Fragmente nga “Nesër në betejë mendo për mua” – Javier Marias

Çfarë tmerri të di se cili është emri yt, ndonëse nuk do ta njoh tashmë fytyrën tënde nesër, fytyra që reshtim së pari një ditë do të grishet të tradhtojë veten dhe të na tradhtojë kohën që i përket dhe që i mbetet, do të terratiset nga imazhi brenda të cilit e kemi ngallmuar, për të vijuar kësisoj jetën e vet në mungesën tonë të qëllimshme apo fatmjerë. Fytyra e atyre që u tretën paq, për shkak se nuk arritëm t’i mbanim pranë apo për shkak se kanë vdekur, fytyra e tyre do të errësohet paq në kujtesën tonë, e cila nuk është assesi një aftësi pamore, ndonëse ka raste kur gënjejmë veten dhe besojmë se arrijmë të shohim ende njeriun që nuk e kemi më përpara dhe e kujtojmë thjesht si në mjegull, syri i brendshëm apo i mendjes quhet ajo figurë e paqartë e mirazheve tona, e përmallimit tonë apo ndonjëherë edhe e mallkimit tonë. Do të mund të kisha besuar se nuk të kam njohur kurrë, në rast se nuk do të kisha ditur emrin tënd që mbetet i pandryshueshëm, pa as më të voglën bjerrje dhe me shkëlqimin e vet të pacenuar, dhe kështu do të mbetet gjithmonë, ndonëse do të jesh tërësisht e tretur, ndonëse do të jesh e vdekur.

Njeriu që rrëfen lipset të jetë në gjendje të japë shpjegime të arrira qoftë në lidhje me gjërat që rrëfen, qoftë në lidhje me vetveten si rrëfimtar, të rrëfesh është njëlloj si të përpiqesh të bindësh të tjerët apo si të përpiqesh të jesh i kuptueshëm për të tjerët, apo si të përpiqesh të shpalosësh, në mënyrë të atillë që gjithçka të shfaqet e qartë dhe e kuptueshme, qoftë edhe gjërat më të fëlliqura, që gjithçka të shfaqet e falshme sa herë që ka diçka që lipset falur, që gjithçka të shfaqet e anashkalueshme sa herë që ka diçka që lipset anashkaluar, që gjithçka të shfaqet e përvetësueshme sa herë që ka diçka që lipset përvetësuar, madje që gjithçka të shfaqet edhe përdëllyese sa herë që ka diçka që lipset parë me përdellim, atë çfarë ndodhi tashmë dhe lipset të mësohemi që të bashkëjetojmë me të fill sapo marrim vesh se ka qenë apo ka ndodhur, lipset t’i gjejmë një vend në ndërgjegjen dhe në kujtesën tonë, që të mos na bëhet pengesë dhe të na shtyjë të reshtim së jetuari thjesht sepse ndodhi dhe sepse e dimë tashmë që ndodhi.

Të jetosh në mashtrim apo të biesh pre e mashtrimeve është fare e lehte, madje është gjendja jonë e natyrshme; askush nuk i shpëton kësaj dhe askush nuk është budalla për këtë, nuk ia vlen t’i kundërvihemi njëri-tjetrit, as të hidhërohemi me njëri-tjetrin.

Dhe ndonëse nuk ka asgjë, sërish ka diçka që na shtyn vazhdimisht, është e pamundur të rrimë indiferentë, jo në vendin tonë, e vetmja gjë e sigurt është të mos thuash dhe të mos bësh asgjë, por edhe kësisoj mund të ndodhë që mosveprimi dhe heshtja të sjellin të njëjtat pasoja, të njëjtat fryte, në mos më të hidhura, sikur prej frymëtimës sonë të çlireshin thjesht mllëfe të thella dhe dëshira të zbrazëta, vuajtje dhe tortura që mund t’ia kishim kursyer vetes. E vetmja zgjidhje është që gjithçka të mbarojë njëherë e mirë dhe të mos mbetet më asgjë.

Na vjen turp për shumë e shumë gjëra, për pamjen tonë dhe për bindjet që patëm në të shkuarën, për mefshtësinë dhe padijen, për nënshtrimin dhe krenarinë që patëm shpalosur njëherë e një kohë, për lëshimet dhe moslëshimet, për shumë gjëra që thamë me paramendim apo pa u menduar asfare, për faktin se u dashuruam pas njeriut që dashurojmë dhe se ishim miq të njeriut për të cilin ishim, jetët janë shpesh tradhti dhe mohime të vazhdueshme të asaj që k ekzistuar më parë, me kalimin e kohës gjithçka shkundullitet dhe shformohet dora-dorës e megjithatë, për aq kohë sa grishemi dhe pranojmë të gënjejmë veten, priremi të tregojmë vetëdijen se ende vijojmë të mbajmë diçka të fshehtë, se ende vijojmë të ruajmë brenda vetes ndonjë mister, ndonëse pjesa dërrmuese e tyre janë të rëndomta.

Shpesh pranojmë të tregohemi të padurueshëm dhe i jepemi shpresës se gjërat që lakmojmë të ndodhin sa më shpejt, të shtyhen për një herë tjetër apo të vonohen dhe fill sapo ndodhin, dhe fill sapo përfundojnë, gjithçka na duket se rrodhi tepër ngadalë apo tepër shpejt, përsëritja e një veprimi të lakmuar apo të dëshiruar na afron gjithnjë e më tepër drejt fundit të tij dhe e keqja është se drejt fundit të tij na afron gjithë po aq edhe mospërsëritja, gjithçka terratiset dalëngadalë drejt mjegullimit të vet të krejtshëm, në zemër të përshpejtimeve tona të padobishme dhe vonesave tona të trilluara, ndërkohë që vetëm hera e fundit vijon të mbetet gjithherë e fundit.

Mbase vajtonte kësisoj për shkak se ndiente më së pari një lloj zilie a ndoshta ndjesinë e përjashtimit që përjetojnë fëmijët kur ndahen nga vëllezërit, kur njëri rri në shtëpi vetëm me gjyshërit dhe të tjerët shkojnë në udhëtim me prindërit apo kur tjetri shkon në një shkollë të ndryshme nga ajo e më të rriturve, apo gjatë kohës kur dergjet i sëmurë në shtrat dhe i mbështetur mbas nënkresës me revistat, figurat, përrallat që i japin trajtë botës së tij (dhe sipër kokës aeroplanë), sheh të tjerët që dalin nga shtëpia dhe shkojnë në plazh apo në lumë, apo në lulishte, apo në kinema dhe ngarendin me biçikleta, dhe kur i zë veshi të parat të qeshura dhe zile verore, ndihet i burgëtuar a mbase i përjashtuar, dhe kjo deri diku për shkak se fëmijët nuk kanë një vizion të së ardhmes, për ta ekziston vetëm e tashmja – jo e djeshmja e sëmurë, e vrenjtur dhe e thyer, as e nesërmja e qashtër dhe e sheshtë – duke u ngjarë kësisoj disa grave, madje, edhe disa kafshëve, dhe ai fëmijë – djalë a vajzë qoftë – fillon për një çast ta vështrojë shtratin si vendi ku do të jetojë i ngujuar përgjithmonë dhe prej nga ku do t’i duhet të mbajë vesh pafundësisht zhurmën e rrotave mbi asfalt, zilet hokatare dhe të hareshme të vëllezërve për të cilët koha nuk ka peshë, madje as vetë e tashmja.

Çdo vardisje duket meskine nëse vështrohet nga jashtë apo nëse sillet në kujtesë, një manipulim i ndërsjellë i pranuar ndërsjelltas, përmbushja e pastër dhe e mundimshme e një formaliteti dhe veshje me ambalazhin e shoqërores e asaj që nuk është tjetër në vetvete përpos se një instinkt.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.