Fragmente nga “Vera në Algjer” – Alber Kamy!

Megjithatë, si ta tregoj që këto imazhe të vdekjes nuk ndahen asnjëherë nga jeta? Në këtë vend vlerat janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Kur ngasin një makinë varrimi të zbrazët, shakaja e zgjedhur e sipërmarrësve algjerianë të varrimit është t’i thërrasin çdo vajze të bukur që takojnë rrugës: “A do një xhiro, motër?”

*****

Di vetëm se ky qiell do të ekzistojë edhe pas meje. Por çfarë duhet të quaj përjetësi përveç asaj që do të vazhdojë të ekzistojë pas vdekjes sime?

*****

Nuk dua të jem brutal ose të dukem ekstravagant. Por, në fund të fundit, ajo çka më mohon në këtë jetë është ajo çka më vret në fillim. Gjithçka që i thur lavde jetës, në të njëjtën kohë ia shton asaj kotësinë.

– Vera në Algjer

Nuk ka më shkretëtira. Nuk ka më as ishuj. Veç ndihet një nevojë për to. Për ta kuptuar botën, dikujt i duhet të largohet nga ajo herë pas here; për t’u shërbyer njerëzve më mirë, dikujt i duhet të qëndrojë për pak kohë larg tyre.

*****

Vetë shkretëtira ka marrë kuptim; ajo ka qënë mbushur me poezi deri në grykë. Ajo është një vend i shenjtë për të gjitha brengat e kësaj bote. Por në momente të caktuara, zemra nuk kërkon më shumë sesa vende ku të mungojë poezia.

*****

Sigurisht, është e pamundur të shkatërroj gurin. Ai thjesht zhvendoset nga njëri vend në tjetrin. Sidoqoftë, ai do të jetojë më gjatë se njerëzit që e përdorin atë për nevojat e tyre. Hëpërhë, ai plotëson dëshirën që kanë ata për veprim. Ndoshta kjo në vetvete është diçka e pavlefshme. Por, të lëvizësh gjërat nga njëri vend në tjetrin, kjo është puna e njerëzve.

– Minotauri ose Qëndrimi në Oran

Ku ishte pafajsia? Perandoritë po gromiseshin; kombe dhe njerëz po hanë njëri-tjetrin të gjallë; i kemi ndotur duart. Dikur ishim të pafajshëm pa e ditur pse, kurse tashmë jemi fajtorë pa e kuptuar se jemi të tillë: misteri po rritet brenda dijes sonë.

*****

Bukuria e izoluar përfundon në shtirje; drejtësia e vetmuar përfundon në tirani. Kushdo që synon t’i shërbejë diçkaje, por që lë jashtë diçka tjetër, nuk i shërben askujt prej të dyjave, madje as vetes dhe si përfundim i shërben dyfish padrejtësisë.

****

Sepse të mos jesh i dashuruar është veç një fat i keq, një fat i mbrapshtë që të ndjek kur nuk ndjen dashuri. Sot, të gjithë ne po shteremi nga ky fat i mbrapshtë. Sepse dhuna dhe urrejtja e kanë shteruar vetë zemrën; lufta e gjatë për padrejtësi e shteron dashurinë që sidoqoftë e lindi atë. Në zhurmën dhe poteren që jetojmë dashuria është e pamundur dhe drejtësia nuk mjafton. Kjo është arsyeja përse Evropa e urren dritën e diellit dhe është në gjendje veç të nxisë padrejtësinë kundrejt drejtësisë.

*****

Kthimi në Tipasa

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.