Fragmente nga “Sonata e Krojcerit” – Lev Tolstoi

“…Qëllimi i njeriut”, – thotë Tolstoi, – “është që t’i shërbejë njerëzimit, qoftë duke i shërbyer nëpërmjet atdheut, shkencës ose artit- pa zënë ngoje shërbimin ndaj Zotit. Cilido qoftë qëllimi i jetës së njeriut – me kusht që ta konsiderojnë të denjë atë -nuk mund të arrihet nëpërmjet bashkimit me objektin e dashur, në martesë ose jashtë saj; përkundrazi, tërheqja dhe bashkimi me objektin e dashurisë nuk e lehtësojnë as edhe një herë arritjen këtij qëllimi, por e bëjnë përherë e më të vështirë. Askush nuk e vë në dyshim se virgjëria ështe më e lartë nga shthurja. Por thuhet: “Në qoftë se beqaria ështe një gjendje me e lartë se martesa, është e drejtë që njerëzit te bëjnë atë që është më e mira. Pra, në qoftë se njerëzit do të vepronin kështu, lloji njerëzor do të pushonte se ekzistuari dhe është e qartë se shkatërrimi i llojit njerëzor nuk mund te jetë ideali i njerëzimit. Pa marrë parasysh faktin se shkatërrimi i llojit njerëzor nuk përfaqëson një koncept të ri për njerëzit e botës sonë, por është edhe një dogmë fetare për besimtarët – ndërsa për shkencëtarët përfaqëson nevojën e pashmangshme të vrojtimeve për ftohjen e diellit – kjo konsideratë përmban megjithatë, një keqkuptim të lashtë, shumë te rëndë dhe të përhapur shumë.

Edhe unë, djalosh 16 vjeç, për herë të parë në pellgun e vesit dhe u bëra shkak i degradimit moral të një gruaje, të një motre, pa ditur se ç’bëja. Por nuk kisha dëgjuar nga më të mëdhenjtë që sjellja ime të ishte e keqe. Vërtet kemi të dhjetë urdhërat e Perëndisë, po ato janë vetëm sa për t’u përgjegjur në provimet. Madje të dhjetë urdhërat, që duhej të ishin baza e jetës sonë morale, kanë më pak rëndësi në provimet se sa disa rregulla të gramatikës italiane. Kështu, pra, nuk dëgjova as më voglin qortim nga shokët më pleq të cilët i nderoja. Përkundrazi, ata e lavdëronin sjelljen time dhe më siguronin se lufta e brendshme, skrupujt moralë që s’më linin të qetë do të pushonin shpejt.

Një çapkën mund ta mbajë veten, mund të luftojë kundër instikteve te liga, po ai kurre nuk do të ketë marrëdhënie të sinqerta dhe vëllazërore me gruan. Nga mënyra se si e zhvesh gruan duke e shikuar me sy njihet çapkëni. Edhe unë hyra në atë kategori dhe më s’dola.

Sot burri i ka të gjithë të drejtat, edhe gruas s’i mbetet tjetër mjet veçse ta zaptojë burrin me anë të ndijimeve, domethënë me anë të nevojës fizike që ka burri për gruan. Doni t’i hiqni burrit të drejtat që gëzon, kurse gruaja, duke mos pasur asnjë të drejtë, është e shtrënguar të triumfojë me bukurinë e saj, të sundojë duke përdorur ato cilësi që e bëjnë mjet dëfrimi për burrin. Kështu, ne burrat zgjedhim sa për formë, në realitet është gruaja që na zgjedh. Ajo abuzon nga dobësia e burrit dhe kështu fiton një pushtet të tmerrshëm.

Që të mbretërojë në mes të njerëzve një jetë morale në pikëpamjen e marrëdhënieve seksuale duhet të kemi për qëllim zhdukjen e çdo prekjeje trupore me gruan, me fjalë të tjera, të rrojmë si kallojerët e manastireve. Duke ndjekur këtë qëllim njeriu zvogëlohet moralisht dhe duke u zvogëluar kësisoj do të arrijë në bashkimin moral. Kurse në shoqërinë tonë njeriu shikon të kënaqë instiktet sensuale të trupit, prandaj, edhe kur martohet me dashuri, kjo, sipas meje, domethënë se merr leje nga shoqëria të kurvërojë vetëm me një grua, te rrojë jetën imorale që rrojta unë me time shoqe, duke marrë më qafë veten edhe atë. Vini re se sa mendime të gabuara mbretërojnë në rrethin tonë, kurse gjendja më e lumtur e njeriut, liria, përmbajtja, quhet një mjerim që shkakton talljet e çapkënëve. Ideali më i lartë, gjendja me e mirë e gruas, virgjëria e pastër e një vestalje quhet një fatkeqësi dhe përbuzet në shoqërinë tonë. Sa e sa vajza u sakrifikojnë pastërtinë e tyre këtyre paragjykimeve duke u martuar me ca maskarenj vetëm e vetëm që të mos mbeten të virgjëra. Merren më qafë nga frika e thashethemeve.

Njeriu, kur nuk rron si njeri, bëhet më i keq se shtasa.

Është një ngushëllim për të mjeruarit kur rrojnë në qytet. Atje njeriu mund të rrojë njëqind vjet pa vënë re se ka vdekur me kohë. Në qytet s’ka njeriu kohë të mendohet për fatin e tij, për ato që i ngjajnë. Që të gjithë i rrëmben vala e jetës qytetase: punët, vizitat, arti, shëndeti i fëmijës, edukata e tyre, të shohësh filan pjesë në teatër, të dëgjosh filan artist etj., etj.

Është një mallkim, por edhe një fatbardhësi për njeriun të mbahet me iluzione kur në jetën e tij nuk sheh asnjë dritë të bardhë. Kështu edhe ne qemë plot iluzione…

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.