“Gjermania,një përralle dimri”, kënga IX, nga poeti Hajnrih Hajne

Poema “Gjermania, një përrallë dimri”, u shkrua nga poeti në vitin 1843, i frymëzuar nga udhëtimi që bëri në ë vendlindjen e tij në Gjermani, pas gati 13 vitesh emigrimi. Në këtë poemë, gjejmë të përshkruar krahas situatës politike dhe shoqërore të kohës, edhe disa nga vlerat më të spikatura të trashëgimisë kulturore gjermane në fushën e ë arkitekturës, muzikës, letërsisë, trashegimisë popullore gojore, si edhe të traditës së gatimeve gjermane, një pjesë të tyre ai i përshkruan në këngën e IX-të XX te poemës.

Nga Këlni ishim nisur në orën tetë,
më tre në Hagen, patëm sosur.
Karroca u ndal te Sheshi i Tregut
ish tamam vakt për tu drekosur.
U shtrua sofra. Dhe gjeta aty
të vjetrat gjellë gjermanike.
Të përshëndes, moj lakërarme,
me erëzat e tua nazike!
Gështenja brenda në lakër të zezë!
Kjo gjellë nënën ç'më kujton!
Dhe ti, merluc, sa i meçur më dukesh,
kur në gjalpë i skuqur noton!
Ç'do zemër e ndjeshme atdheun
e ka të shtrenjtë përherë
dhe unë s'kam si mos e pëlqej
pataten dhe vezën e zier!
Qysh brohorisnin suzhukët në sallo!
Mëllenjat, me musht molle të gatuar,
qysh cicëronin gjithë mall:
"Sa mirë që për ne prapë je kujtuar!"
"Mirë se erdhe, vendali!" më thoshin,
"Ku humbe tërë këta vjet?
Me shpend të huaj u harlise,
Ndopak ndërgjegjja a të vret?"
Në sofër ish edhe një bibë,
krijesë e butë dhe e qetë.
Ajo më kish dashur ndoshta dikur
të rinj kur ishim dhe kokëshkretë.
Plot nënkuptime sytë m'i kish qepur,
kish mall ndër to dhe pika lot!
Dhe shpirtin pa dyshim e kish të ndjeshëm
por mish i saj nuk hahej dot!
Na sollën dhe një kokë derri,
e kishin vënë në tepsi.
Te ne ende u fusin gjeth dafine
gjithë derrave në noçkë si stoli

E shqipëroi: Robert Shvarc (1932-2003)

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.