Fragmente nga “Qeni Moasi” – Jorge Angel Livraga!

Në lindje dhe në vdekje jemi krejtësisht të vetëm. Megjithatë nuk kam frikë. Nuk e di përse nuk kam frikë. Ato të racës sime, në gjendjen që jam unë, trishtohen dhe bëhen melankolikë. Mua nuk më ndodh asgjë nga këto. Nëse pas vdekjes nuk më pret asgjë, atëherë për çfarë të kem frikë?

*****

Akoma edhe sot, shumë vite më vonë, e mbaj mend natën time të parë të vetmisë dhe dridhem. Më pas mësohesh me vetminë, megjithatë vazhdon të dridhesh. Është e çuditshme: ekziston diçka brenda meje që nuk e ka frikë vetminë dhe madje e shijon.

*****

Bamirësi im, duke më kaluar një rrip rreth qafës, më nxori shëtitje mes kopshteve të pafundme, por ato ndjesi fëmijërore po fshiheshin nga ngrohtësia e sigurisë së të ndierit aq i mbrojtur. Një mbrojtje e tepërt gjithmonë na i vë në gjumë shqisat tona më të brishta, por zakonisht është e dobishme në një periudhë të caktuar të jetës tonë.

*****

Zbulova se dashuria dhe besnikëria ime ndaj mbrojtësit dhe Mësuesit tim ishin ndjenja që nuk përdoreshin më, të ndryshkura nga lagështia e dendur e sqetullave të xhuxhokracisë. Të duash një mësues, një profet, një lidet natyral, ishte shndërruar në një marrëzi dhe puritanizëm. Numri, në aspektin e sasisë, kishte tjetërsuar idenë dhe cilësinë. Shumë gjëra ishin grumbulluar dhe në mes të konfuzionit, si një masë larvash, lëshoheshin që të rrokulliseshin poshtë drejt moçalit të një bote kafshërore para-diluviale, kur akoma nuk ishim shfaqur as kafshët shtëpiake. Ky ishte ideali, ky ishte çlirimi, ky ishte destinacioni, ky ishte fati i vetëm që njerëzit përceptonin dhe që nga ligji i tërheqjes, po krijonin.

*****

Nuk është memoria ajo që kujton, por kujtimet ato që e krijojnë atë, viktima të atij instikti të pangopshëm mbijetese që ndikon tek të gjitha gjërat dhe tek të gjitha qëniet. Hijet e së shkuarës refuzohen dhe zhduken në ndonjë pjesë të vetes tonë dhe këtë pjesë e quajmë memorie.

*****

Zbulova shumë shpejt se e vetmja gjë që shqetëson pjesën më të madhe të njerëzve është ushqimi i tyre dhe rehatia e tyre materiale. Kur këto gjëra i kanë me bollek, asgjë nuk i alarmon, të shohin ç’të shohin e të dëgjojnë ç’të dëgjojnë.

*****

Ndonjëherë e keqja, duke qënë thjeshtë mungesë e së mirës, na thith si një pompë vakumi dhe na përplas me njëri tjetrin, na bashkon, na lidh, na shkrin, të shtypur në gropën e errët ku mungon ajri i së vërtetës, pa asnjë shprese tjetër, përveç vetë shpresës.

*****

Duhet t’i shmangim gënjeshtrat, qoftë edhe në momentet para vdekjes. Apo mos vallë gënjejmë gjithmonë, megjithëse besojmë se themi të vërtetën? Ose më mirë: a e themi gjithmonë të vërtetën me një mënyrë apo një tjetër, megjithëse gënjejmë? Nëse marrim universin si të vërtetë, pohojmë të parën. Nëse marrim Perëndinë, atëherë pohojmë të dytën, por abstraksioni filozofik është gjithmonë i rrezikshëm, sepse shërben për të justifikuar veten dhe të tjerët, cilido qoftë qëndrimi i marrë. Virtyti dhe arsyeja nuk shkojnë gjithmonë bashkë, por e vërteta gjithmonë ecën vetëm.

*****

Shumë zyrtarë dhe anëtarë të lartë të hierarkisë u përpoqën të më tregonin efikasitetin e punës së tyre, duke më treguar statistika dhe të dhëna teknike. Më treguan makineritë, por jo njerëzillekun e tyre. Theksuan se raketat e tyre të veçanta kishin lënë Tokën për t’u larguar në hapësirë me miliona kilometra, por askush nuk më tha se cili planet kishte njerëz që e banonin. Para përse-së time në lidhje me lëvizjen e yjeve, mu shmangën duke më shpjeguar teoritë e fundit mekanike, por unë gjithmonë i pyesja, për të kuptuar se sa dinin: përse, si dhe me çfarë qëllimi? Dhe pas pyetjeve të mia vijonte cikli i pafund i pasojave të tjera mekanike që ishin shkak i atyre që vijonin të më shpjegonin. Çdo gjë zhvillohej në botën horizontale.

*****

– Doktor, si mundeni të jetoni mes kaq shumë mermerësh, ndërkohë që ka njerëz në botë të cilët vdesin urie?
– Zotërinj, popujt nuk mund të hanë as mermer dhe as qeramikë. Njerëzit ushqehen me ideale, pinë besim dhe vishen me rroba të endura nga fija e harmonisë.

*****

– Keni vendosur barazi në lartësinë e më të shkurtit, duke i prerë kokën më të mirëve. Keni graduar teknikër, por jo humanistët. Teknikë për makineritë tuaja të luftës. Keni krijuar një perandori horizontale që përhapet si një njollë gjaku e ndotur e një një Hidre moderne. Keni shumë koka, por as edhe një mendim. Keni shumë rregullore, por as edhe një të vetme që të jetë morale.

*****

Liria, pa ideale që tejkalojnë rehatinë materiale dhe disa rregulla të caktuara për një bashkëjetesë fisnike, jo gjithmonë të respejtuara, i kishte dhënë jetë një introversioni individual që afërsia fizike nuk mund ta kapërcente. Asnjëherë nuk kisha parë aq shumë njerëz të vetmuar në shoqërinë e njëri tjetrit.

*****

Rehatia materiale, që më parë kishte qënë një aksesor i bukur, ishte bërë e domosdoshme. Tashmë e transformuar në një shoqëri konsumi të ethshëm, grupet ekonomike shfrytëzonin dobësitë e njerëzve dhe qarkullimi i parasë kishte mbytur qarkullimin e ideve.
Një kult vetëvrasës drejt modernizimit me statistikat dhe planifikimet e tij, kishte zëvendësuar elementët njerëzor dhe rinia, nuk arrinte të kanalizonte asnjë prirje pozitive nga mungesa e energjisë. Plogështia e madhe kishte sjellë përtaci shpirtërore dhe konceptet e rinisë tendoseshin e tkurreshin si mace të zeza të mëdha në të gjitha qarqet intelektuale. Një kompleks kolektiv faji frenonte ndërmarrjet e guximshme dhe i bënte më të rinjtë të prireshin ndaj mbivlerësimit të foemave të jetës më pak të zhvilluara. Të rinjtë imitonin me gëzim veshjet e guerilëve “Simba” apo të Lëkurëkuqve, por kurrë nuk pranuan të visheshin si filozofët grekë apo luftëtarët romakë.

*****

Disa monstra të shekullit XIX-të, disa abstraksione që kishin shërbyer për të nxitur njerëzit e fortë, ishin ato që me lehtësi minonin themelet e shtetit më të fuqishëm në botë. Kishin besuar në një liri absolute utopike dhe ky besim kundër natyrës shndërrohej në fryte të hidhura të një mosbesimi të përgjithshëm kundrejt vlerave të përjetshme, që ndikonte tek të rinjtë. Si një tjetër fytyrë e materializmit të kontradiktave, materializmi i shtresave kishte dështuar tek gjëja më e rëndësishme: tek shpirti i njeriut.

*****

Disa qytete moderne dhe të mirëplanifikuara ishin të rrethuara nga mijëra kasolle të ndërtuara me llamarina dhe degë peme. Këto “vila mjerimi” ndryshonin vend rregullisht falë aparatit të madh propagandistik dhe ripagëzoheshin si “lagje punëtorësh” ose “urbanizime”, gjithmonë të ndërtuara me çimento dhe gurë mermeri për bazament dhe “përfundoheshin” me kallamishte dhe kashtë. Qytetet gëlonin nga lypësit dhe fushat ishin të shpopulluara për shkak të “reformës agrare” që kishte copëruar forcën e punës. Në mungesë të një koke që t’i organizonte, duart e shumta preferonin të mbërthenin një shishe alkoli në vend të dorezës së parmendës, e cila duke qenë pronë e të gjithëve, nuk ishte në fakt prona e askujt.

*****

Ndërkohë, në perëndim kam parë mungesën e vetëdijes së gjahtarëve që vrisnin krijesat e pafajshme të fushave thjesht për argëtim dhe që në të njëjtën kohë kujdeseshin për kafshët e veta shtëpiake në mënyrë të ekzagjeruar. Këtë kurrë nuk arrita ta kuptoja, ashtu sikurse nuk kuptova as faktin se si në këtë anë të botës konsiderohej krim vrasja e një kafshe, por ishte normale të braktisej me sëmundjet e saj. Kjo ishte një mungesë e thellë morali edhe për njerëzit me ndjeshmëri më të ulët.

*****

Zjarri dhe uji janë dy kërkues të vertikalizimit, në dy drejtimet e tij. Ajri dhe toka kërkojnë horizontalitetin e tyre perpendikular. Zjarr mbi ajër, ujë mbi tokë: këto janë dy kryqet krijuese për të cilat flasin traktatet tona të vjetra të alkimisë. Kur zjarri depërton ajrin dhe kur uji depërton tokën, lind krijimin dhe zhvillimi, ekziston koha dhe qenia ashtu siç ne e kuptojmë. Kur toka vertikalizohet mbi ujë dhe kur ajri ngrihet bashkë me zjarrin, hyjmë në vargun tangjent të një dimensioni tjetër dhe në atë moment, të gjithë, madje edhe ne qentë, shndërrohen në filozofë.

*****

Kam udhëtuar shumë me imagjinatën time në një anije që nuk riemërtohet në çdo port sepse gjithmonë ka të njëjtin emër, në një helikopter të pakapshëm që përveçse ka iniciale të përjetshme, nuk kërkon që të ketë shkronja të lëvizshme për të fluturuar dhe që të kuptohet. Kam udhëtuar pa dashur që të kuptohem dhe pa kuptuar. Kam udhëtuar duke dashur vetëm të udhëtoj. Shuma e kujtimeve të pikës i jep formë vijës së parë të vetëdijes sonë dhe ritakimi me vendet që dikur vizituam përmban figura gjeometrike që e burgosin jetën, por që e burgosim vetëm për të ndjerë kënaqësinë e papërshkrueshme për ta çliruar një ose dy herë. Mbi rërë bëni një rreth me gishtin tuaj. Rëra brenda rrethit është e njëjtë me atë që e rrethon. Sa ke arritur që ta ndryshosh natyrën ose ta izolosh? Fundi i brazdës që shënjoi gishti yt është gjithashtu i përbërë nga rëra dhe nëse e vëzhgon mirë, do të shohësh se ai nuk ekziston.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.