Guy de Maupassant – Tregtari shëtitës

Sa kujtime të shkurtra, vogëlsira, takime, drama mallëngjenjëse, të veçanta, ka supozuar mendja jonë e re dhe ende injorante, varg çudirash që e drejtojnë atë dal nga dal në njohjen e së vërtetës së trishtuar.

Në çdo rast, kur më parë, më shfaqeshin të tilla nëpër ëndrrat e gjata e zbavitëse, që më tërhiqnin nëpër rrugët ku bridhja me shpirt endacaku për të gjetur fatin , gjeja kohë pas kohe vogëlsira, ndodhi të moçme të gëzuara apo të trishtuara që ngriheshin përpara përfytyrimit tim, sikurse dalin pa pritur zogjtë e trëmbur nga ndonjë ferrë.

Këtë verë, unë u ndodha një herë në një rrugë të Savojës, e cila dominon gjithë bregun e djathtë të liqenit Burzhe, me shikim soditës mbi atë sipërfaqe të ujit vezulluës e të kaltër, një e kaltër e veçantë e zbehtë, mbushur me xixëllima nga dielli në perëndim. Ndjenja në zemrën time të më turbullonte mallëngjimin që gjithënjë e kam provuar qysh në fëmini sa herë shihja sipërfaqen e liqeneve, lumenjve apo detit. Në bregun tjetër të pllakës së gjërë të ujit të liqenit që nuk i dukeshin skajet e që njeri humbiste drejt Rodono- s, ndërsa tjetri drejt Burzhet- it, ngrihej një mal i lartë e i dhëmbëzuar si një kreshte deri në majën e Dhëmbit të Maçokut. Në të dy anët e rrugës, hardhitë vareshin nga njëra peme në tjetrën dhe me dendësinë e gjetheve të tyre mbulonin drurët e hollë ku mbështeteshin duke u shtrirë nëpër fushë me kurorat e tyre jeshile, të verdha e të kuqurreme, të mbushura plot vile me rrush të zi.

Rruga ishte e shkretë, e mbuluar me një pluhur të bardhë. Papritmas, një burrë doli nga pylli me drurë të lartë që rrethonte fshatin e Shën të Pafajshmit. I kërrusur nga pesha e një thesi qe mbante në kurris dhe i mbeshtetur në një shkop, po vinte drejt meje. Kur më ardhi më pranë, mu duk se ishte një tregëtar shëtitës, një nga ata tregëtarët që shesin nëpër fshatra shtëpi me shtëpi kinkalerira me një çmim të lirë. Në çast më erdhi ndër mend një kujtim shumë i largët, ai i një takimi që pata me një të tillë, një natë në një vend midis Argenteolit dhe Parisit, kur isha rreth njëzetepese vjeç.

Në atë kohë, lumtëria ime më e madhe ishte të vozitja me barkë. Unë kisha një dhomë pranë një mejhane në Argentoil dhe çdo mbrëmje, merrja trenin e nëpunësave,- një tren i gjatë e i ngadaltë-, që ndalej stacion më stacion për të lënë turmat e njerëzve që mbartinin ngarkesa të vogla, njerëz barkalecë e të ngathët me veshjet e zhubrosura nga ndenjëset e zyrave. Ky tren, ku unë nuhatja arromën e zyrave, të dosjeve jeshile e të letrës, më çonte në Argentuil. Barka ime më priste e gatëshme për të rrëshqitur në ujë dhe unë duke e ngarë atë me forcën e lëvizjes së rremave, shkoja dhe darkoja në Bezon ose në Katon, shpesh herë dhe në Epinay apo në Sant –Uen. Mandej kthehesha, vendosja në vend varkën time dhe nisesha më këmbë për në Paris atëhere kur hënën e kisha mbi kokë.

Një mbrëmje pra, në rrugën e bardhë, para meje ecte një burrë me një peshë në kurriz. Eh! Gati çdo herë unë takoja të tillë udhëtarë të natës përqark Parisit, që i frikësonin shumë borgjezët që ktheheshin von për në shtëpi. Ky njeri ecte para meje ngadalë, i kërrusur nga një thes që mbartte me vete. Unë arrita pranë tij me hapa të shpejtë dhe që trokisnin në rrugë. Në çast ai u ndal, u kthye nga unë dhe kur pa që unë po i afrohesha gjithënjë e më shumë, u hodh nga ana tjetër e rrugës e kur kaperxeu matanë më thirri:

– Oh! Mirëmbrëma zotëri.

– Mirëmbrëma or mik, – i a ktheva unë. Kurse ai vazhdoi:

– Shkoni shumë larg?

– Shkoj për në Paris.

– Do të arrini shpejt se ecni me hap të mirë; unë jam shumë i ngarkuar dhe nuk mund të ec aq shpejt.

Unë e ngadalësova hapin

’’Pse më foli ky njeri? Çfarë mbartte ai me këtë thes të rëndë?’’, pyesja vetveten. Kundravajtje të pa qarta e të dyshimta më shkuan nëpër mendje dhe u bëra kurioz. Të dhënat e kronikave të gazetave dëshmonin e tregonin shumë çdo mëngjez, ndodhira nga më të ndryshmet pikërisht në të njëjtin vend, në Gadishullin e Gennevilliers, ndonjë dhe mund të ishte e vërtetë. Nuk sajoheshin ashtu kot vetëm për të argëtuar lexuesit e të mbusheshin gjithë ato kollona kur dhe vargu i krimeve dhe arrestimeve ishte i pa fund.

Ndërkohë, zëri i këti burri ngjante më shumë i frikshëm se sa guximtar dhe mënyra e të ecurit të tij deri pak para ishte shumë më e matur se sa agresive. Nga vendi ku ndodhesha e pyeta:

– Ju, do të shkoni larg?

– Shkoj për në Asnieres.

– Eshtë vendi yt Asnieres?

– Po zotni, unë me profesion jam tregëtar shëtitë dhe banoj në Asnieres.

E lashë rrugën anësore ku ditën ecin këmbësoret nën hijen e pemëve dhe u hodha më në qendër. Ai gjithashtu u afrua dhe unë u bëra më tutje. Shiheshim herë pas here më sy dyshus dhe duke mbajtur shkopinjtë në dorë. Kur u gjenda mjaft afër tij u sigurova sepse ai më pyeti:

– Nuk mund të ecni pak më ngadalë?

– Pse? – e pyeta.

– Sepse nuk e pëlqej udhëtimin në këtë rrugë gjatë natës. Unë mbart mall mbi shpine dhe është më mirë të jesh dy vetë se i vetëm. Mbrohen me mirë dy burra kur janë bashkë.

E ndjeva që ai thosh të vërtetën dhe se kishte frikë. Iu binda dëshirës së tij dhe fillova të ecja përbri me këtë të panjohur në orën një pas mesnate në rrugën që shkon nga Argentuil për në Asnieres.

– Pse kthehesh kaq von kur e di që ka rreziqe? , – e pyeta të pranishmin.

Dhe ai më tregoi historin e vet.

Nuk kish menduar të kthehej në shtëpi atë mbrëmje sepse kishte dalë atë mëngjez me mall të mjaftushem për disa dite. Por, shitja i kishte shkuar shumë mbarë dhe ai kish qënë i detyruar të kthehej shpejt në shtëpi për t’u shpënë të nesërmen sendet atyre qe u kish dhënë fjalën. Më tregoi me një kënaqësi të vërtetë se tregëtia i shkonte shumë mirë dhe se manovronte në një mënyrë të tillë që shiste kinkaleri të shumta por nuk ishte e mundur t’i merrte të gjitha me vete. Mandej shtoi:

– Kam një dyqan në Asnieres, e drejton ime shoqe.

– Ah! Jeni i martuar, – e pyeta?

– Po zotëri, – më tha, – qysh prej pesëmbëdhjetë muajsh. Jam martuar me një grua dashamirëse dhe ajo do të çuditet kur të më shohë që u ktheva, se unë asnjëherë nuk kthehem natën.

Pastaj më tregoi për martesën e tij. Ai e donte shumë atë vajzë te re qysh prej dy vjetësh, por ajo kish qënë nëpunëse një pjesë kohe dhe ai e priti. Ndër kohe, qysh në moshë të njomë gati fëmijë, ajo kish një dyqan në një qoshe të një rruge ku shiste nga të gjitha: rripa, kordele, lule në stinën e verës e sidomos tokëza për këpuce që preferoheshin shumë si dhe mjaft kinkaleri të tjera për të cilat kishte eskluzivitetin, sepse e ndihmonte dhe e favorizonte një fabrikant.

Në Asnieres ajo ishte e njohur me emrin Blutte- ja, dhe e quanin kështu sepse vishej pothuajse nga herë me veshje ngjyrë blu. Ajo fitonte shumë sepse ishte shumë e kujdesëshme në tregëtine e saj. Këto kohë dukej si e sëmure. Ai besonte se ishte shtatzëne por nuk ishte i mirësigurt. Tregëtia e tyre ecte mirë. Ai pothuajse gjithënjë udhëtonte, bile për të reklamuar të gjitha kinkaleritë e tij shpesh shkonte edhe në lokalitetet fqinje. Ishte një lloj reklamuesi dhe shitësi endacak për disa indrustrialistë por ndër kohe punonte dhe për vete.

– Po ju çfarë bëni? – më pyeti.

Unë i sajova një farë historie. I tregova se zotëroja në Argentoil një barkë me vela dhe dy barka gare. Shkoja çdo mbrëmje stërvitesha me barkat me lopata dhe bëja gjimnastike. Shpesh herë kthehesha më këmbë për në Paris, ku ushtroja një profesion që besoja se do të më jepte shume fitime. Pas kësaj që i tregova ai me tha:

– Djall o punë, po të kisha unë gjysmat tuaja nuk do ta kaloja kohën duke bredhur nëpër rrugë kështu si këtë natë. Nuk je i sigurt asnjëherë.

Ai më shihte vjedhurazi dhe unë mundohesha të bindesha në se nuk kisha të bëja me një keqbërës shumë dinak dhe se vërtet nuk desh të bridhte pas rreziqeve të pa dobishme. Por ai më siguroi duke më murmuritur:

– Te ecim pak më ngadalë, po qe se nuk mërzitesh. Eshtë i rëndë thesi im.

Pas pak u dukën shtëpitë e bardha të Asnieres.

– Ja, pothuajse arritëm, – tha ai. Ne nuk flemë tek dyqani që natën e ruajmë me një qen që vlen sa për katër burra dhe për më tepër se banesat ndonse më të mira janë dhe të shtrënjta në qendër të qytetit. Po dëgjoni zotëri. Ju me kini bërë një shërbim të madh sepse nuk do të isha i qetë me thesin tim gjatë rrugës. Unë rrallë herë udhëtoj natën. Ejani në shtëpine time të pini një gotë verë të mirë në shoqërine e gruas sime në se ajo do të jetë zgjuar. E ka gjumin shumë të rëndë dhe nuk i pëlqen ta zgjojnë kur e ka zënë gjumi. Mbasandaj, kur të lë thesin, unë nuk do të kem frikë dhe do t’u shoqëroj deri në të dalë të qytetit me shkopin tim.

Unë nuk pranova, ai ngulmoi. Unë ngula këmbë të mos kthehesha, por ai ngulmoi me shumë zell dhe me një fare dëshpërimi të sinqertë me një shprehje dëshpëruse duke mu lutur e duke më thënë“ në se mos dashja vinte nga që nuk desha të pija me një njeri si ai „. Pranova dhe ai më drejtoi nëpër një rrugë të shkretë në një nga ato shtëpitë e shëmtuara që formojnë lagjet në rrethinat e qytetit. Përpara asaj banese unë shtanga. Ajo barakë e lartë e shëmtuar kishte pamjen e një strehe vagabondesh, të një kazerme të banditëve të periferisë. Ai më la të kaloja përpara mbasi kishte shtyrë portën që nuk ishte e mbyllur. Më drejtonte me dorën që më kish vënë në shpatull, në një errësirë të plotë drejt një shkalle që unë kërkoja me këmbe e me duar, se mu kujtua rënia njëherë në një vrimë qilari dhe atë frike e pata trashëguar. Kur kisha gjetur shkallën e parë më tha:

– Ngjitu lart, është në katin e gjashtë.

Duke kërkuar në xhepin tim gjeta një kuti me shkrepse. Ndeza një dhe munda të kthjelloj pak ngjitjen në shkalle. Ai më ndiqte duke gulçuar nën thesin e tij e duke përsëritur.

– Është më lart, është më lart.

Kur arritëm në kulmin e shtëpisë, ai kërkoi kyçin e derës të lidhur me një spango në të brëndëshmet e veshjes së tij, pastaj hapi derën dhe më futi brënda. Ishte një dhomë e lyer me gëlqere, me nje tavolinë mesi, gjashtë karrige dhe një dollap të mbështetur pas murit.

– Po shkoj të zgjoj time shoqe, – tha ai, pastaj do të zbrez në qilar të kërkoj verë se këtu nuk mbajmë.

U afrua në një nga të dy dyert që të çonin në dhomën e parë dhe thirri:

– Bluete! Bluete!

Blueteja nuk përgjigjej. Ai thirri më fort : “Bluete!, Bluete! ”, pastaj duke goditur me grush murmuriti:”Zgjohu de, dreq o punë. ”Priti duke afruar veshin tek vrima e kyçit, pastaj vazhdoi me qetësi:

– ”Bah, duhet lënë të flerë në se është në gjumë. Unë po shkoj të kërkoj verë, më prisni dy minuta. ”

U ula i bindur., po ç’kisha ardhur të bëja aty? .

Pa pritur u trondita sepse në dhomën e gruas dëgjoheshin ca zëra të mbytur dhe lëvizje që bëheshin ngadalë e gati pa zhurmë. Dreq o punë! Mos kisha rënë në ndonjë grackë? Si nuk ishte zgjuar kjo Blueta me zhurmën që kish bërë i shoqi, me thirrjet dhe goditjet që i kish dhënë derës? Mos ndoshta ishin sinjale që u jepeshin bashkëpunëtorëve: “është një mëllënjë në gracke. Unë po shkoj të ruaj derën, tani është tuaja”? Ndërkohë, zhurma brënda po shtohej gjithënjë e më shumë, u dëgjua brava e derës, dikush po rrotullonte çelsin.

Zemra filloi të më trokiste më fort. U tërhoqa deri në fund të dhomës duke i thënë vetes ”do të mbrohem”, dhe duke kapur me të dy duart një karrige u përgatita për një betejë të dëshpëruar.

Dera u hap për gjysmë, një dorë u çfaq dhe pastaj një kokë; ishte një kokë burri e mbuluar me një kapele të rumbullakët prej tirku që rrëshqiti nëpër derë e nëpër mur dhe pashë dy sy që më vrojtuan, pastaj një njeri qe iku shpej sa që unë nuk pata kohë për të bërë lëvizje mbrojtjeje. Personi, keqbërësi i paparashikuar, ishte një djalosh i gjatë, me këmbë të zbathura, gjysëm i zhveshur nga nxitimi, pa kravatë e me këpucet në dorë, një djalosh i pashëm sipas meje, një farë zotnije që kërceu drejt daljes dhe u zhduk nëpër shkalle.

U ula. Aventura qesharake kish mbaruar dhe unë tani prisja burrin që ish vonuar mjaft për të gjetur verën që kërkonte. Më në fund u dëgjua që të ngjitej nëpër shkallë dhe zhurma e hapave të tij më bënte te qeshja, siç të qeshet ndonjëherë në vetmi dhe nuk e ndal dot. Hyri duke sjellë dy shishe dhe më pyeti:

– Ime shoqe fle akoma.? Afroi me nxitim veshin tek dera por e dërmoi dhe thirri rrishtas:

– Paolina!

Ajo nuk u përgjegj as nuk lëvizi, atëhere ai u kthye nga unë duke më thënë:

– E shihni? Ajo është nga ato që nuk i pëlqen që unë të kthehem natën për të pirë një gotë me ndonjë mik. Pra ju besoni që ajo nuk fle?

– Sigurisht që nuk fle më, – i thashë.

Mori një pamje pakënaqësie.

– E mirë, të pimë, – tha, – dhe manifestoi shpejt dëshirën për t’i boshatisur të dy shishet njërën pas tjetrës ashtu qetë, qetë. Kësaj here mu duk më energjik. Piva një gote me të dhe u çova. Ai nuk tha më për të më shoqëruar dhe duke më parë me sy të irituar, me një pamje të një burri pjesëtar i një populli të tërbuar e të shëmtuar tek i cili dremit egërsia, shkoi tek dera e gruas së tij dhe murmuriti.

– Eshtë e nevojshme më mire ta hap kur ju të jeni larguar.

Unë e sodita këtë frikacak që ishte bërë i xhindosur pa e ditur përse, ndoshta për ndonjë parandjenjë të pa qartë apo të një instikti të mashkullit të mashtruar që i urrente dyert e mbyllura. Ai më pati folur për të me mallëngjim, tashti sigurisht ishte goditur. Bërtiti edhe një herë duke tronditur derën.

– Paolina!

– E mirë, çfarë do? – e pyeti ajo nga brenda.

– Ti nuk më ke dëgjuar kur u ktheva?

– Jo, flija, më lerë të qetë.

– Hape.

– Kur jam vetëm nuk më pëlqen të më sjellesh njerëz natën në shtëpi për të pirë.

Pas kësaj unë u largova duke u penguar nëpër shkalle si ai tjetri pak më parë që këtu kish qënë bashkëveprues. E duke rimarë rrugën për në Paris, mendoja se kisha parë në atë fole minjsh një skenë të një drame, të një prej atyre dramave të përherëshme që zhvillohen çdo ditë në të gjitha mënyrat, kudo në botë.

 

 

Përkthyer nga Kristaq Kotonika

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.