Hyrja e romanit “Shqiperia” – Ben Blushi

shqiperia-arratisje

Zoti dhe Lek Dukagjini

Zoti na ka detyruar të besojmë se njerëzit nuk kanë pse ta zëvendësojnë Zotin. Shumica e njerëzve i janë nënshtruar bindjes se kjo është e pamundur, e frikshme dhe e panevojshme. Edhe Krishti me Muhamedin, as janë përpjekur dhe as kanë guxuar ta zëvendësojnë Zotin.Ata u munduan të bindin popujt se Zoti egziston, se ai është një dhe i padukshëm. Por marrëdhënia e njeriut me Zotin nuk është ndriçuar ende plotësisht.

Ka pasur njerëz që menduan se Zoti, megjithëse egziston, nuk duhet të jetë vetëm një, nuk duhet të jetë i padukshëm dhe prandaj duhet të zëvendësohet. Një njeri që mundi të zëvendësojë Zotin, ishte Lek Dukagjini. Lek Dukagjini ishte shqiptar. Dhe meqë ishte shqiptar ai besonte se të zëvendësonte Zotin do ishte më e lehtë. Jo sepse njerëz të kombeve të tjerë nuk kanë forcën, frymëzimin dhe kurajën për të zëvendësuar Zotin, por sepse shqiptarët, në përgjithësi nuk e besojnë Zotin dhe prandaj me sa duket e kanë më të lehtë të marrin përsipër punët e tij.

Të bëhesh Zot, do të thotë të besosh se Zoti nuk i ka bërë mirë ato që ka marrë përsipër dhe shqiptarët e ushqejnë këtë mendim, ndryshe nga shumë popuj që kanë pasur ditë të lumtura në historinë e tyre, çka ia dedikojnë kryesisht Zotit. Shqiptarët, në të kundërt nuk kanë parë asnjë ditë të bardhë dhe për këtë ata fajësojnë Zotin dhe aspak veten. Por ka njerëz që ngatërrohen kur duan të zëvendësojnë Zotin. Ata e kuptojnë punën e Zotit si një vogëlsi. Disa mendojnë se, duke u bërë Zot do të gjejnë një grua që nuk e kanë pasur, do shtojnë pasurinë e tyre e cila ka qenë e pakët, do fitojnë një punë të mirë dhe të rehatshme, do hakmerren ndaj dikujt që u ka rënë në qafë, apo do të ndikojnë që bagëtitë të shtohen dhe shiu të bjerë sa herë i duhet tokës. Kjo është arsyeja që dështojnë pa pushim, dhe nuk përzgjidhen nga njerëzit e tjerë, për të zëvendësuar Zotin. Por Lek Dukagjini nuk e bëri këtë gabim. Ai nuk donte të ishte Zot për të bërë punë të vogla, por vepra të mëdha.

Ndryshe nga të tjerët, Lek Dukagjini e kuptoi se që të bëhesh Zot duhet që më parë të ndërtosh një vend ku Zoti mund të jetojë.Por sepse shqiptarët besonin se vazhdimisht kishin jetuar në ferr, ai vendosi të ndërtojë një parajsë. Lek Dukagjini nuk donte të bënte një shtëpi, nuk donte të gjente një grua, nuk donte të sillte shiun, nuk donte as të shtonte bagëtitë, ai donte të bënte një shtet.

Dhe meqë ishte shqiptar, i vuri emrin Shqipëri. Kur filloi të ëndërronte për Shqipërinë, Lek Dukagjini mendoi të ndërtonte një shtet i cili nuk kishte asgjë të përbashkët me shtetet që kishte njohur historia, madje nuk kishte asgjë që shtetet e tjera kishin pasur. Me përjashtim të Zotit, që në Shqipëri do ishte ai vetë. Lek Dukagjini vendosi të krijonte shtetin e parë në botë që nuk kishte prona, nuk kishte para, nuk kishte familje, nuk kishte dashuri, prandaj nuk kishte vrasje, vjedhje, varfëri,tradhti dhe mërzi.

 

Per me teper, shikoni: KETU

Librin mund ta gjeni: LINK

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.