Hannah Arendt – Universalja kundrejt shkencës së natyrës

Janë dashur shumë breza e disa shekuj derisa kuptimi i vërtetë i revolucionit kopernikian dhe zbulimi i pikës së Arkimedit të dilnin në pah. Vetëm ne,  dhe jo për më shumë se disa dekada, kemi arritur të jetojmë në një botë tërësisht të përcaktuar nga një shkencë e teknologji, e vërteta dhe mjeshtëria praktike e të cilave rrjedhin nga ligje kozmike e universale në daallim nga ligje tokësore e “natyrore” dhe në të cilat dija e përftuar duke zgjedhur një pikë referimi jashtë tokës zbatohet në natyrën tokësore dhe në artifaktin njerëzor. Ekziston një hendek i thellë midis atyre përpara nesh që e dinin se toka rrotullohet rreth diellit, se as e para as i dyti nuk janë qendra e gjithësisë dhe që arritën në përfundimin se njeriu kishte humbur shtëpinë dhe pozitën e tij të privilegjuar në krijim, dhe neve vetë, që ende jemi e ndoshta do të jemi përjetësisht krijesa të lidhura me tokën, të varura nga metabolizmi me një mënyrë tokësore dhe që kemi zbuluar mjetet për të shkaktuar procese me origjinë kozmike e ka të ngjarë edhe të përmasave kozmike. Nëse ndokush dëshiron të heqë një vijë ndarëse midis epokës moderne dhe botës në të cilën kemi mbërritur të jetojmë, ai mund të gjejë fare mirë ndryshimin midis një shkence që e shikon natyrën nga një pikëpamje universale dhe kësisoj përvetëson zotërim të plotë mbi të, nga njëra anë, dhe një shkencë “universale”, nga ana tjetër, e cila importon proceset kozmike në natyrë me gjithë rrezikun e dukshëm të shkatërrimit të saj e bashkë me të edhe zotërimin e njeriut mbi të.

 

Përktheu Stavri Pone

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.