Histori e grisur në trupin e një gruaje – ADONIS

 Gruaja
(shfaqet me të birin, e vuajtur sikur të kishte
pranë vetëm vdekjen)
Toka që dikur ishte heshtje e gjumë,
ja ku po flet tani,
hap sytë,
përvidhet nën rrobat e mia,
kraharori im pulson me të tijin.
Zgjohem, i kreh flokët,
e kthej fytyrën drejt të shtrenjtit tim.
Rrënjët që shkojnë thellë në këtë tokë,
janë rrënjët e mia.
Uji i Zamzamit rrjedh në damarët e mi
si një gjak tjetër.
Tani universi më është ngujuar në fytyrë:
im bir është një muzg i tërë
në të cilin pjesëtohem,
vëzhgoj një yll, ndjej si dremit
midis krahëve të tij.
Dëshmoj tani se natyra
është gjëja e parë dhe e fundit së cilës i përkas.
(heshtje)
E çfarë iu them tani të parëve të mi?
Është më mirë të mbeten ashtu si janë, vëllezër të yjeve.
Që rropullitë e tyre të këndojnë në kor këngën e natyrës.
Të cilën e sjell në Iside Nili, toka dhe fjalët.
Jo, jam duke përçartur, por
nuk do të jem unë gjahu: dëgjo dhe fshij
fytyrëne Isides e të yjeve. Dhe harroj,
mbi mua vërtiten kupa pa dehje.
E pa gjykim “Këtu kemi arritur,
e Perëndia e ushtarëve iu prin hapave tanë.
Kemi djegur të korrat e tyre, shkatërruar
gjithë çfarë ata kanë ndërtuar,
asgjësuar prejardhjen e tyre brez pas brezi.”
E çfarë t’iu them, tani, të parëve të mi?
Nëse ka në Zot,
vërtet një të vetëm, pse
nuk iu thotë bijve të tij:
jeni të gjithë njëlloj?
E pse iu thotë: vritini këta?
Pse
parapëlqen këtë dhe jo atë? Ia jep këtij
shtëpinë e atij? Dhe e lejon këtë
të sundojë dhe urdhërton atë
të jetë shërbëtor dhe skllav?
Duhej ndoshta, siç përshpërit drita, t’i prekë gjinjtë e mi,
sendin tim, ndërmjet kofshëve,
për të kuptuar të vërtetën e krijimit?
Sytë e mi janë rërë,
fytyra ime është diell
për një Jug që është Veri,
për një Lindje që është perëndim.
Gjinjtë e mi ndoshta janë kënga e parë e pluhurit?
E çfarë është ky krijim?
E çfarë është kjo gjuhë dinake?
Më merr përdore, i dashur, më merr
për të më liruar kështu nga prangat e orbitave të tua.

Perktheu: Skender Bucpapaj

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.