Franc Kafka – Përpara ligjit

Përpara ligjit qëndron portieri. Tek ky portier vjen një burrë që kërkon të hyjë tek ligji. Por portieri i thotë se nuk mund t’i lejojë hyrjen atë çast. Burri mendohet pak dhe pastaj pyet nëse do t’i lejohet më vonë që të hyjë.
– E mundur është, – thotë portieri, – por jo tani.
Porta për të hyrë te ligji ishte e hapur, si gjithmonë, dhe portieri ecën para saj, kështu që burri përkulet për të parë brenda nëpërmjet portës. Kur portieri e ve re këtë, ai qesh dhe thotë:
– Në qoftë se të tundoka kaq shumë, provoje pavarësisht se unë të ndaloj. Por, mos harro: Unë jam i fuqishëm. Dhe unë jam thjesht një portier i vogël në hierarki. Dhe nga njëra dhomë në tjetrën të ligjit ka portiera që janë njëri më i fuqishëm se tjetri. Unë nuk mund të përballoj as edhe një vështrim të të tretit.
Burri nuk kishte parashikuar vështirësi të tilla: ligji duhet të ishte i prekshëm nga të gjithë, mendon ai, por, ndërsa e shikon tani më me vëmendje portierin brenda asaj palltoje pellush, me atë hundën e madhe me majë dhe me atë mjekrën Tartare të gjatë, të hollë, të zezë, ai vendos se do të ishte më mirë të priste derisa t’i jepej leja për të hyrë brenda.
Portieri i jep një stol dhe e lejon që të rrijë ulur pranë derës. Dhe atje rri ai për ditë të tëra dhe për vite të tëra. Ai bën shumë përpjekje për ta lejuar që të hyjë brenda, dhe ai e lodh portierin me kërkesat e tij. Portieri shpesh e pyet për vendin nga ka ardhur dhe shumë gjëra të tjera, por ato janë pyetje indiferente, nga ato llojet që të bëjnë burrat e mëdhenj, dhe në fund i thotë se nuk mund ta lejojë që të hyjë akoma. Burri, që është pajisur me shumë gjëra që i ka marrë me vete për udhëtimin e tij, shpenzon gjithçka, pavarësisht se sa me vlerë janë, për t’i fituar lejen portierit. Portieri i merr të gjitha, por duke bërë këtë, thotë:
– Po i marr këto vetëm që ju të mos mendoni se keni dështuar në gjithçka.
Gjatë shumë viteve që kalojnë, burri e vrojton portierin gati vazhdimisht. Ai i harron portierët e tjerë, dhe ky i tij duket si e vetmja pengesë për të hyrë tek ligji. Ai i mallkon rrethanat e pafata, fillimisht, pa u menduar dhe me zë të lartë, më vonë, ndërsa moshohet, ai akoma bëlbëzon me vete.
Ai bëhet si fëmijë dhe, meqënëse gjatë shumë vjetëve studim që i ka bërë portierit ai ja njeh edhe pleshtat në pallton pellush, ai u lutet atyre për ta ndihmuar që t’i mbushin mendjen portierit. Më në fund, shikimi i dobësohet, dhe ai nuk e di nëse gjërat rrotull tij janë më të errta në të vërtetë apo sytë po e mashtrojnë. Por tani ai dallon në errësirë një ndriçim që del pandërprerje jashtë nga porta e ligjit.
Tani ai nuk ka edhe shumë kohë për të jetuar. Përpara vdekjes, ai mbledh në kokën e tij të gjithë eksperiencën e të gjithë jetës së tij dhe formulon një pyetje, të cilën nuk ja kishte bërë portierit asnjëherë më parë. Ja bën atij me dorë, meqënëse kishte kohë që nuk mund ta drejtonte trupin. Portierit i duhet të përkulet mbi të, sepse diferenca e madhe i ka ndryshuar gjërat në disfavor të burrit.
– Çfarë doni që të dini tjetër? Ju paskit qënë ia pangopur.
– Të gjithë orvaten pas ligjit, – thotë burri, – si është puna atëhere që, pas kaq shumë vitesh, askush, përveç meje, nuk ka kërkuar leje hyrjeje në ligj?
Portieri e shikon se burri është duke vdekur dhe, për të mposhtur shqisën e mundur të dëgjimit të burrit, i përgjigjet me zë të lartë:
– Këtu askush nuk mund të hyjë, sepse kjo hyrje ju është caktuar vetëm juve. Tani do ta mbyll këtë portë.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.