Fragmente nga “Sikur të isha djalë” i Haki Stërmilli!

“Oh, sa shpejt gabohemi e gënjehemi ne femnat! Nji sikim I thekshëm mjafton me na dërrmue dhe nji nënqeshje e ambël mjafton me na robnue. vetëm se s’guxojmë me I shfaqë ndjesitë e adhurimit, kemi turp të shpallim se e dashunojmë atë që na e plagos zemrën me nji vëshrim të mpakët ose me nji nënqeshje të kandshme. Zemrat tona jnë më delicate se qelqet. Nji gur I vogël, I hudhun nga dora e një të pamëshirshmi, I then dhe I ban thërrime, për t’u shkelë mandej nga Kamba e tij. Zemrat tona magnetizohen me dy fjalë, shitohen me dy pika lot.”


“Unë, po të kisha qenë djalë, do ta ngrejsha zanin dhe do të kërkojsha lirinë e femnës, do të lypsha që të provohej kapaciteti I saj për me I zhvillue cilësitë e brendshme dhe për me u fisnikrue shpirti I saj I shtypun e I mbytun deri tash, pse përparimi I nji kombi shkon krahas me atë të femnës dhe poshtnimi I femnës e çon kombin në greminë. 
Tue përfundue, due të them se martesa nuk asht nji lojë zaresh ose nji lojtar që, pa kokëçamje të madhe, provon fatin e lojtarit; nuk asht nji lodër symbyllthi, por asht nji kontratë që lidh përgjithmonë fatin e jetën e dy vetave dhe që efekti I saj shtrihet në të anë shoqninë, pse nji shoqni e lumtun përbahet nga familjet fatbardha e jo nga ato që janë mjerue.”


“Ka disa njerëz që s’u vete fare qeshja. Kur qeshin, u shtrembnohen turnjtë, u rrudhen faqet, u qajnë sytë dhe shëmtohen aq shumë, sa s’të kanda t’I shofësh. Por atij I kishte hije si qeshja, ashtu edhe nënqeshja. Kur fliste, me buzë në gaz, ta merrte mendjen. Shkurt, nji ndjesi e panjohun prej meje deri në atë çast,ma mbushi shpirtin me… diçka.”


“A thue kështu asht dashunia? Jo, or jahu! Ajo do të jetë, kushedi, disi ndryshe. Mirë, po ç’qe ajo që më lëvizi në thelb të zemrë dhe më bani tak? Demede, kështu qenka dashunia. Demede, e… due. Por jo. S’asht e mundun sim und të përftohet dashunia vetëm me nji ndeshje, vetëm me nji vështrim? Kjo asht marrëzi, asht foshnjëri…”


“Tip I çuditshëm dhe I përsosun. Një tip që ka bashkue në vete bukurinë dhe egërsinë, ambëlsinë dhe ashpërsinë, butësinë dhe vrazhdësinë. I mbylla sytë që të mos e shof, por nuk mbyllen sytë e mendjes e të zemrës që ai preku me nji fuqi tërheqëse. Duket se përnjimend e… dashunoj.”


“Më ngjau sikur më shikoi me dhembje e me… dashuni. Oh, sa kënaqësi më ndjeu zemra kur pashë se nga sytë e tij shprazej, në mos gabohem, nji dhembje shpirtnore e trazueme me njifarë gëzimi të paçansueshëm. Ose, se çfarë force, çfarë magneti kanë ata sy që të bajnë me vdekë vetëm për nji të shikuem të tyne! Ku e dinë djemtë se sa shumë na bajnë me vuejtë ne, të gjorat, kur na hedhin shikime të thekshme. Shyqyr që s’e dinë. Ata kujtojnë se vetëm sytë tanë djegin dhe përcëllojnë.”


“Oh, sa shpejt gabohemi e gënjehemi ne, femnat. Nji shikim I thekshëm mjafton me na dërrmue dhe nji nënqeshje e ambël mjafton me na robnue. Vetëm se s’guxojmë me I shfaqë ndjesitë e adhurimit, kemi turp të shpallim se e dashunojmë atë që na e plagos zemrën me një vështrim të mpakët ose me nji nënqeshje të kandshme. Zemrat tona janë më delikate se qelqet. Nji gur I vogël, I hedhun nga dora e nji të pamëshirshmit, I thyen dhe I ban thërrime për t’u shkelë mandej nga kamba e tij. Zemrat tona magnetizohen me dy fjalë, shitohen me dy pika lot. 
Sa e sa prej nesh janë ba viktimat e naivitetit dhe të sinqeritetit të tyne, tue u besue lajkave e premtimeve të gënjeshtra.”

“A thue se do të vijë nji ditë që ai të kërkojë ma kënaqë zemrën tue më dhurue tuba lulesh të mbledhuna nga kopshti I shpirtit dhe I zemrës së tij? Kushedi. Atë ditë do të isha femna ma e lumtun e botës dhe kurrkujt nuk do t’I kisha zili. Mund ta ndërrojsha krejt jetën time me nji ditë të vetme lumnie që mund të më falte ai, ai që ka në dorë çelësat e paradisit tim.”

“Oh, se ç’qenka dashunia! Ajo të baka foshnjë, të marrë e të mjerë, por njikohësisht edhe të lumtun.”

“Të pakë e të rrallë janë ata djem që me të vërtetë derdhin lot për dashnoret e tyne. Të shumtët kërkojnë dashni nate, nji dashni të përkohshme e trashamane. Ka, gjithashtu, shumë meshkuj që I ndërrojnë dashnoret me atë lehtësi që I këmbejnë rrobat e shtatit dhe mandej s’çajnë kryet për to. Ka plot të rinj që tinëzisht përpiqen ta spekulojnë sinqeritetin e femnave për t’I shkullue burimet e tyne të nderit; ka edhe të atillë që me shkathtësinë e nji akrobati vërsulen mbi femnat për me I gjuejtë zemrat e tyne me shigjetën e dashunisë që mandej të munden me I mposhtë me lehtësi. Dhe, ma fort se kushdo tjetër, këta njerëz që kanë zemra elastike, guxojnë me e akuzue femnën, tue thanë se asht dreq. Dreq apo engjëll asht femna? Ajo krijesë që krijon tue u ba nanë, ajo që rrit dhe edukon fëmijë me nji durim shembullor, ajo që lidh plagë shtati e zemre, ajo që asht burim I pashterun ngushllimi, dashunie e dhimbsunie, qenka dreq?! Do të ishte mirë të ishte dreq kundrejt këtyne tipave, por nuk asht se… se natyra e ka krijue për engjëll.”

“Asht nji dhunti e madhe me u ba nanë, por nji nanë e mirë që ka cilësinë dhe zotësinë me përgatitë qytetarë të mirë. Nanat e mira I bajnë të lumtuna familjet dhe këto shoqëninë. Që të jetë e mirë nji nanë, po e përsërit, ka nevojë për edukatë e mësim.”

“Sikur të kisha qenë djalë, do të bërtitsha e do ta ngrejsha zanin deri në kupë të qiellit që të mundesha me e sigurue mësimin dhe edukimin e fmnës ma shumë se të mashkullit, sepse femna asht edukatorja e parë e njeriut.”

“Ah, femna shqiptare myslimane! Ajo përgjithësisht asht e vorfen shpirtnisht, e pazhvillueme mendërisht dhe e dobët fizikisht, pse nuk I asht dhanë mundësiaa që ta argëtojë shpirtin, që ta ushqejë mendjen dhe t’I gëzojë dhuntitë e natyrës për t’u ba e fortë dhe e dobishme për shoqninë ku ban pjesë. Ajo ska kurrgja që të jetë e kënaqun dhe krenare; vjen e shkon pa lanë gjurmë në këtë jetë. Ajo, edhe po të dojë, s’mundet dhe s’ka se si t’I kushtohet së mirës, së bukurës e së virtytshmes, pse përnjimend asht si nji robneshë pa kurrfarë të drejte.”

“Ah, sikur të më dashunonte me të vërtetë! Po të arrijsha me u dashunue prej tij e me u… martue më të, kurrgja tjetër nuk do t’I kërkojsha Zotit, Por, ah! Ndoshta, ai pyet për mue I shtyem vetëm nga ndërgjegjja dhe për të nderue rregullat e etikës apo të kalorësisë që tash vonë kanë nisë me I përvetue të rinjtë e sidomos studentët tanë. Dhe, sigurisht, kështu do jetë. Oh, ku kam fat unë e shkreta me u ba grueja e adhurueme e atij të plotpushtetshmi që sundon mbi zemrën time.”

“Oh, se ç’qenka dashunia! Ajo ta ambëlsueka jetën, por të robnueka e s’të lënka me rrëshqitë nga prehni I saj.”

“Kur ia shtrëngova dorën, si herën e parë ashtu edhe tashti, më ngjajti sikur u preka nga nji fuqi elektrike që ta përshkon krejt shtatin me forcë dhe të ban të dridhesh. Pa dyshim, ishte forca e dashunisë ajo që ma rrëqethi trupin me nji të prekun të dorës. 
Oh, sa fort e dashunoj! Më duket se po shkallis prej ngucjeve të pareshtuna që më bën zemra. Oh, sa I ambël e I dashtun që asht! Oh, sikur të më dashunonte e të bahej imi!”

“-Po të kishe pasë gocë ti, dajë Haxhi, a do ta mbulojshe?- pyeta. 
-Do ta lijsha të lirë të vendoste vetë e ta zgjidhte njenën dysh: lirinë ose robninë,- ia bani dhe u ngrit me dalë. 
-E! A e digjove se si tha xhaja?- tha mbas pak Fahrija, tue e thye heshtjen që I kishte pllakosë. 
-E digjova. 
-Ç’mendon tashti? 
-Tashti? Tashti mendoj sikur të isha djalë… 
-Sikur të ishe djalë!- bani e habitun. 
-Po. 
-Ç’do të bajshe? 
-Do t’I shpallsha luftë botës fanatike dhe do të vazhdojsha derisa të ngadhnjejsha ose të mbarojsha. 
-Ke të drejtë,- tha dhe heshti. Duket se edhe atë e rrëmbyen mendimet.”

“…dora që përkund djepin asht ajo që e rrotullon boshtin e fatit të njerëzisë, sepse ajo dhe vetëm ajo e drejton jetën kah horizontet e ndrituna ose të errëta.”

“…kur dashunueka, femna arrika me e sakrifikue edhe shpirtin…”

“Natyrisht, kurrkush nuk mundet me folë, makar nji fjalë, për me I dalë zot nji femne që, tue mos I frenue senset e veta, arrin të poshtnohet dhe dënimi I saj, megjithëqë tepër I rreptë, asht I justifikueshëm. Vetëm due të di se pse dënimi randon vetëm mbi femnën e gjorë? Në asht se ajo u dhunue ose bani kurvëni, mashkulli ç’bani? A nuk bani edhe ky bikni*? Kush mundet me na sigurue se femna qe ajo që I nxiti pasionin mashkullit dhe e ndolli në të kryerit e asaj vepre që e dënon shoqnia e sotshme me fjalë ilegale dhe të turpshme?”

“Kur len femna, qajnë trenët”,- thotë nji fjalë popullore. Në këto pesë fjalë shprehet krejt përbuja e skotës mashkullore kundrejt femnës së shkretë.

“Po të kisha qenë djalë, do t’u mshojsha me grusht turinjve gjithë atyne që kërkojnë të kenë privilegje dhe që duen ta përdorin femnën herë si kafshë dhe herë si… mjet dëfrimi. Por nuk jam. Dhe perëndia, sikundër duket, nuk e ka mendjen me ba mrekulli.”

*Bik-dhunues I femrës.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.