John Keats – Zonja e hirshme e pamëshirshme

Ç’brengë ju mundon kalorës amtarë
Si hije pse endeni në vetmi?
Lulnaja ndanë liqenit qenka tharë
Dhe zogjtë nuk pipëtijnë.
Ç’brengë ju mundon kalorës amtarë
Të kallni datën, me fytyrë të nemitur
Qilari me tëmotjet është plot
Dhe të lashtat janë selitur.
Një zambak ju shoh mbi qepallë
Njomur me ankth, shuar me vesë
Në faqe, një trëndafil të rrallë
I fishkur krejt dhe i pashpresë.
Një zonjë takova nëpër bjeshkë
Si zanë përrallash, e bukur ish
Me flokë të gjatë e këmbë të lehtë
Sytë llahtar të bukur i kish.
Në kokë i thura një kurorë
Në dorë i vura një stoli
M’u duk se dashuri bëmë kur më pa
Dhe ofshau me ëmbëlsi.
Me të kalërova anëembanë
Dhe kurrgjë tjetër gjithë ditën s’pashë
Përkulur mbi mua më nanuriste
Muzikë si prej përrallash.
Rrënjë t’ëmbla si nektar më fali
Dhe mjaltë balsam e vesë melhem
Se ç’gjuhë më foli s’e di, kur më tha
Unë ty të dua.
Në guvën magjike më shpuri ajo
Dhe atje vajtoi, me ofsh lëngoi
Unë ata të llahtarshmit sy
Ia mbulova me katër puthje aty.
Nga ojnat e saj në gjumë unë rashë
Dhe ëndërrova – oh, ç’lemeri!
Ëndrrën më kobzezë unë pashë
Ndanë kodrës së ngrirë në vetmi.
Princër meitë e mbretër m’u shfaqën
Luftëtarë të tretur – të zbehtë si mortja
Klithën “zonja e bukur dhe pashpirt
Me magji të shitoi te kodra”
Në muzg u shqova buzt e përthara
Me gojën shqyer prej kumtit të zi
Sytë çela dhe u zgjova me tmerr
Ndanë kodrës së ngrirë në vetmi.
Dhe këtu mbeta q’atëherë
Si hije unë endem në vetmi
Lulnaja ndanë liqenit është tharë
Dhe s’ka më zog të cicërijë.