Po pse? Kur unë e doja aq fort…
Ja, me të tilla pyetje e dyshime e shtyja rrugën deri në shtëpi. Ndërsa përpara kisha veq shpinën e ngushtë e të kërrusur të babait. Në të cilën, edhe pse shpeshherë nuk më pëlqente aspak, isha I detyruar të mbahesha. E ku të mbahesha tjetër? Gjatë gjithë rrugës për në shtëpi, im atë nuk më thoshte as edhe një fjalë. Edhe kokën nuk e kthente pas asnjëherë. Thua se aty mbrapa, mbi samar, kishte një thes me qymyr e jo birin e vet të vetëm. Ec e merre vesh babën tem! Po sikur unë, në ndonjërën prej atyre kthesave të forta e të shpeshta, të rrëzohesha, nga biçikleta e të bija në tokë? Si do t’ia bëja? Si do ta gjeja I vetëm rrugën për në shtëpi? Po sikur të më zinte nata rrugës? Ku do të fshihesha? Ku do të flija? Ku- ku- ku…”

“Unë nuk di ta ngas makinën. Dhe me sa duken shenjat, as që kam për ta mësuar ndonjëherë. Arsyet që jap për t’u justifikuar disi para vetes e të tjerëve, janë të llojllojshme:
-frika nga aksidentet e mundshme e mungesa e përqendrimit (a nuk janë artistët hutaqë të përjetshëm?)
-pamundësia financiare për ta blerë automjetin (a nuk janë artistat varfanjakë të përjetshëm?)
-dëshira për të rënë në peshë e për të bredhur në këmbë (a nuk janë artistët shëndet-ligjë e bredharakë të përjetshëm?)
-neveria e të qenit I ngjashëm me të gjithë (a nuk janë artistët refuzues e përjashtues të përjetshëm?)
Këto janë disa prej arsyeve, me të cilat unë- anakronik e aspak I besueshëm- rrekem të justifikohem para vetes e të tjerëve, duke fshehur atë, të vërtetën: pamundësinë e tim ati për të m’I mësuar gjërat si dikur.”

“ Përrallat na I tregojnë të tjerët kur jemi zgjuar, kurse ëndrrat i shohim vetë kur jemi në gjumë.”

“A nuk vepron shkrimtari me personazhet tamam si Zoti me njerëzit: Krijon ato dhe u përcakton fatin?”

“Sepse në logjikën e bindjen time edhe personazhi në veprën letrare, ashtu si gjithçka tjetër e kësaj bote, ose ngjizet në çastin e duhur, ose nuk ngjizet fare, apo ngjizet për dreq.”

“Sepse aventurës letrare I ka ardhur fundi. Si një krijese që ka lindjen, jetën dhe vdekjen e saj. Lëreni çfarë thonë përgjithësisht shkrimtarët, mos u zini besë kur ata pohojnë se “një vepër letrare nuk mund të jetë kurrë e përfunduar” dhe se “është botuesi me afatet e tija ai që përcakton fundin e veprës”; përralla janë pohime të tilla, të shtirura janë, sepse- në fund të fundit- fund ka një jetë njerëzore e jo një vepër letrare. Një vepër letrare them- 1000 herë më e pavlerë se çdo jetë njerëzore.”

Përgatiti: Kejdi Kraja

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.