Gi de Mopasan – Shenja

Markezia e vogël Renedon,flinte ende në dhomën e saj të mbyllur, erëmirë, e shtrirë në shtratin e saj të gjerë e të ulët, midis çarçafëve të hollë të linjtë, që e përkëdhelnin si puthje, flinte fillikat, e qetë, në gjumin e thellë e të lumtur të gruas së ndarë.

E zgjuan disa zëra të lartë, që dëgjoheshin në sallonin aty pranë. Njohu zërin e mikeshës së saj më të dashur, të baroneshës së vogël De Granzeri, e cila grindej me kamerieren e saj, se nuk e linte të hynte. Atëherë markezia e vogël u ngrit, tërhoqi shulet, hapi portën dhe nxorri kokën e saj të verdhë, të fshehur nën një re flokësh.

-Ç’pate që erdhe kaq herët?  Nuk ka shkuar ora as nëntë!

Baronesha fytyrëzbehtë dhe nervoze, iu përgjigj:

-Duhet të bisedojmë. Po më ndodh diçka shumë serioze.

-Atëherë hyr, mikesha ime!

Hyri brenda dhe pasi u puthën, markezia u shtri përsëri, ndërkohë që kamerierja hapi dritaret për të hyrë në dhomë ajër dhe dritë. Pasi u largua shërbëtorja, zonja De Renedon i tha baroneshës:

-Pa hajde, më rrëfe tani ,çfarë po të ndodh?

Ajo filloi të qajë, duke derdhur ata lotët e shndritshëm, që i bëjnë gratë më të gëzuara dhe pëshpëriti, pa i fshirë sytë e saj, nga frika se mos i përskuqte.

-Ah,e dashura ime, po më ndodh diçka e tmerrshme! Nuk kam fjetur gjithë natën. Asnjë minutë të vetme, më dëgjon, asnjë minutë ! Ja,vure dorën mbi zemrën time dhe shih se si më rreh !

Dhe, pasi mori dorën e mikeshës së saj,e mbështeti atë mbi gjoksin e vet, mbi atë mbulesë të rrumbullaktë dhe të fortë të zemrës femërore, me të cilën burrat mjaftohen shpeshherë, pa kërkuar të shohin se ç’fshihet nën të. Dhe vërtet, zemra e saj rrihte fuqishëm.

Vazhdoi:

-E pësova dje, rreth orës katër me katër e gjysmë. Nuk më kujtohet saktësisht. Ti e di që salloni, ku zakonisht kaloj kohën, vështron në rrugën Sen Lazar dhe di gjithashtu se mania ime është të rri në dritare dhe të shoh njerëzit që kalojnë aty. Kjo pjesëz e stacionit është kaq e gëzuar, kaq argëtuese! Ç’të të them,më pëlqen veçanërisht!

E pra, dje, po qëndroja në një karrige të ulët pranë dritares. Të kujtohet se çfarë dite e bukur ishte dje. Nuk mendoja për asgjë. Dritarja ishte tërësisht e hapur dhe unë merrja ajër të pastër. Papritur vure re se në anën tjetër të rrugës ishte gjithashtu një grua në dritare, një grua e veshur me të kuqe. Unë kisha veshur fustanin vjollcë, atë fustanin e gëzuar vjollcë. Atë grua nuk e njihja. Ishte një fqinje e re, e cila kishte zënë me qira shtëpinë përballë para një muaji. E meqë kishte kohë që binte vazhdimisht shi, nuk m’u dha rasti që ta njihja, veçse e kuptova menjëherë se nuk ishte ashtu siç duhej. Pikësëpari ndjeva neveri dhe u bezdisa mjaft që edhe  ajo rrinte në dritare ashtu si edhe unë, po pastaj, dalëngadalë, fillova të argëtohesha duke e parë.

E mbështetur mbi dritare, vështronte burrat dhe të gjithë burrat e vështronin atë. Të dukej sikur ishin të paralajmëruar ose sikur i merrnin erë, ashtu siç i marrin qentë erë gjahut, pasi, duke u afruar pranë shtëpisë së saj, ngrinin kokën dhe shkëmbenin një vështrim të shpejtë me të, një vështrim kuptimplotë. Vështrimi i saj thoshte:”Dëshironi ?”. I tyre përgjigjej:”Nuk kam kohë”,ose ”Një herë tjetër” ose ”Nuk kam asnjë kacidhe në xhep” ose ”Hajde, zhduku, grua e  keqe”! Këtë të fundit e thoshnin burrat familjarë. Nuk mund ta imagjinosh se sa gjë argëtuese ishte ta vështroje duke ushtruar mjeshtërinë e saj ose më mirë profesionin e saj. Ndonjëherë mbyllte në çast dritaren dhe vija re ndonjë zotëri që hynte në portën e saj. Atë e kishte mbërthyer me grepin e vet. Ndërkohë vështroja me kujdes orën. Secili prej tyre rrinte nga dymbëdhjetë deri në njëzet minuta, asnjë çast më tepër. Aaa! Të prishte mendjen dinakja! Veç kësaj, nuk ishte dhe aspak e keqe.

Shpesh pyesja veten:

-Po si ka mundësi që ia del mbanë ta kuptojnë kaq mirë ? Mos vallë, veç vështrimit të saj iu bënte  edhe ndonjë shenjë me kokë ose me dorë? Dhe, për të parë më mirë, mora syzet e teatrit. Aaa! Ishte shumë e thjeshtë. Fillimisht u hidhte një vështrim, më pas një buzëqeshje dhe së fundi një lëvizje të kokës, që donte të thoshte:”Dëshironi?”.Veçse kaq të lehtë, kaq të papërcaktuar, kaq me takt, sa duhet të kishe një mjeshtëri të veçantë për ta bërë ashtu siç e bënte ajo.

Pyeta përsëri veten time: ”A do të mundja unë ta bëja po aq mirë atë shenjë të lehtë, aq guximshëm e gëzuar sa ajo? E provova në pasqyrë. Mikesha ime e dashur, e bëra më mirë se ajo, shumë më mirë se ajo. Isha e entuziazmuar. Shkova dhe u ula përsëri në dritare. Fatkeqja nuk zuri më asnjë tjetër. Vërtet, nuk pati fat. Veçse është e tmerrshme që njeriu të jetojë me një mënyrë të tillë. E tmerrshme, po ndonjëherë edhe argëtuese, se në fund të fundit nuk janë të gjithë të këqij ata njerëz!

Tani të gjithë kalonin në trotuarin tim, asnjë në të saj. Dielli kishte ndërruar vend. Kalonin njeri pas tjetrit: të rinj, të vjetër, flokëverdhë, ezmerë, flokëgështenjë…

Disa syresh ishin shumë të hijshëm, më të mirë se burri im dhe nga yt shoq, domethënë nga ish bashkëshorti yt.

Thashë me vete: ”Nëse iu bëj ndonjë shenjë, do më kuptonin që unë jam një grua e ndershme? ”Dhe, ja!  Më hipi një dëshirë e çmendur t’ua bëj me shenjë, një nga ato dëshirat e çartura, të cilat është e pamundur t’i përballosh.

Mua më zënë ndonjëherë dëshira të tilla. Ç’pamendësi janë gjithë këto gjëra! Unë mendoj se ne gratë kemi shpirt majmuni. Një mjek më ka bindur se truri i majmunit ngjan me trurin tonë! Përherë duhet të imitojmë burrat tanë, kur i dashurojmë në muajin e mjaltit, mandej dashnorët tanë, mikeshat tona dhe ndonjëherë edhe  rrëfyesit tanë, kur janë të gëzueshëm…Huazojmë mënyrën e tyre, kur flasin, kur mendojnë, marrim fjalët e tyre, lëvizjet e tyre…gjithçka.

Është…marrëzi. Veç kësaj, kur unë dua të bëj diçka, arrij ta bëj atë përherë.

E, pra, thashë: ”Pa të shohim! Do ta provoj tek njeri, vetëm tek njeri. E ç’mund të ndodhë ? Absolutisht asgjë. Vetëm se do të shkëmbejmë nga një buzëqeshje dhe asgjë më shumë. Nuk kam për ta parë më kurrë dhe nëse rastis ndonjëherë të më shikojë dhe, nëse e sjell dreqi të më njohë, do ta kundërshtoj”.

Fillova, pra, të zgjedh. E doja të bukur, të veshur shik. Papritur më zuri syri një djalosh të bukur flokëverdhë. Ti e di se sa më pëlqejnë flokëverdhët!

E vështrova, më vështroi… I buzëqesha, më buzëqeshi. I bëra shenjë. Oh ! Fare pak. M’u përgjigj në çast me ”Po” me kokë dhe ja,e dashur, e pashë të hynte në portën time të madhe.

Nuk mund ta imagjinosh se ç’ndodhte në shpirtim tim atë çast. O zot, çfarë frike! Mendova se do të çmendesha. Pa mendo,do të fliste me shërbëtorët. Dhe Josifi, që është aq i devotshëm ndaj tim shoqi,do të mendonte se atë zotëri e njoh prej shumë kohësh. Më thuaj! Si të veproja ? Pas pak çastesh do të trokiste në portë. Mendova se gjëja më e mirë do të ishte të rendja pranë tij dhe t’i lutesha të ikte. Do t’i vinte keq për një grua të pafuqishme. Renda, pra, shpejt e shpejt tek porta dhe e hapa pikërisht në çastin kur po vinte dorën tek zilja. Unë, tërësisht e turbulluar, i fola:

-Ikni, zotëri, ikni! Jini në gabim! Jam një grua e ndershme,e martuar! Ndodhi një keqkuptim i tmerrshëm ! Ju mora për njërin prej miqve tanë, të cilit i ngjani shumë! Kini mëshirë, zotëri!

Por ai, e dashur, filloi të qeshte dhe m’u përgjigj:”Mirmëngjesmacka ime! E di atë histori. Jam e martuar, shumë mirë. Po të lë dy njëzetfrangëshe, në vend të njerës prej tyre. Më pëlqen, prandaj po t’i jap. Hajde, tregomë rrugën”! Mbylli portën dhe më shtyu brenda e, meqë unë rrija e trembur para tij, e ngulur në dysheme, më puthi me ngut, më rrëmbeu nga mesi dhe më çoi në sallon, i cili kishte mbetur i hapur. Pasi u ul, nisi t’i kqyrte të gjitha me një pamje që shprehte nderim. ”Shtëpia jote është shumë e bukur dhe me shije, e mbushur me sende me vlerë. Mesa duket ke rënë në një varfëri të madhe, përderisa bëni shenjë nga dritarja”! Unë fillova t’i lutesha: ”Zotëri, ju lutem, ikni, ikni! Nga çasti në çast mund të vijë im shoq, është ora që ai kthehet! Ju siguroj edhe një herë se po gaboni”!

Ndërsa ai m’u përgjigj i qetë: ”Eja tani,bukuroshja ime, lëri nazet! Nëse vjen yt shoq, jepi dhjetë franga të shkojë në kafene dhe të pijë diçka”! E, ndërsa u kthye drejt oxhakut, pa fotografinë e Raulit.

-Ai është burri yt?

-Po.

-Hm! Fytyrë e bukur. Po kjo këtu cila është, ndonjë mikesha jote?

Ishte fotografia jote, e dashur, ajo që ke dalë me veshjen e valles. Nuk dija më se ç’thoshja.

-Po,është një mikesha ime.

-Aaa! Qenka e hijshme! Të më njohësh me të!

Atë çast filloi të trokiste ora. Pesë! O zot, ora kur kthehet Rauli! Ç’të bëja? Atëherë… atëhere edhe unë… u hutova… e humba fare… mendova… se… se… më e mira ishte të… të… ta hiqja qafe, sa më shpejt që të mundja. Sa… sa më shpejt… aq më mirë… e meqë nuk mund të bëhej ndryshe… meqë duhej… meqë në fund të fundit… me asnjë mënyrë nuk do të ikte… e, pra… i vura shulin sallonit… dhe…

Markezia De Renedon qeshte me gjithë shpirt. Qeshte me zë të lartë, si e çmendur, me kokë të ngjeshur në jastëk. Kur e qeshura i kaloi pakëz, pyeti mikeshën e saj:

-Të paktën ishte i këndshëm?

-Po, shumë i këndshëm.

-Dhe ke ankime?

-Po… e di si është puna… më tha se do të vijë përsëri nesër në të njëjtën orë dhe ti e kupton, trembem, dridhem… Nuk ke ide se sa këmbëngulës që është! Më thuaj, e dashur, si të veproj?

Zonja De Renedon qëndroi ndenjur në shtratin e saj, për ta menduar më mirë dhe pas disa minutash i tha papritur:

-Denoncoje!

-Si? Ta denoncoj? Je në vete? Me çfarë preteksti?

-Oh, është fare e thjeshtë. Do shkosh në polici dhe do thuash se një zotëri të ndjek këmba këmbës këtu e tre muaj. Se kishte paturpësinë të hynte dje në shtëpinë tënde dhe të kërcënoi se do të vinte edhe të nesërmen. Do të kërkosh mbrojtje nga ligji dhe dy policë do të vijnë menjëherë dhe do ta arrestojnë.

-Po nëse tregon…

-Budallaçkë, nuk do ta besojnë, pasi ti e ke parapërgatitur policinë! E veç kësaj do të të besojnë ty, se je grua e tjetërkujt dhe me sjellje të shkëlqyer.

-Nuk do të guxoja kurrë!

-Duhet të guxosh, në të kundërt je e humbur.

-Pa mendo si do të më fyejë kur ta kapin.

-Do ta dënosh, se do të kesh dëshmitarë.

-Përse ta dënoj?

-Oh, ti e dashur nuk kupton asgjë! Do ta dënosh për të të paguar dëmshpërblim! Në këtë pikë duhet të jesh e pamëshirshme!

-Ah, vërtet! Harrova të të them edhe diçka tjetër që më shqetëson shumë! Duke ikur më la edhe dy monedha njëzetfrangëshe mbi oxhak.

-Vetëm dy? Janë pak! Unë do ta ndjeja veten të fyer. Tani, më thuaj, ç’kërkon tjetër?

-Dua të më thuash, ç’të bëj me këto të holla?

Markezia e vogël, pasi u mendua pak, i tha seriozisht:

-Me ato të holla, e dashur, duhet t’i bësh një dhuratë të vogël burrit tënd. Kjo është gjëja më e mirë.

 

Përktheu Iliaz  Bobaj

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.