François de La Rochefoucauld – Për lidhjet e njerëzve me kafshët

Ka po aq lloje të ndryshme njerëzish sa çka lloje të ndryshme kafshësh, e njerëzit për shoqi-shoqin janë çka janë mes tyre kafshët e llojeve të ndryshme. Sa e sa njerëz ka që jetojnë me gjakun e jetën e të pafajshmëve: disa si tigra, gjithnjë të egër e gjithnjë mizorë; disa si luanë, që ruajnë sa për sy e për faqe njëfarë shpirtmadhësie; disa si arinj, të trashë e të pangopur; të tjerë si ujq, grabitës e të pamëshirshëm; kurse të tjerë si dhelpra, që jetojnë me llogari e që për zanat kanë mashtrimin.

Po sa e sa njerëz ka që u ngjajnë qenve! Qentë e bastardojnë dhe e çarisin racëne vet: këta gjuajnë për qejf të atij që i ushqen; njëra palë i bie gjithkah mbrapa të zot, kurse pala tjetër rri i ruan shtëpinë. Ka qen gjahu, që e nxjerrin jetesën me mund; qen mejdani, që vlejnë veç për t’u ndërsyer; qen roje, që u sulen si të tërbuar edhe miqve; qenë të zgjebosur, thuajse pa kufarrë vlerë, që lehin shpesh e nganjëherë edhe kafshojnë; madje ka edhe qen kopshtarësh. Ka majmunë e maçokë që të bëjnë të shqyhesh gazit, por që janë të zgjuar e aq skuthër sa veç për keq u punon mendja. Ka pallonj e kacagjela, që veç bukurinë kanë, që t’i çjerrin veshët me këngën e tyre, e që e përdhosin me glasa vendin ku rrinë.

Ka zogj që s’kanë kufarrë merite përpos pendëve o ngjyrës. Sa e sa papagaj, që dërdëllisin pa pranjtë, e që kurrë nuk ua vënë veshin pallavrave të veta; sa sorra e korba që nuk i don kurrkush; sa shpendë grabitës, që e çojnë jetën veç duke vjedhur; sa e sa lloje kafshësh të paqme e të plogështa, të cilat për asgjë nuk shërbejnë, përpos si ushqim për kafshët e tjera!

Ka mace, që i mbajnë veshët gjithmonë në përgjim, të liga e të pabesa, e që të ledhatojnë përpara se me të gërvishtë; ka nepërka, që e kanë gjuhën helm, e ky është i vetmi marifet  i tyre në jetë; ka merimanga, miza, pleshta e morra, të bezdisshëm e të padurueshëm; ka zhapinj të shpifur, që lëshojnë vetëm vrer; ka bufa, që i tuten dritës. Po sa e sa kafshë që jetojnë të strukura nën tokë dhe e nxjerrin kryet vetëm pas shumë e shumë vitesh! Sa kuaj, që përdoren për gjithfarë hamallëqesh, e që lihen për të cofur urie kur nuk janë më të zot për punë; sa qe, që lavrojnë gjithë jetën për të shtuar pasurinë e atij që u ka vënë kularin në qafë; gjinkalla që ia thotë këngës deri në frymë të fundit; lepuj që jetojnë me frikë në bark; derra që zhgrryhen në llucë e në pleh; peshq karasë, që i marri në qafë shokët e vet, duke u turrur të parët në rrjeta; zhgaba e hutinë, që rrojën veç me kërma e coftina!

……..

Të gjitha këto veti gjenden te njeriu e ky, me njerëzit e tjerë, sillet njëlloj sikundër sillen mes vedi kafshët që përmendëm.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.