Fragmente nga romani “Golemi” – Gustav Meyrink

Fq. 35

“A nuk është e pazakontë, kur befas objekte, të cilat zakonisht qendrojnë të pajeta, fillojnë të fërfërijnë? Apo jo? – Njëherë po kundroja, në një vend që s´kishte këmbë njeriu, teksa copa të mëdha letrash, ndërkaq nuk po e ndjeja erën, sepse isha në shtëpi – po silleshin të harbuara rreth e rrotull dhe po ndiqnin njera-tjetren, sikur të ishin betuar për vdekje. Disa çaste më vonë sikur u qetësuan, por befas i kaploi përsëri një vrer i marrë, dhe në zemërim të kotë u sorollatën, u rrasën tok në një cep për të filluar edhe njëherë të zaptuara që të shkëputeshin nga njëra-tjetra dhe së fundi për t´u zhdukur pas një qosheje. Vetëm një gazetë e trashë nuk mundi të shkonte me to; ajo mbeti aty në kalldrëm dhe përplasej e mllefosur andej e këndej, thua se i ishte marrë fryma dhe po kërkonte të mbushej me frymë. Një dyshim i errët më përshkoi asokohe; po sikur në fund të jetës edhe ne krijeave të gjalla të na ndodhte dicka e ngjashme si këtyre copave prej letre? Mbase të hedhur poshtë e lart nga një “erë” e padukshme dhe e pakuptueshme, që na i përcakton veprimet tona, ndërkohë që në këtë naivitetin tonë besojmë se kemi vullnet të lirë. Po sikur jeta brenda nesh të mos ishte asgjë tjetër veçse një erë cikloni misterioz? Ajo erë, për të cilën Bibla thotë: ´A e di ti se nga vjen dhe ku shkon ajo?´ Po a nuk ëndërrojmë edhe ne herë pas here sikur me duart zhytur thellë në ujë kapim peshq argjendi, por, ne fakt, pasi zgjohemi, s´kemi asgjë ndër duar veç vrundullit të erës së ftohtë mes tyre?”

 

Fq. 45-46

“E dini, Zvak, thoshte ai gjithnjë, ne kemi njëfarë metode; e kemi murosur, le ta quajmë kështu, me shumë mundim sëmundjen e tij – ashtu siç rrethohet me gardh një vend fatkeqësie, sepse me të lidhet një kujtim i trishtë.” Fjalët e makinistit të kukullave erdhën drejt meje si një kasap drejt një kafshe të pambrojtur, duke ma shtrenguar zemrën me duar të vrazhda dhe mizore.

Një sfilitje e vagullt më kishte pushtuar qëkuri – një parandjenjë, sikur më kishin marrë diçka dhe thua se në jetën time kisha përshkuar si somnambul një rrugë të gjatë pranë humnerës. Dhe kurrë nuk ia kisha dalë të gjeja arsyen. Tashti, zgjidhja e misterit ishte e hapur para meje dhe po më përcëllonte si një plagë e zbuluar.

Neveria ime e sëmurë për t´u shkuar prapa kujtimeve të ngjarjeve të kaluara – pastaj ëndrra e çuditshme, e cila kohë më kohë kthehej gjithnjë, sikur isha i kyçur në një shtëpi me një varg dhomash, në të cilat nuk mund të hyja -, dështimi i frikshëm i kujtesës sime në gjëra, të cilat ma ndëshkojnë rininë – e gjithë kjo e gjeti përnjëherë shpjegimin e saj të llahtarshëm: që unë paskësha qenë i çmendur, dhe madje paskëshin përdorur hipnozë, paskëshin kyçur “dhomën” , e cila bënte lidhjen me ato odat e trurit tim, dhe më paskëshin bërë të hupët në mes të jetës që më rrethonte. Dhe as që kisha gjasa për të rifituar kujtesën e humbur!

Kuptova se ngacmuesit e mendimeve dhe veprimeve të mia gjenden të fshehur në një botë tjetër të harruar – kurrë nuk do të mund t´i njoh: bimë e krasitur jam, një kokërr orizi, që e nxjerr filizin e vet nga një rrënjë e huaj. Po edhe sikur t´ia dilja të hyja në atë “dhomë” të kyçur, a nuk do të bija edhe një herë në duart e shpirtrave, të cilët i kishin syrgjynosur aty?!

 

Fq. 168

Po! Kjo do të ishte zgjidhja e duhur! T´i jepja fund.

Sot.

Itash biles … paradite. Mos të shkoja as për të ngrënë. Mendim i neveritshëm me u largue nga kjo botë me stomakun plot! Të dergjesha nën dhé të lagësht me ushqim të prishur e jo të jashtëqitshëm.

Ah, vetëm sikur dielli mos të ndriçonte përsëri, duke të feks´ në zemër rrenën e tij të turpshme për harenë e ekzistencës.

Jo! S´do ta lë veten të më tallin, nuk do të doja të jem më top i lojës së një fati të pakuptimtë dhe të ngathët, të më ngrinte lart e pastaj të me hidhte poshtë në kllaçë, vetëm për të kuptuar përkohshmërinë e gjithë jetës tokësore, diçka që e dija prej kohësh, që e din çdo fëmijë, çdo qen rruge.

 

Fq. 213

Nuk e kuptova: “Prej paraardhësve të mi do të mbrohen farat?”

“Duhet ta kuptoni pjesërisht në mënyrë simbolike atë çka keni përjetuar”, u shpjegua Laponderi. “Rrethi i njerëzve që rrezatonin të kaltëremë, e që ju rrethonte, ka qënë zinxhiri i ´egove´ të trashëguara, të cilat çdokush i lindur prej nëne i tërheq zvarrë me vete. Shpirti nuk është i ´veçuar´ … ai duhet të bëhet njëherë, dhe pastaj këtë e quajmë ´Pavdekshmëri´; shpirti juaj është akoma i rrethuar prej shumë ´egove´ … ashtu si një fole milingonash prej shumë milingonave; ju mbartni mbetjet shpirtërore të shumë mijëra paraardhësve brenda vetes … trungjet e breznisë suaj. Tek të gjitha krijesat është kështu. Po si do të mundej një pule, që ka ardhur në këtë botë nga një vezë në inkubator, ta gjente menjëherë ushqimin e duhur, po qe se nuk do të ishte përvoja e miliona viteve brenda saj? Ekzistenca e ´instiktit´ tregon praninë e paraardhësve në trup dhe në shpirt.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.