Janis Ricos – Poezitë që jetova në trupin tënd në heshtje

I
Gjumë dashuror pas dashurisë. Çarçafë të dirsur
të varur nga shtrati gjer në dysheme. Në gjumë dëgjoj
lumin e furishëm. Ritmi ngadalësohet. Trungje pemësh të mëdha
rrjedhin bashkë me të. Në degët e tyre mijëra zogj
të ngurosur udhëtojnë në një litani të gjatë
uji e gjethesh, të këmbyer nga yjtë. Shkoj dorën
nën gushën tënde lehtësisht, me frikën
mos ndërpres këngën e zogjve në gjumin tënd. Nesër, në orën 10,
kur të hapësh kanatet dhe dielli të dyndet nëpër dhoma
do të duket më qartazi në pasqyrë buza e poshtme e kafshuar
dhe krejt shtëpia do përskuqet, e stërpikur e gjitha
me pendë të arta dhe vargje të gjatë të pambaruar.
II
U ktheve nga tregu duke qeshur, me krahët të mbushura
me bukë, fruta dhe lule. Nëpër flokë, e shoh,
era të ka kaluar gishtat. Nuk e dua erën;
po ta përsërit. Dhe ç’i do gjithë ato lule? Nga cilat më tepër
të bëri dhuratë luleshitësi? E ndoshta mu te pasqyra
e dyqanit të luleve ka mbetur shëmbëlltyra jote e ndriçuar anash
me një njollë të kaltër mbi mjekër. Nuk i dua lulet. Në gjoksin tënd
ka një lule të madhe si një ditë e tërë. Ulu, më mirë, kundruall meje;
dua të vështroj i vetëm gropëzën e gjurit e të tymos
gjersa nata të vijë e pafjalë dhe sipër shtratit tonë të ngrihet, magnetike,
një hënë popullore e së shtunës mbrëma me një violinë, një gërnetë dhe një cule.