Fragment nga “Udhëtari dhe hija e tij” – Friedrich Nietzsche

Këto ngjarje të miat, pra historia e një sëmundjeje dhe një shërimi, sepse çështja përfundoi me shërim, duhet të kenë qenë vetëm ngjarje të miat personale? Dhe vetëm libri im “Njerëzor, tepër njerëzor”? Sot do të doja të besoja të kundërtën, unë besoj gjithnjë e më tepër se librat e mi të udhëtimit nuk janë hartuar vetëm për mua, siç është dukur deri tani. A mundem unë tashmë, pas gjashtë vitesh besimi që rritet, t’i dërgoj ata përsëri të provojnë një udhëtim? A mundem unë t’ua rekomandoj veçanërisht zemrës dhe veshëve të atyre që janë mërzitur nga ndonjë “e shkuar” dhe të cilëve iu mbetet mjaft shpirt për të vuajtur edhe për shpirtin e së shkuarës së tyre? Por mbi të gjitha jua rekomandoj juve që keni detyrën më të rëndë, juve njerëzve të rrallë, të ekspozuar ndaj rreziqeve, intelektualëve, guximtarëve, që duhet të jeni ndërgjegjja e shpirtit modern dhe të zotëroni shkencën et tij, juve tek të cilët mblidhet gjithçka që aty mund të jetë sëmundje, helm dhe rrezik, juve që fati ju kërkon të jeni më të sëmurë se çdo individ i veçantë, sepse ju nuk jeni “vetëm individë”, juve që keni ngushëllim njohjen e rrugës drejt një shëndeti të ri, dhe medet! – përshkrimin e saj drejt një shëndeti të së nesërmes e të pasnesërmes, ju o të pacaktuar, fitimtarë, triumfatorë të kohës, ju o më të shëndetshmit, më të fortët, ju o evropianë të mirë!

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.