Fragmente nga romani “Gjuetia e ethshme e deles” – Haruki Murakami

Fq.66
Po të zgjedhim, ne e kemi mundësinë të endemi kuturu nëpër kontinetin e irracionales. Të parrënjë, si farat me push të luleradhiqes, të cilat flladi i lehtë i rastësishëm pranveror i shtyn sa andej-këndej. Megjithatë, në të njejtën kohë mund të mohojmë se ekziston diçka e tillë, si rastësia. Ç`u bë, u bë, ajo që do të ndodhë, sigurisht që ende duhet të ndodhë, e kështu me rradhë. Me fjalë të tjera, të zënë në mes siç jemi, midis “gjithçkaje” që kemi lënë pas dhe “zeros” përpara nesh, ekzistenca jonë është thjesht kalimtare, në të nuk ka as rastësi, as mundësi.

Por, praktikisht, dallimet mes ketyre dy interpretimeve, janë veçse pak. Një situate (siç ndodh rëndom në luften mes interpretimeve) jo shumë ndryshe nga etiketimi i të njejtit ushqim me dy emra të ndryshem.

 

Fq. 67

Për sa kohë që shihja orën, të paktën bota do të vazhdonte të lëvizte. Jo një botë që rridhte shumë logjikisht, po gjithsesi në lëvizje. E për sa kohë që e dija se bota ishte ende në lëvizje, e dija se ekzistoja. Jo një ekzistencë që rridhte shumë logjikisht, po gjithsesi ekzistence. Më dukej e mangët që dikush ta konfirmonte ekzistencen e vet thjesht nga akrepat e orës elektronike në mur. Duhej të kishte një mjet më inteligjent konfirmimi. Po sado që të përpiqesha, nuk më vinte në mend asgje që të ishte më pak e cekët.

 

Fq. 80

Megjithatë, më duket se ti gjthnjë e kuptoje shumë mirë atë që unë nuk e shpjegoj dot mirë. Problemi është se unë po përkeqësohem gjithnjë e më shumë në shpjegimin e gjërave. Duhet të jetë e metë e trasheguar.

Natyrisht të gjithë kanë të metat e tyre.

E meta ime më e madhe, është se të metat me të cilat kam lindur, bëhen gjithnjë e më të mëdha nga viti në vit. Më ngjan sikur po rris pula brenda meje. Pulat bëjnë vezë, nga vezët dalin zogj që bëhen pula e që pastaj bëjnë vezë të tjera. A jetohet jeta keshtu? S´kam si të mos e pyes veten me gjithë këto të meta që kam. Natyrisht, bëj si bëj, dhe ja dal. Po ti e di që nuk është këtu problemi, apo jo?

 

Fq. 102

“Bota” – kjo fjalë gjithnjë më sjell ndër mend një breshkë dhe elefantët që mbajnë mbi supe pa u lodhur një disk gjigand. Elefantët nuk kanë asnjë njohuri për rolin e breshkës, breshka nuk arrin dot të shohë se ç´po bëjnë elefantët. Dhe asnjëri prej tyre nuk ka as idenë më të vogël të botës që mbartin mbi shpinë.

 

Fq. 112

“Të flasësh hapur dhe të thuash të vërtetën , janë dy gjëra krejt të ndryshme. Ndershmëria lidhet me të vërtetën si anija me pupën. Ndershmëria shfaqet e para, dhe e vërteta shfaqet e fuyndit. Intervali mes të dyjave, varet në përpjestim të drejtë me përmasat e anijes. Te çdo gjë madhore, e vërteta do një kohë të gjatë që të shfaqet. Nganjëherë, ajo shfaqet vetëm pas vdekjes së dikujt. Prandaj, në këtë fazë, nuk do të them ndonjë të vërtetë, dhe kjo jo për fajin tim. As tëndin.”

 

Fq. 128

 

Mohimi i aftësisë njohëse pra lidhet me mohimin e gjuhës. Sepse, kur këto dy shtylla të humanizmit perendimor, aftësia njohëse individuale dhe vazhdimësia evolucioniste, e humbasin kuptimin, edhe gjuha e humbet kuptimin. Ekzistenca mbaron për individin, siç e njohim ne dhe gjithçka bëhet kaos. Ti nuk je më një njesi unike në vetvete, por ekziston thjesht si kaos. E jo vetëm kaosi që është brenda teje: kaosi yt është edhe kaosi im. Pra ekzistenca është komunikim dhe komunikimi, ekzistencë.

 

“Zgjerimi i vetëdijes që arriti brezi yt, ose të pakten u përpiq të arrinte në fund të viteve gjashtedhjetë, përfundoi në dështim të plotë, sepse ishte ende i rrënjosur tek individi. Që do të thotë, se përpjekja për të zgjeruar vetëm vetëdijen, pa asnjë ndryshim sasior ose cilësor tek individi, ishte e dënuar të dështonte. Këtu e kam fjalën kur them mediokritet. Si të të bëj ta kuptosh këtë? Jo se pres në mënyre të veçantë ta kuptosh. Thjesht po përpiqem të flas me ndershmëri.

 

Fq. 133

Në një farë pike, makinat dukeshin sikur ishin ngulur me ngjitës ne vend, nuk lëviznin fare. Hera-herës, një dallgë vinte mbi makinat, duke i levizur disa centimetra më përpara. Mendova për shpejtësinë me të cilën rrotullohej toka. Me sa kilometra në orë vërtitej nëpër hapësirë kjo rruge? Bëra një llogaritje të shpejtë në mendje, por nuk arrita ta kuptoja a ishte më shpejt se karuseli me filxhanë çaji në karnavale. Ka shumë gjëra që nuk i dimë me të vërtetë. Madje edhe vetë ideja se dimë diçka, është iluzion. Sikur një grup alienësh të më ndalnin në rrugë e të më pyesnin: “Na thuaj, shok, me sa kilometra në orë rrotullohet toka në ekuator?”, do ta kisha punën pisk. Dreq, une s´di as pse e mërkura vjen pas së martës. Do të qeshin gjithë galaktikat me mua.

 

Fq. 205

“Nganjëherë edhe unë do të doja të shkoja diku, në kërkim të diçkaje,”pohoi ai, “por para se të shkoj aq larg, nuk do të kisha asnjë ide se çfarë të kërkoja. Kurse babai im gjatë gjithë jetës ka qënë në kërkim të diçkaje. Edhe sot e kësaj dite vazhdon të kërkojë. Që kur isha i vogël, im atë më tregoi për delen e bardhë që iu shfaq në ëndërr. Keshtu që gjithmonë kam menduar se kjo është jeta. Një kërkim i vazhdueshëm për diçka.”

 

Fq. 257

Shtëpia mbante kohën e vet, njësoj si ora e vjetër me lavjerrës në dhomën e ndenjes. Njerëzit që kalonin andej, ngrinin peshat e orës dhe, për sa kohë që të kurdisej, ora vazhdonte tik-taket e saj. Mirëpo tani që nuk kishte pasur njerëz dhe që nuk kujdesej kush për peshat e orës, cepëz të mëdha kohe kishin mbetur në depozitat e jetës së venitur në dyshemenë e shtëpise.

 

Fq.297

“Si rregull i përgjithshëm,” tha Urithi, duke kërcitur gishtat nja dy herë. “Po sado të më numërosh përgjithësimet, nuk do të arrish gjëkundi. Ajo për të cilën po flas tani, është një gjë shumë individuale. Dobësia është diçka qe të kalbet në trup. Si gangrenë. E kam ndier që kur isha adoleshent. Ja pse isha gjithnjë gati per t´u futur në telashe. Diçka brenda teje po kalbet dhe ti e ndien gjatë gjithë kohës. A mund ta kuptosh se çfarë ndjesie është?”

Ndenja në heshtje, i mbuluar me batanije.

“Ndoshta jo, vazhdoi Urithi. “Ti nuk e ke këtë problem. Po gjithsesi, kjo është dobësia. Dobësia është njësoj si një sëmundje e trasheguar. Pavarësisht sa shume perpiqesh ta kuptosh, s´mund të bësh dot asgjë për të kuruar veten. Nuk ka për t´u zhdukur me një trokitje duarsh. Vetëm sa bëhet keq e më keq.”

“Dobësi ndaj çfarë gjëje?”

“Ndaj gjithçkaje. Dobësi morale, dobësi e ndërgjegjes, madje edhe dobësi e vetë ekzistencës.”

Qesha. Kësaj here e qeshura më doli bosh. “Po të fillosh të flasësh kështu, nuk ka asnjë njeri të gjallë që të mos jetë i dobët.”

“Mjaft me përgjithësimet. Siç të thashë më përpara. Natyrisht, duhet thënë se çdokush ka dobësitë e veta. Por dobësia e vërtetë, është po aq e rrallë sa forca e vërtetë. Ti nuk e njeh dobësinë që të tërhëq vazhdimisht poshtë, në errësire. Nuk e di që ekziston me të vërtetë diçka e tillë në botë. Përgjithësimet e tua nuk mbulojne gjithçka.”

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.