Kush të ka parë një herë – Fridrih fon Hardenberg – Novalis

Kush të ka parë një herë, i kurthuar

Nuk do të jetë kurrë nga rrënimi, Nënë;

larg teje, fundoset në trishtim,

do të të dojë gjithmonë me pasion të përvëluar,

dhe kujtesa te ai për mirësinë tënde

mbetet në lartësitë më të epra të shpirtit të tij.

 

Përulem para teje me përkushtim pa fund,

Ti tashmë e di çfarë më mungon mua.

Ji e kthjellët me mua, Nënë e ëmbël,

më jep një shenjë gëzimi, atë dua.

Gjithë qenia ime pushon në ty,

qëndro tek unë qoftë edhe një çast të vetëm.

 

Aq herë në ëndërrat e mia të kam parë

kaq të bukur, dhe në dashurinë intime;

zoti i vogël që kishe midis krahëve

donte të lëvizte në mëshirë të shokut të tij;

por ti rikthehu, duke qarkuar shikimin tënd

sublim, midis reve në ngazëllim të pastër.

 

Unë i palumtur! çfarë të kam bërë?

Plot nostalgji, të lutem prapë;

nuk jam vendi ku jeta ime

gjen paqe, lutjet e tua të shenjta?

Mbretëreshë e bekuar,

Merre këtë zemër e këtë jetë.

 

Ti e di, mbretëreshë e dashur,

se jam i tëri krejtësisht yti.

A nuk e kam prej shumë kohësh

në sekretin e zemrës mirësinë tënde?

Kur ende nuk e njihja vetveten

me qumështin e gjirit tënd mëkohesha.

 

Ke qenë pranë meje mijëra herë,

të shikoja ty me gëzim fëminor;

m’i zgjaste duar- sepse një ditë

mund të më gjejë- fëmija yt.

Me buzëqeshje të ëmbël e të pastër- oh kohë

E parajsës!- një puthje më jepje ti.

 

Kjo botë e bekuar tani është larg,

e prej qëkuri lutja më ka shoqëruar,

pafundësisht kam vazhduar të gaboj:

A thua kaq rëndë kam mëkatuar?

Fëmijë, prek cepin e petkut tënd,

Nga kjo ëndërr e rëndë ti më zgjo.

 

Vetëm një fëmijë mund të të shikojë në fytyrë,

me besim ai e pret ndihmën tënde;

atëherë kapërceje pengesën e viteve,

që unë të bëhem siç isha, fëmija yt.

Jetojnë te unë besnikëria, dashuria

e fëmijës, nga ajo kohë e florinjtë.

 

Perktheu: Elida Bucpapaj

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.