HAJNRIH BËL – PESHORJA E FAMILJES BALEK

Në vendlindjen e gjyshit tim, njerëzit merreshin kryesisht me rrahjen e lirit dhe fitonin me këtë bukën e gojës. Gjatë pesë brezave, ata thithën pluhurin që ngrihej lart nga këcenjtë e bluar dhe helmoheshin pak e nga pak prej tij.
Kur ktheheshin fëmijët nga shkolla, qëllonte që shkonin në pyll dhe mblidhnin kërpudha dhe barëra.
Pyjet ishin pronë e familjes Balek; edhe fabrikat e lirit ishin pronë e tyre. Në fshatin e gjyshit tim ishte kështjella e Balekëve, dhe gruaja e çdo kryetari familjeje të Balekëve kishte, pranë kuzhinës një dhomë të vogël, ku peshoheshin e paguheshin kërpudhat, barërat dhe lulet. Atje, mbi një tryezë, Balekët kishin një peshore të madhe – një peshore të vjetër, të lyer me bojë ari, një peshore para së cilës edhe gjyshërit e gjyshit tim qëndronin në këmbë, duke mbajtur në duart e tyre të ndyta prej fëmijësh shporta plot me kërpudha, paketa me lule, dhe që shikonin me kujdes se sa drehem do t’i duheshin frau Balekut, në mënyrë që akrepi i lëkundur të qëndronte pikërisht te vija e zezë, tek ajo vijëz e hollë e drejtësisë, që duhej shënuar çdo vit rishtas. Pastaj, frau Baleku merrte një regjistër të madh me kapak meshini bojë kafe, shënonte në të peshën dhe paguante paratë – pfeningë ose solda dhe shumë, shumë rrallë ndonjë mark. Dhe, kur gjyshi im kishte qenë ende fëmijë, atje kish patur një kuti të madhe me sheqerka të athëta, nga ato që kushtonin një mark kilogrami kur frau Baleku, që drejtonte atëherë punët e dhomës fuste nganjëherë dorën në atë kuti dhe i jepte secilit një bonbone, fytyrat e fëmijëve çeleshin nga gëzimi, ashtu sikundër çeleshin kur nëna, me rastin e festave të mëdha, u hidhte në gotat e kafes ca qumësht, prej të cilit kafja merrte një ngjyrë përherë e më të çelur, gjersa zbardhëllehej, si gërshetat e vajzave flokëverdha.
Një ligj i familjes Balek, sipas të cilit jetonte fshati, thoshte: Askujt nuk i lejohet të mbajë peshore në shtëpi. Ky ligj ishte aq i vjetër saqë asnjeri nuk dinte sesi dhe kur kish dalë ai: ai ligj duhej respektuar patjetër, sepse shkelësit e tij dënoheshin nga fabrika dhe atyre nuk u pranoheshin më as kërpudhat, as barërat e lulet dhe Balekët ishin njerëz aq të fuqishëm, saqë edhe në fshatrat rreth e përqark askush nuk e merrte shkelësin në punë, askush nuk i blinte barëra pylli.
Im gjysh qe i pari që guxoi të kontrollonte drejtësinë e Balekëve, të atyre që jetonin në kështjellë, që kishin dy karroca të bukura, dhe të cilëve, me rastin e vitit të ri, 1900, Kaizeri u dha një titull fisnikërie.
Gjyshi im kishte qenë një djalë i zgjuar dhe i zellshëm; ai futej thellë në pyll dhe shkonte më larg se gjithë fëmijët e tjerë; futej gjer atje ku, sipas gojëdhënës banonte Bilgani – një gjigant që mbronte thesarin e Balderëve. Por gjyshi im nuk kish frikë nga Bilgani; ai hynte thellë në pyll dhe, që në moshë të njomë, mblidhte një mori kërpudhash; nganjëherë gjente bile edhe disa lloj kërpudhash të rralla, që frau Baleku i blente me nga 60 pfeningë kilogramin. Pata fletës së kalendarit, im gjysh shënonte gjithshka që u dorëzonte Balekëve: çdo kilogram kërpudha dhe barëra, dhe me shkrimin e tij prej fëmije shënonte aty pranë se sa të holla kishte marrë për to; kështu kish vepruar ai për çdo pfening, që kishte marrë nga mosha 7 gjer në 12 vjeç; dhe kur kish mbushur 12 vjeç, kishte hyrë viti 1900. Me këtë rast, Kaizeri u kishte dhënë Balekëve titullin e fisnikut dhe ata i kishin falur çdo familjeje të fshatit nga 120 gram kafe puro, nga ajo që sillej prej Brazilit.
Kafeja u shpërnda një ditë para festës, në dhomën e vogël, ku qëndronte pothuaj prej njëqind vjetëve peshorja e Balekëve, të cilët: quheshin tani Balekë fon Biltan, meqenëse. sipas një legjende mbi Bilganin kështjella e këtij vigani kishte qenë pikërisht në vendin ku ngriheshin shtëpitë e Balekëve.
Gjyshi im më tregonte shpeshherë se si kish shkuar atje, pasi kish dalë nga shkolla, për të marrë kafen për katër familje: Cehët, Baidlerët, Voolin dhe për familjen e vet – Bryher, Kjo kish ndodhur një natë para festës së Vitit të ri: duheshin stolisur dhomat, duheshin pjekur byrekët dhe për këtë duheshin aktivizuar fëmijët, duke i dërguar në kështjellë për të marrë 120 gram kafe.
Dhe ja, im gjysh kish ndenjur në dhomë, në një fron të vogël prej druri, dhe po priste që Gertruda, shërbëtorja, t’i jepte paketat e gatshme me nga 120 gram kafe secila, katër paketa, dhe rrinte duke shikuar peshoren, në pjatën e majtë të së cilës ishte një peshë prej një gjysmë kilogrami. Frau Baleku ishte i zënë me përgatitjet e festës. Dhe ja, kur Gertruda desh t’i jepte tim gjyshi një sheqerkë të athët, befas pa se kutia ishte bosh: kutia mbushej një herë në vit, dhe në të futej një kilogram sheqerka, nga ato që kushtonin nga një mark kilogrami.
Gertruda ja plasi gazit dhe tha: «Prit se do të sjell të tjera», dhe im gjysh, me katër paketa kafe, të mbështjella me ambalazh fabrike, me nga 120 gram secila, kish qëndruar përpara peshores, ku njëri kishte harruar një peshë gjysmë kilogramësh; atëherë gjyshi mori katër paketat e kafes dhe i vuri në pjatën e zbrazët të peshores, dhe zemra e tij filloi të rrihte fort, kur pa se akrepi i zi i drejtësisë kaloi nga e majta e vizës; pjata me peshën gjysmë kilogramësh mbeti poshtë, kurse gjysmë kilogrami i kafes u ngrit mjaft lart; zemra filloi t’i rrihte më fort se sa në pyll, atëherë kur ai i fshehur prapa një gëmushe, priste viganin Bilgan: atëherë nxori nga xhepi disa gurë të vegjël, që i mbante gjithnjë me vete, për të vrarë me llastik harabelat, që fluturonin mbi lakrat që kish mbjellë nëna e tij – ju desh të vinte tre, katër, pesë gurë të vegjël pranë katër paketave të kafes, në mënyrë që pjata me peshën gjysmë kilogramëshe të ngrihej lart dhe akrepi të qëndronte, më në fund, pikërisht nën vizën e zezë. Gjyshi im hoqi nga peshorja kafen, i mbështolli gurët në një shami, dhe kur erdhi Gertruda me një qese të madhe prej një kilogrami (të mbushur me bombona të athëta, që duhej të mjaftonin përsëri për një vit të tërë, në mënyrë që të çeleshin fytyrat e fëmijëve) dhe i hodhi bombonat në kuti, djali i vogël dhe i zbetë po qëndronte aty pranë, dhe dukej sikur asgjë nuk kishte ndryshuar. Im gjysh mori vetëm tri paketa, dhe Gertruda pa plot habi dhe frikë se djali, i zbetë, e hodhi sheqerkën e athët përdhe, e shtypi me këmbë dhe tha: «Dua të bisedoj me frau Balekun».
«Balek fon Bilgan», – e korrigjoi Gertruda.
«Mirë, Balek fon Bilgan». Por Gertruda qeshi me të, dhe ai u kthye në mes të errësirës në fshat, u shpuri kafen Cehëve, Vaidlerëve, Voolit dhe, pasi tha në shtëpi që kish për të shkuar te prifti, doli jashtë.
Por ai doli jashtë, në errësirën e natës, me të pesë gurët e tij të mbledhur në shami. Ju desh të ecte një copë herë të gjatë, për të gjetur ndonjë njeri që kishte peshore, ndonjë njeri që ishte i lejuar të mbante peshore. Ai dinte që në fshatrat Blaugau dhe Bernau nuk kishte asnjeri peshore, prandaj, pa u ndalur fare, vazhdoi rrugën. Vetëm pas dy orësh arriti në qytetin e vogël Dilhajm, ku banonte farmacisti Hening.
«Jo, nuk kam ardhur për ndonjë ilaç, desha vetëm…» «Gjyshi hapi shaminë, nxori të pesë gurët dhe ja zgjati Heningut, duke thënë: «Desha t’i peshoj pak këta». Vështroi tërë frikë Heningun, por, kur pa se ky nuk u përgjigj fare, nuk u zemërua dhe nuk pyeti për asgjë, im gjysh tha: «Kjo është ajo që i mungon drejtësisë», – dhe atëherë, në atë dhomë të ngrohtë, gjyshi ndjeu se i ishin lagur këmbët. Dëbora i kish hyrë nga këpucët; në pyll dëbora i kish rënë përsipër nga degët dhe tani ishte shkrirë; ai ishte i lodhur dhe i uritur, dhe befas ja dha të qarit sepse kuptoi që kishte humbur shumë kërpudha, barëra e lule; ato ishin peshuar në një peshore, së cilës i mungonin pesë gurë për të arritur kufirin e drejtësisë. Dhe kur Heningu, duke tundur kokën dhe duke mbajtur në dorë të pesë gurët, thirri të shoqen, im gjysh mendoi për prindërit e tij, për të parët e tij dhe përfytyroi një peshore të madhe të padrejtësisë; pasi u nxeh e qau më shumë se përpara, u ul pa marrë leje në një karrige në dhomën e Heningut, ju hodhi një vështrim petullave dhe një filxhani me kafe të nxehtë, që frau Heningu, një grua trashaluqe, ja vuri përpara, dhe pushoi së qari, vetëm kur u kthye Heningu nga dyqani dhe i tha së shoqes me ngadalë, duke i hedhur gurriçkat në pëllëmbën e dorës: «Pesëdhjetë e pesë gram… plot».
Im gjysh u kthye përmes pyllit. Arriti pas dy orësh në shtëpi. Në shtëpi e qortuan rëndë, por ai heshti, dhe kur e pyetën për punën e kafes, ai nuk tha asnjë fjalë, por ndenji gjithë ditën duke bërë llogarira në fletushkën e tij, ku ishte shënuar gjithshka që ai i kish dhënë frau Balekut. Kur në mesnatë, sahati i madh i kështjellës ra 12, nga kështjella u dëgjuan krisma topi, dhe në gjithë fshatin shpërthyen britma e daulle; kur gjithë familja u puth e u përqafua, ai tha pastaj, në qetësinë që mbretëroi në dhomë, me rastin e Vitit të ri: «Balekët më detyrohen 18 marka dhe 32 pfening», Dhe përsëri mendoi për fëmijët e fshatit, mendoi për vëllain e tij, Fricin, që mblidhte plot kërpudha, mendoi për të motrën e tij Ludmilën, për qindra fëmijë që mblidhnin për Balekët kërpudha, barëra dhe lule, por kësaj radhe nuk qau, vetëm se u tregoi prindërve, vëllait dhe motrave atë që kish zbuluar.
Kur ditën e parë të vitit të ri, Balekët fon Bilgan vajtën në kishë për të dëgjuar meshën dhe stema e tyre e re, e blertë, që paraqiste një vigan që rrinte ulur nën një pishë, spikaste në karrocën e tyre, ata panë fytyra të zbehta e të ashpra njerëzish dhe sy që ishin mbërthyer mbi ta. Ata prisnin të gjenin në fshat kurora me lule, të dëgjonin në mëngjes serenata dhe përshëndetje, me rastin e krishtlindjeve, por, kur kaluan përmes fshatit, patën përshtypjen se ky ishte i vdekur dhe fytyrat e zbehta në kishë ishin drejtuar nga ata, fytyra të heshtura dhe armiqësore. Pastaj, kur hypi prifti në tribunë për të mbajtur fjalën e zakonshme, me rastin e festës, ai e ndjeu ftohtësirën e atyre fytyrave, që zakonisht ishin të qeta e të qeshura dhe, pasi e mblodhi shuk fletën ku ishte shkruar fjalimi, u kthye i djersitur tek altari; kur dolën Balekët nga kisha, pasi mbaroi mesha, kaluan përmes një rreshti fytyrash të heshtura e të zbehta. Por zonja e re, Balek fon Bilgan qëndroi përpara, pranë frenave të fëmijëve, kërkoj me sy fytyrën e tim gjyshi, të vogëlushit të zbetë Franc Bryher, dhe pyeti në mes të kishës: «Pse nuk e more kafen për nënën tënde?- Atëherë im gjysh u ngrit e tha: «Nuk: e mora, sepse ju më detyroheni edhe aq para sa bëjnë pesë kilogram kafe». Dhe ai nxori nga xhepi pesë guriçkat, ja zgjati asaj zonje të re dhe tha: «Ja, se sa, 55 gram për një gjysmë kilogrami peshë – kaq i mungon drejtësisë suaj».
Në kohën që Balekët ndodheshin në kishë, Vilhelm Vooli, një gjahtar, kishte hyrë në dhomën e vogël, kish marrë peshoren bashkë me regjistrin e madh me kapak rneshini, ku ishte shënuar çdo kilogram kërpudha, çdo kilogram luleje, që kishin blerë Balekët në fshat, dhe gjithë ditën e parë të vitit të ri burrat ndenjën në dhomën e stërgjyshërve të mi. dhe llogaritën, stërllogaritën çdo gram që kishin shitur, por, kur llogaria e tyre arriti në disa mijëra talera dhe akoma nuk kishte përfunduar, befas erdhën xhandarët, duke qëlluar me armë dhe duke përdorur bajonetat; ata u futën në dhomën e stërgjyshit tim dhe muarën me forcë peshoren, bashkë me regjistrin. Me këtë rast, vranë motrën e tim gjyshi, vogëlushen Ludmila, plagosën disa të tjerë, por Vooli vrau me thikë njërin prej xhandarëve.
Kështu ngriti krye jo vetëm fshati ynë, por edhe fshatrat Blaugau dhe Bernau, dhe pothuajse gjatë gjithë një jave nuk punoi asnjëri në fabrikat e lirit. Mirëpo ja behën një numër i madh xhandarësh, të cilët ju kërcënuan burrave e grave me burgosje, dhe Balekët e ngarkuan priftin të kontrollonte botërisht peshoren në shkollën e fshatit dhe të provonte se akrepi i drejtësisë nuk bënte asnjë mashtrim Atëherë burrat e gratë nisën përsëri nga puna në fabrikën e lirit.
Prindërit e tim gjyshi u detyruan të largoheshin nga fshati, të linin varrin e freskët të vajzës së tyre të vogël; ata zunë të thurnin shporta, pa u ngulur për shumë kohë në asnjë vend, sepse nuk mund të shihnin me zemër të qetë sesi i mashtronin kudo njerëzit akrepi i drejtësisë. Ata bridhnin prapa karrocës së tyre me plaçka, që ecte me ngadalë nëpër rrugët e fshatrave; kishin me vete edhe një dhi thatime, dhe njerëzit që kalonin pranë karrocës, dëgjonin nganjëherë se brenda në karrocë dikush këndonte për padrejtësinë. Dhe kush dëshironte të dëgjonte, mund të mësonte historinë e Balek fon Bilganëve, drejtësisë së të cilave i mungonte një e dhjeta pjesë.

Përktheu Eqrem Biba

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.