Koment mbi “Gruaja e këpucarit” të Adriana Trigiani!

Bukuria ndjellëse dhe madhështore e Alpeve italiane është sfondi i takimit të parë të Enzës, një vajzë e bukur me këmbë në tokë, dhe Çiros, një djalosh i shkathët që jeton në një manastir murgeshash. Historia merr një kthesë të papritur kur Çiroja zbulon skandalin e priftit të zonës, dhe nga fshati i tij e dërgojnë të fshihet në Amerikë. Nuk kalon shumë kohë dhe familja e Enzës pëson një fatkeqësi. Edhe ajo detyrohet të shkojë në Amerikë së bashku me të atin, për të siguruar të ardhmen.

Çiro është bërë këpucar shumë i njohur. Por sapo ka filluar Lufta e Parë Botërore, dhe Çiroja përfshihet në vorbullat e saj. Ndërkohë, Enza punon në një fabrikë në Hoboken… Më pas fillon karrierën si rrobaqepëse në Metropolitan Opera House, duke depërtuar me kujdes në luksin e salloneve të Manhattanit, në botën sensacionale të muzikës, me Enrico Caruson. Por,cili është misteri i kësaj dashurie të madhe!?

“Gruaja e këpucarit” është një portretizim i kohërave, vendeve dhe njerëzve që karakterizuan përvojën e imigrimit, duke kërkuar të kenë pjesën e tyre të ëndrrës amerikane, me vullnet dhe me ambicie. Ky rizbulim historik epik i dashurisë dhe familjes, i luftës dhe i humbjes, i rrezikut dhe fatit është romani që Adriana Trigiani ka shkruar, e frymëzuar nga historia e familjes së saj dhe e nxitur nga dashuria e respekti për traditën.

“Gruaja e këpucarit” na tregon një epokë me qartësinë dhe bukurinë që e karakterizonte, me një kast personazhesh të gjallë që do jetojnë në imagjinatën e lexuesve për shumë vite.

Fragment nga libri

-E thua tani këtë – tha Igi. Mos bëj atë që bëra unë. Bëj një zgjedhje më të mirë. Dashurohu me një grua të thjeshtë. Vajzat e thjeshta asnjëherë nuk bëhen xanxare. Ato e vlerësojnë rriskun e tyre, pavarësisht se mund të jetë pak. Një perlë e vogël mjafton për to, ato nuk ëndërrojnë diamante. Vajzat e bukura kanë pritshmëri të larta. Ti  u sjell lule margarita, ato duan trëndafila. Ti u blen një kapelë, ato duan dhe pallton që shkon me të. Është një pus që nuk mund ta mbushësh kurrë. E di, e kam provuar.

-E zakonshme apo e bukur nuk më intereson. Dua një vajzë që ta dashuroj, dhe dua që dhe ajo të më dashurojë mua.

Photo credits: majmuni.al

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.