Hipokrozia e njeriut mashkull ndaj njeriut femër!

Unë habitem me hipokrizinë e burrit… me sjelljen e mashkullit- desha të them.
Këtu ku banoj, jetojnë edhe një burrë me të shoqen e vet, nja 38-40 vjeç. Burri ka një nëpunësi të lartë. Sot jam zgjuar herët nga një zhurmë e madhe.
– E pagdhendur, e pabindur! S’kupton fare…, je dru…! Hajde shpejt sillmë këmishën, gravatën. Veni-u bojë këpucëve…
Ja, kështu i fliste burri së shoqes, kurse femra nuk ndihej fare. Natyrisht kishte frikë se mos hante ndonjë shkelmë në bark nga burri trim, prandaj përcillte e qetë çdo xhevahir fjale të të shoqit.
Kjo e britur pa vënd e burrit më la mbresë të madhe dhe nuk di si ta shpjegoj… Po mik! Mbresë të madhe më la, sepse ai burrë, kur shëtit rrugëve, së shoqes ia mban pallton, ia jep fronin për të ndenjur
ajo më parë, e mban në krahun e djathtë, i flet me përkëdhelje e i bën një mijë nderime përpara botës, thua se për gruan e vet ky njeri jep edhe shpirtin. Por ja, brenda i flet me zemërim e rëndë duke i thënë e pagdhendur e duke e urdhëruar në mënyrë shtazore, që t’ia sjelli rrobet, thua se ai eshtë pa duar që t’i marrë vetë…
Kjo sjellje është kudo. Edhe, ja tani, se si po i shikoj njerëzit e kësaj Bote, duke mbajtur në dorë nga një copë kallaj dhe duke kallaisur pa pushim e pa turp njëmendësinë e jetës: bisedat, punët, dhe veprimet e tilla si “Zotëri, zonjë, zonjushe, i nderuar, ju lutem, më falni, urdhëroni” dhe shumë fjalë të tjera të tilla nuk janë gjë tjetër, veçse hipokrizi. Tani po theksoj me zë të lartë se është një hipokrizi e madhe sjellja e njeriut mashkull kundrejt njeriut femër, ndryshe në rruge e
ndryshe në shtëpi.
Të nderosh gruan rrugëve për sy të botës dhe pastaj, ta sundosh atë brenda në shtëpinë tënde, është njësoj sikur të përkëdhelish një bushtër dhe pastaj t’i japish një shkelm. Ja se ku arrin sjellja e njeriut mashkull. Duke e përkëdhelur për sytë e botës ai e shkelmon për sytë e tij njerinë femër! A kësaj duhet t’i themi sjellje e pastër qytetërimi?
Oh, jo! Për mua njëmijë herë jo! Në qoftë se i jep shkelmin gruas brenda në shtëpi, pse nuk është ajo e zonja të të shërbejë ty, atëhere “gostite” me shkelm edhe përpara botës. S’ka pse t’i bësh një mijë
përkëdhelje,…një mijë marrëzira pa vend.
Por, edhe, që nuk duhet t’i japim shkelma gruas, është e vërtetë:
Femra është një krijesë porsi mashkulli, pse ta marrim aq fortë nëpër këmbë? Pse duhet t’i japim nderimin e qenit,…e bushtrës? Pastaj, përpara botës pse t’i bëjmë nderime të ndërlikuara e dyfaqëshe?
Unë jam i mendimit: gruaja është e zonja të nderojë veten e saj dhe te drejtën për çdo gjë shoqërore – jo, jetese! duhet ta ketë këtë të drejtë, pasi është njeri. Sa për nderimet majmunillëke të burrit s’ka pse t’i dojë. Këtë do ta pranoja, në qoftë se isha femër…e jo si tani:
edhe të nderohet siperfaqshëm, edhe të shkelmohet zyrtarisht.
Por ja edhe një gjë tjetër: shkelme- dashuri rinije! Këtu del mosmarrëveshja ime. Një burrë që e dashuron gruan e vet, pse duhet ta shkelmojë? Për një send a për një krijesë, që e shkelmoj a që mund
ta shkelmoj, si do te më shpiket dashuria e pastër?
Femrën, ose duhet ta dashurojmë me dashuri të vërtetë zemre, ose më mirë është të mos e duam fare vetëm e vetëm për seksin e saj e pastaj, kur të na teket, t’i japim shkelmin. Këtë po e them, dashuria e rinisë duhet të jetë e përherëshme e jo e përkohëshme. Por…shkelma e sjellja dyfaqëshe nuk pjellin dhe nuk ushqejnë dashuri zemre!
Femrën nuk duhet ta duam vetëm kur është e re, dua të them: vetëm e vetëm për bukurinë e saj…, por edhe mbasi të venitet kjo bukuri. Vetëm një dashuri të tillë mund ta marr me mend, se mund të
ketë njeriu i dashuruar, por nuk e quaj dhe as mund t’i besoj se ka dashuri rinie njeri, i cili sot e do një femër dhe mot e përbuz, pse ajo…venitet.

-Sterjo Spasse, nga romani “Pse?!”

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.