Fragmente nga tregimi: “Kriza nervore” – Anton Çehov!

Në të gjitha këto Vasiljevi s’po shihte asgjë të re, as interesante. Atij i dukej sikur atë sallë, atë piano, pasqyrën me kornizë të praruar, por surrogate, kordelen, fustanin me vija blu dhe fytyrat e shushatura, indiferente i kishte parë diku edhe më parë dhe disa herë. Ndërsa terrin, qetësinë, misterin, buzëqeshjen prej fajtori, të gjitha ato shpresonte t’i gjente aty dhe që e trembnin, ai s’po i shihte hiç fare.
Gjithçka ishte e zakonshme, prozaike e pa interes. Vetëm një gjë ia ngacmonte paksa kureshtjen: ajo mungesë e tmerrshme shijeje, si e stisur për t’u tallur, që dukej në kornizat, në tablotë absurde, në fustanet, në kordelet. Në këtë pashije kishte diçka karakteristike, të veçantë.
“Sa e mjerë dhe qesharake është gjithçka! – thoshte me vete Vasiljevi. – Ja, po e shoh tani ç’absurditete u bëkan këtu. E ç’ka këtu që mund ta tundojë një njeri normal, ta nxisë të kryejë një mëkat të tmerrshëm: të blejë me një rubël një njeri të gjallë? Une e kuptoj çdo mëkat që bëhet për hir të shkëlqimit, të bukurisë, të hijeshisë, të pasionit, të shijes, por këtu ç’ka? Për ç’gjë mëkatojnë këtu? Le që… s’duhet menduar!”

*****

Vasiljevi kishte qejf të fliste me zonjushën për shumë gjëra. Ai ndiente një dëshirë të fortë të merrte vesh nga ishte ajo me origjinë, a i kishte gjallë prindërit dhe a e dinin ata që ajo ishte aty; si kishte rënë në atë shtëpi, a ishte e gëzuar dhe e kënaqur, apo, përkundrazi, e trishtuar dhe e mërzitur nga mendime të zymta; a shpresonte të dilte ndonjëherë nga gjendja e saj e tanishme… Po s’i binte dot më të nga t’ia fillonte dhe ç’formë t’i jepte pyetjes, që të mos dukej pa takt. Ai u mendua një copë herë të gjatë dhe pyeti:
– Sa vjeç jeni?
– Tetëdhjetë, – bëri shaka zonjusha, duke vëzhguar buzagaz truket që bënte me këmbë e me duar piktori tek kërcente kadrilin.
Befas ajo zuri të qeshte me të madhe dhe tha me zë të lartë, aq sa e dëgjuan të gjithë, një frazë të gjatë cinike. Vasiljevi u hutua dhe, nga që s’dinte ç’shprehje t’i jepte fytyrës, vuri buzën në gaz me pahir. Vetëm ai buzëqeshi, ndërsa të tjerët – shokët e tij, muzikantët dhe femrat – as që i hodhën sytë nga fqinja e tij, sikur të mos e kishin dëgjuar.

*****

– O, sa kostum të bukur paskeni! – tha ai dhe preku me gisht thekët e praruar të shallit që ajo kishte hedhur në qafë.
– Ashtu si është… – tha brunia me përtesë.
– Nga ç’gubernë jeni ju?
– Unë? Jam e largët… Nga Çornigovi.
– Gubernë e mirë. Është mirë atje.
– Mirë është atje ku s’jemi ne.
“Sa keq që s’di të përshkruaj natyrën, – tha me vete Vasiljevi. – Mund ta prekja me përshkrimet e natyrës së Çornigovit. Patjetër që i pëlqen, po qe se ka lindur atje”.
– A mërziteni këtu? – e pyeti ai.
Dihet që mërzitem.
– Po pse s’ikni që këndej, kur mërziteni?
– Po ku të vete, të lyp?
– Më lehtë është të lypësh, sesa të jetosh këtu.
– Po ju nga e dini? Mos keni lypur gjë vetë?
– Kam lypur, kur s’kam pasur me se të paguaj për mësimet. Edhe sikur mos të kisha lypur, kjo është një gjë që kuptohet kollaj. Lypësi, sido që të jetë, është njeri i lirë, kurse ju jeni robinjë.

*****

– Dëgjoni ju! – tha i zemëruar dhe me të ashpër. – Pse vini këtu? A thua vërtet nuk e kuptoni ç’gjë e tmerrshme është kjo? Mjekësia juaj thotë se çdonjëra nga këto femra vdes para kohe nga veremi ose nga diçka tjetër; artet thonë se moralisht ajo vdes edhe më shpejt. Çdonjëra prej tyre vdes, ngaqë në jetën e saj pret mesatarisht, ta zëmë, pesëqind burra. Çdonjëren e vrasin pesëqind burra. Ndër këta pesëqind jeni dhe ju! Tani, në qoftë se ju të dy vini këtu ose në vende të tjera si ky nga dyqind e pesëdhjetë herë, domethënë ju të dyve ju bie një femër e vrarë! A nuk kuptohet kjo gjë? A nuk është e tmerrshme? Të vrisni të dy, të tre, të pestë bashkë një femër budallaqe, të uritur! Ah, a nuk është e tmerrshme kjo, o zot?

*****

Në shtëpi rrinte shtrirë në krevat dhe, duke iu dridhur tërë trupi, thoshte:
– Të gjalla! Të gjalla! O zot, ato janë të gjalla!
Ai e stërhollonte fantazinë e tij si t’i vinte ndoresh, e përfytyronte veten herë si vëllanë e një femre të përdalë, herë si babanë e saj, herë si vetë një femër e përdalë me faqe të lyera, dhe të gjitha këto e bënin të tmerrohej.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.