Gjonomadhë e Gjatollinj – Mitrush Kuteli

Rrinin tani ballë për ballë: ajo si e nusëruar, me duart grusht nën gjinjë, ai si i dhëndëruar, me duart varur. Era u forcua e më shumë, përkulte sa ment përthyente grynjat e derës së gjonomadhëve e grynjat e asaj të Gjatollinjve, pothuaj i bashkonte, i gërshetonte. E si rrinin kështu papritur Sefedini bëri buzën në gaz, sepse tha me mendt e tija: “Pse s’është këtu nëna e madhe, ta pyesja në i pëlqen të marr nuse të bijën e Nure Gjatolliut? Ajo desh të më martonte.” Cicëriu një zog i vogël në grynjat, pastaj edhe një tjetër; ju përgjegjën shumë zogj të tjerë nga drizat, nga pemët, nga qielli. Edhe Nurija e Nures, padashur, buri buzën në gas. Vetëm atëhere Sefedini vuri re se e bija e Nures kish gropëza në të dy faqet. Dhe sa lezet i kish kur vinte buzën në gaz! Në atë çast, në qoftë se ajo do të kishte nxjerrë koburen nga gjinjtë e do të matej t’i binte, Sefedini nuk do të kish lojtur nga vendi, po do ta kish pritur plumbin i gëzuar, do të kish vdekur i gëzuar. Nga dora e saj, vetëm nga dora e saj! Sepse vdekja është e ëmbël kur vjen nga dora e asaj që ti e do mbi të gjitha.

Aty për aty, Sefedini u err pak e tha me zë të dhimbsur:

-Po të jetë puna për të shuar e për të mbyllur derën, mund të shuhemi e ta mbyllim lehtë të dy palët. Marr njëqind burra, nga ata që i kam nën urdhër, zbres poshtë, në Shëmërtinë tuaj, e nuk le gur mbi gur. I lag të gjithë me gjak.

Ngriti zërin e shtoi me tingull të përzëmërt, të butë (prapë zëri i Gjonomadhëve që, siç thoshin të gjithë, ishte bar për plagë):

-Dëgjo, Nurije (dhe zëri ju drodh kur ja shqiptoi emrin). Unë s’dua të shuhet as fisi im, as juaji. Dua të rrojmë edhe ne, të rroni edhe ju. Mjaft gjak u derdh më kot këtu ku jemi, ne Guri i Pjetëkalit, rreth e qark.

Nurija ja ktheu:

-A nuk ikën tani, o djalë? Se ta dish, po ardhi selmani, të vrt në vend, ja, për këtë bukë! – dhe hapi të dy pëllëmbët mbi halat e kallinjve të njomë.

-Mirë – tha Sefedini. – Meqë ti po më përzë, unë do të shkoj.

Dhe bëri t’ja merrte nga kish ardhur.

-Jo andje! – i thirri Nurija e trembur. – Mos shko andej! Nuk dua të shkosh andej! Mos!

Zëri i Nurijes dukej i trembur, i njomur me lot. Shtoi:

-Merrja këtej poshtë, nëpër vragë – dhe i tregoi me dorë një vragë në anën e kundërt.

Sefedini diç kuptoi, si nëpër tym, ngriti pëllëmbën e fërkoi sytë, shikoi rrotull, gjer larg, vuri dorën në brez, i hodhi një vështrim lamtumire e mirënjohjeje Nurijes dhe ja mori andej, vragës që i kish treguar ajo.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.