Jorge Luis Borges – Feniksi

Me shëmbëlltyrat monumentale, me piramidat prej guri dhe me ruajtjen e mumjeve, egjiptianët mëtonin përjetësinë. Ndaj dukej e drejtë që vendi i tyre të ketë bijuar mitin e një shpendi ciklik e të pavdekshëm, megjithëse përpunimi i mëtejmë është vepër e Greqisë dhe Romës. Adolf Erman shkruan se në mitologjinë e Heliopolisit, Feniksi (benu) është dalëzotësi i jubileve apo cikleve të gjata kohore. Herodoti, në një pasazh të famshëm (II, 73), rrëfen me mosbesim të theksuar një version të lashtë të legjendës:

“Një tjetër shpend është, po ashtu, i shenjtëruar; quhet feniks. Unë nuk e kam parë kurrë shpendin me sytë e mi, por vetëm shëmbëlltyrën e tij ndër murale, ngase ai vjen shumë rrallë në Egjipt, një herë në pesëqind vjetë, siç thonë banorët e Heliopolisit. Thuhet se feniksi vjen vetëm atëherë kur të vdekur i ati. Po qe se pikturat paraqesin me përpikmëri madhësinë dhe pamjen e tij, ai ka pendë pjesërisht të arta dhe pjesërisht të kuqe. Për nga trajta dhe madhësia shëmbëllen më shumë me një shkabë. Engjiptianët rrëfejnë një përrallë për marifetet e shpendit, së cilës unë nuk i zë besë. Ai vjen, thonë ata, nga Arabia, për të shpënë të atin në tempullin e diellit të mbështjellë me mirrë dhe atje e kall në dhe. Mënyra se si e çon atje është kjo: fillimisht ai mbrun një vezë prej mirre, që peshon aq sa mund ta bartë. Kur të ketë provuar peshën e saj duke e ngritur në ajër, zgavron vezën dhe fut të atin në të. Atëherë mbush me mirrë zgavrën ku ndehet trupi; kështu veza tok me trupin e babait të tij brenda peshon sërish sa ma parë. Pasi ta ketë mbyllur vezën, Feniksi e shpie në tempullin e Diellit në Egjpit.”

Këtë thotë legjenda. Ndonja pesëqind vjet më vonë, Taciti dhe Plini e rimorën rrëfenjën e mrekullueshme; i pari vërejti, me të drejtë, se tërë lashtësia është e errët , por se tradita përcakton intervalet e vizitave të Feniksit një herë në 1.461 vjet (Analet, VI, 28). I fundit i hodhi, gjithashtu, një vështrim kronologjisë së Feniksit; Plini pohon (X, 2) se, sipas Manilit, jeta e shpendit përkonte me periudhën e vitit platonian, apo Vitit të Madh. Viti platonian është koha që i duhet diellit, hënës dhe pesë planeteve për t’u kthyer në pozicionin e tyre nistor. Taciti në “Dialogus de Oratoribus” thotë se viti platonian ka 12.994 vite të zakonshëm. Të lashtët mendonin se me plotësimin e këtij cikli të madh, historia e botës përsëritet në tërë detajet, nën ndikimin e përsëritur të planetëve; Feniksi është pasqyrë a shëmbëlltyrë e këtij procesi. Për analogji më të ngushtë midis kozmosit dhe Feniksit, duhet të ndërmendnim se, sipas stoikëve, universi mbaron, në zjarr dhe rilind po në zjarr se cikli nuk ka fillim dhe, prandaj, nuk do të ketë as fund.

Koha thjeshtëzoi mënyrën e lindjes së Feniksit. Herodoti flet për vezë, kurse Plini për larvë, por poeti Klaudian, në fund të shekullit të katërt, tashmë i këndon një shpendi të pavdekshëm, që rilind nga hirir, një trashëgimtari të vetvetes dhe një dëshmitari të kohërave.

Pak mite kanë arritur të njihen kaq gjerësisht sa miti i Feniksit. Përveç autorëve, që tashmë kemi cituar, po përmendim edhe: Ovdin (Metamorfozat, XV), Danten (Ferri, XXIV), Pellicer-in (Feniksi dhe historia e tij natyrore), Quevedo-n (Parnasi spanjoll, VI) dhe Miltonin (Samson Agonistes, shkurtimisht). Në mbyllje të Henri VIII (V, iv), Shekspirir shkroikëto vargje të bukura:

Por sapo

Zoga e mrekullt vdes, virgjina feniks,

Prej hirit të saj mbrun tjetër trashëgimtare

Po aq të madhe, sa dhe vetë n’adhurim…

 

Mund të përmendim, gjithashtu, poemën latine “De Arte Phoenice”, që i atribuohet Lakantit, si dhe një imitim anglo-sakson të saj nga shekulli i tetë. Tertulianim Shën Ambrozi dhe Çirili i Jeruzalemit e kanë përdorur Feniksin si provë të ringjalljes së mishit. Plini bën një barrë shaka me mjekët, të cilët jepnin një recetë hape të përgatitura me thërrime nga çerdhja dhe hiri i Feniksit.

 

Nga libri “Libri i qenieve imagjinare”

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.