Leon Tolstoi – QIRIRI

Ju keni dëgjuar që është thënë:
Sy më sy, dhëmb për dhëmb.
Por unë ju them që të mos kundërshtoni
atë që ju bën keq.
Mateo, V.38-39

Në radhët e zotërinjve kishte njerëz të mirë dhe të këqinj. Disa, duke sjellë ndër mend çastin e vdekjes, i trembeshin Zotit, kishin mëshirë për njerëzit; të tjerët ishin ca qen të vërtetë. Por më të këqijtë e të gjithë krerëve ishin ata që nga shërbëtorë të dikurshëm, të dalë nga balta, ishin bërë zotërinj. Këta, mbi të gjitha, ia bënë të rëndë jetën njerëzve të varfër. Në një pronë fisnikësh ndodhej njëfarë qehajai. Fshatarët ishin të detyruar të bënin punë angari. Tokat shtriheshin pa kufi dhe ishin toka të mira, me rrjedha uji, me livadhe dhe pyje. Kishte boll tokë për të gjithë, si për zotërinjtë ashtu dhe për bujqit e tyre; por agai kishte marrë si qehaja shërbëtorin e një prone tjetër të tij.
Qehajai fitoi shumë shpejt një autoritet të madh dhe rëndoi me gjithë peshën e vet mbi kurrizin e fshatarëve. Edhe ai, kishte familje: gruan dhe dy vajza të martuara; kishte grumbulluar aq shumë lekë, sa mund të jetonte dhe madje, të jetonte pa mëkatuar, por ishte i pangopur dhe i zhytur thellë në të keqen. Filloi t’u kundërvihej fshatarëve gjatë
punës angari. Ndërtoi një kaminë, i vuri të gjithë në punë, burra dhe gra dhe shiti tullat për llogari të vet. Fshatarët shkuan në Moskë për t’u ankuar te padroni, por më kot; ai i përzuri dhe e la të lirë qehajanë të vepronte sipas qejfit të tij. Ky i fundit, mori vesh se fshatarët ishin ankuar dhe kurdisi hakmarrjen. Kështu jeta e fshatarëve të varfër u bë edhe më e rëndë. Midis tyre pati tradhëtarë që kallëzuan shokët e tyre.
Midis fshatarëve lindën mosmarrëveshje; tërbimi i padronit u shtua. Gjendja bëhej përherë e më e rëndë: qehajai arriti gjer aty sa të gjithë i trembeshin si një bishe të egër. Kur kalonte nëpër fshat të gjithë i shmangeshin si të ishte ujk, të gjithë i ruheshin syve të tij. Qehajai mori vesh për tmerrin që ngjallte te fshatarët dhe zemërimi i tij u rrit edhe më shumë; nisi t’i zhdëpte njerëzit e tij me të rrahura nisi dhe t’I ngarkonte me punë të rënda dhe fshatarët vuajtën ende më shumë.
Shpesh, përbindësha të tillë përfundojnë të vrarë.
Fshatarët filluan të flasin si ta hiqnin qafe një herë e mirë: mblidheshin dendur në ndonjë vend të veçuar dhe më guximtari thoshte:
-Do ta durojmë ende më gjatë këtë cub? Ne të vdekur se të vdekur jemi, ndaj, të vrasësh një krijesë të tillë s’është mëkat.

Një ditë, para javës së shenjtë, u bë një mbledhje në pyll: qehajai i kishte dërguar fshatarët që të vadisnin. Në kohën e drakes fshatarët u mblodhën dhe vendosën.
-Si mund të jetojmë kështu? – thanë.
-Ai do të na shfrytëzojë gjer në palcë. Jemi të rraskapitur: për ne dhe për gratë tona s’ka pushim, as ditë, as natë; dhe po qe se s’është i kënaqur, kërcet kamxhiku. Simeoni vdiq nga kamxhiku, Anisio vdiq në pranga. Ç’presim më? Ai do të kthehet sonte… Mjafton ta rrëzojmë nga kali, t’i japim një të goditur me sëpatë dhe çdo gjë do të marrë fund. Ta varrosim pastaj si qen dhe askush s’ka për ta marrë vesh. Vetëm të biem mirë në ujdi me njëritjetrin; të qëndrojmë të bashkuar; asnjë tradhti!
Kështu foli Vasili Minaiev. Ai ishte më I tërbuari ndaj qehajait ngaqë ai e rrihte çdo javë më kamxhik dhe i kishte marrë gruan për ta bërë kuzhinieren e vet. Fshatarët e bënë me fjalë.
Kur erdhi qehajai, i qortoi fshatarët ngaqë nuk po i prisnin pemët siç donte ai. Në stivën e pemëve të prera qehajai pa një bli të njomë.
-Unë, s’kam urdhëruar që të pritet ky bli. Kush e preu? Tregoni, ose ju ngordha të
gjithëve me kamxhik.
Nisi të kërkojë se në cilin rresht gjendej bliri i njomë.
I treguan rreshtin Sidorin. Qehajai e goditi Sidorin në fytyrë me sa i hante krahu, aq sa Sidorit i vërshoi gjaku rrëke. Të njëjtën gjë bëri edhe me Vasilin, me sebepin se stiva e druve të prera të tij nuk ishte edhe kaq e madhe dhe pas këtyre të rrahurave u largua.
Në mbrëmje fshatarët u mblodhën prapë dhe Vasili tha:
-E mora vesh, ju, nuk jeni njerëz, por jeni ca harabela. Bërtitët atje në pyll: “Do ia rregullojmë ne qejfin!” dhe në çastin e duhur u tulatët. Kështu mblidhen harabelat kundër skifterit. “Asnjë lëkundje, asnjë shmangie!” Dhe kur arrin skifteri, të gjithë ia mbathin dhe fshihen midis hithrave. Atëherë skifteri vjen, kap zogun që do dhe e mbërthen me kthetra. Harabelat shfaqen përsëri. Ciu… Ciu… Por mungon një prej tyre… Po cili mungon?… Ivani… Aq më keq. Ashtu qoftë…” Tamam si ju. Kur s’duhet zmbrapsur, të mos zmbrapsemi. Kur ai u muar me Sidorin, duhej të afroheshim dhe ta hiqnim qafe. Por ju: “Asnjë paburrëri, asnjë tradhti!” dhe, kur ai erdhi, të gjithë u zhdukët në shkurre.
Rrahja e mendimeve u bë gjithnjë e më të shpeshtë dhe fshatarët u betuan që të shpëtonin nga qehajai. Ky i fundit u bëri të ditur se gjatë javës së pashkëve duhej të lëronin tokën që do të mbillej me tërshërë. Këto fjalë i nxitën keqazi fshatarët. Javën
e shenjtë u mblodhën te Vasili.
-Po qe se ai ka harruar Zotin, po qe se vepron sipas qejfit, atëherë duhet ta vrasim
patjetër. Nuk do të jemi më pak fajtorë po të mos vepronim kështu si mendojmë. Erdhi edhe Pjetër Mikevi, një burrë i ndrojtur, të cilit s’i pëlqente të merrte pjesë në diskutime të tilla. Megjithatë, pasi dëgjoi deri në fund, tha:
-Vëllezërit e mi, ju po mendoni të bëni një mëkat të madh. Të zhdukësh një shpirt është gjë e rëndë. Është e lehtë t’i marrësh shpirtin dikujt, por si mbetemi, pastaj, vetë ne? Ai vepron dhe bën keq? E keqja mbetet tek ai. Duhet ta durojmë vëllezërit e mi, duhet ta durojmë.
Vasili u shqetësua.
– Si the ti? Është mëkat të vrasësh një njeri? Sigurisht, ashtu është, por ç’njeri pa?
Është krim të vrasësh një njeri, por jo një qen si ai!… Vetë Zoti e thotë këtë. Duhet t’i vrasim qentë e tërbuar, nëse na vjen keq për njerëzit. Po të mos e vrisnim, do të bënim një mëkat të rëndë. Ndryshe kushedi sa njerëzve do t’u bënte keq ai! Dhe ne, po qe se duhet të paguajmë me kokën tonë, do të vuajmë për të tjerët të cilët do të na falënderojnë. Po nuk vendosëm të veprojmë, do t’u bëjmë keq të gjithëve. Ti thua marrëzira, Mikev. Të punojmë gjatë festës së Krishtit!… Po ti vetë s’do të shkosh…
Mikev përgjigjet:
-E pse s’do të shkoja? Po të më dërgojnë për të punuar, do të shkoj. S’do të punoj për vete, dhe Zoti do të dijë kujt t’ia ngarkojë mëkatin. Ne, duhet të kujtojmë gjithmonë, vetëm Atë. S’flas unë kështu, vëllezër. Nëse u dashka luftuar e keqja me të keqen, Zoti do ta kishte thënë këtë, përkundraziai thotë: po deshe ta zhdukësh të keqen, merre mbi vete. S’është e vështirë të vrasësh një njeri, por gjaku i tij do të njollosë shpirtin tënd. Të vrasësh një njeri është si të përgjakësh shpirtin tënd. Ti pandeh se ke vrarë një njeri të keq, ti mendon se ke shkatërruar të keqen… po pastaj të bie ndër mend se vuan nga një e keqe më e madhe. Duroje të keqen dhe ke për ta mundur atë.
Pas këtyre fjalëve fshatarët s’morën më asnjë vendim. Mendimet ishin nga më të të ndryshmet. Disa mendonin si Vasili, të tjerët ishin me Petron dhe, për të mos mëkatuar, pëlqyen më tepër të duronin.
Të dielën e parë të javës së pashkëve fshatarëve iu lejua që të nderonin festën. Mbikëqyrësi, i shoqëruar nga pleqtë e fshatit, erdhi në mbrëmje për të njoftuar se kishte një urdhër që vinte nga shtëpia e padronit: “Mihail Semenoviçi, qehajai, urdhëron që nesër të gjithë të dalin në punë”.
Ai i ra kryq e tërthor gjithë fshatit, u bëri të ditur të gjithëve detyrimin që disa të punonin matanë bregut të lumit, të tjerët në tokat që ishin ndanë rrugës kryesore. Fshatarëve u erdhi plasje, por nuk guxuan të kundërshtonin. Të nesërmen nxorën parmendat jashtë dhe nisën të lërojnë tokat. Ranë kambanat. Të gjithë kremtojnë festën në kishë, kurse fshatarët vazhdojnë të lërojnë tokën.
Mihail Semenoviçi, qehajai, u çua mjaft vonë dhe bëri një shëtitje për t’u hedhur një sy bujqve. Gruaja dhe e bija vejushë, (që kishte ardhur pikërisht për këto ditë feste) u veshën e u stolisën; njëri nga shërbëtorët bëri gati karrocën; shkuan në meshë. U kthyen; njëra nga shërbëtort përgatiti samovarin. Mbas pak u kthye edhe Mihail Semenoviç e sakaq të gjithë tok filluan të pinin çajin.
Qehajai ndezi pipën dhe thirri mbikëqyrësin.
-Pra! I vure fshatarët në punë?
-Po, Mihail Semenoviç.
-Shkuan të gjithë?
-Që të gjithë. I nisa vetë.
-I nise, i nise… po, apo punojnë? Shko e u thuaj se unë do të vete t’i shoh pasdite. Duhet që të lërojnë nga një hektar me thellësi të dyfishtë dhe të punojnë mirë. Po gjeta punë të bërëshkel e shko, do të punojnë edhe ditën e Pashkës.
Mbikëqyrësi po bëhej gati të largohej, kur Mihail Semenoviçi e thirri përsëri që t’i thoshte edhe diçka tjetër, megjithëse ndihej i sikletosur e i lëkundur. Më në fund tha:
-Ja si është puna. Do dëgjosh me marifet ç’thonë për mua ata cubat. Cilët janë ata që kërcënojnë, ç’thonë; m’i bëj të ditur të gjitha. I njoh unë ata cuba, s’duan të punojnë ata, duan të rrinë shtrirë, të mos bëjnë asgjë. Duan të dehen e të festojnë, ja ç’duan dhe nuk mendojnë se po t’i lënë zvarrë punët, do të jetë tepër vonë pastaj për t’ua dalë mbanë.
-Dëgjoi, pra, llomotitjet e tyre dhe m’i kallëzo të gjitha ato që do të thonë. Më duhet t’i di. Shko. Dhe m’i trego të gjitha, ë!
Mbikëqyrësi u rrotullua, doli nga shtëpia, i hipi kalit dhe u nis fushave. Gruaja e qehajait që dëgjoi bisedën e bërë në mes mbikëqyrësit dhe të shoqit, iu afrua dhe iu lut të tregohej më zemërbutë me fshatarët. Ishte një grua e ëmbël dhe zemërmirë. Kur mundte, ajo e qetësonte të shoqin dhe mbante anën e fshatarëve. Iu afrua të shoqit dhe, me të lutura, i tha:
-Mihailka, miku im, ditën e madhe, me rastin e festës së Zotit Tonë, mos bëj mëkat dhe të lutem në emër të Krishtit, mos i nxirr fshatarët në punë.
Mihaili s’ua vuri veshin fare fjalëve të gruas dhe ia dha të qeshurit para turinjve të saj.
– Si duket, ka kohë që kanxhiku im s’i ka përkëdhelur më ato tulet e tua, prandaj dhe tregohesh kaq e guximshme. S’të takojnë ty këto gjëra.
-Mihailka, miku im, kam parë një ëndërr që lidhet me ty, një ëndërr të keqe. Dëgjomë, mos i detyro fshatarët të punojnë ditën e Pashkës.
-Ta tregoj unë ty, se, me sa shoh, ti mendon se meqë je ca e shëndoshë, kamxhiku
s’ka për të të lënë gjurmë. Hap sytë po të them!
Semenoviçi u tërbua, ia veshi me pipë buzëve së shoqes dhe e përzuri, duke e urdhëruar që të bënte gati drekën.
Mihail Semenoviçi hëngri një koke viçi, një derrkuce qumështi të pjekur, një supë makaronash me qumësht, piu ca raki mani dhe e mbylli me një tortë të sheqerosur. Pastaj thirri kuzhinieren dhe i dha urdhër që të këndonte, ndërsa ai vetë mori balalajkën dhe nisi të lëkundej.
Mihail Semenoviçi vazhdoi të kalonte mbasditen në qejfin e vet, duke bërtitur, duke i rënë balalajkës dhe duke u argëtuar me kuzhinieren. Sakaq mbikëqyrësi hyn, përshëndet dhe nis të tregojë ato që ka parë e dëgjuar në fusha.
-Mirë! Po a punojnë? Do ta mbarojnë detyrën e tyre?
-Kanë bërë më shumë se gjysmën.
-Brazdat janë hapur thellë?
-Po. S’pashë asgjë të keqe. Me sa duket, kanë frikë.
-Toka punohet mirë?
-Shumë mirë, derdhet si pluhur.
Qehajai ndenji i heshtur për disa minuta.
-Po ç’thuhet për mua? Më shajnë?
Mbikëqyrësi vihet në siklet. Mihail Semenoviçi e urdhëron që të kallëzojë krejt të vërtetën:
-Fol pa frikë. Fjalët s’janë të tuat, por të tyret. Po më the të vërtetën do të të shpërblej, por, nëse më fsheh ndonjë gjë, do të të rrah me kamxhik. Eh! Katjushka, jepi një gotë raki që t’i hapet squpi.
Kuzhinieria shkon të marrë rakinë dhe ia vë mbikqyrësit përpara. Ai e pi me një frymë, fshin mjekrën: “Të dalë ku të dalë, – mendon – s’është faji im nëse ata nuk flasin mirë për të. Do të them të vërtetën sepse ai atë do”.
Dhe fillon:
-Po, mërmërisin, Mihail Semenoviç, flasin nën zë.
-Po çfarë thonë? Fol.
-Thonë se ju nuk besoni te Zoti.
Qehajai ia shkrep të qeshurës.
-Kush e thotë këtë?
-Të gjithë. Thonë edhe se keni marrëdhënie me djallin.
Qehajai vazhdon të gajaset.
-Mirë pra, e mora vesh, por më trego më hollësisht për ato që interesojnë. Kush flet për mua? Ç’thotë Vasili?
Mbikëqyrësit s’i pëlqente të fliste keq për shokët, por kishte ditë që nuk ishte në marrëdhënie të mira me Vasilin.
-Vasili është ai që e ngre zërin më shumë se të tjerët.
-E ç’thotë? Fol, pra!
-S’ma nxë goja…- dhe, pas një mëdyshje, zbrazet.- Thotë se ju Mihail Semenoviç nuk do t’i shpëtoni vdekjes së dhunshme.
-Ah, shumë mirë! Po ç’pret akoma ai? Përse s’më vret? Mos i ka krahët tepër të shkurtër? Mirë, Vasil, do të takohemi bashkë. Po Tiska, ai qeni, flet edhe ai apo jo?
-Të gjithë flasin keq.
-Po ç’thonë?
-S’është mirë ta përsëris.
-Pse s’është mirë? Hajt, bëhu trim! Fol.
-Thonë: Iu çaftë barku, iu çaftë dhe i dalçin gjithë rropullitë jashtë.
Mihail Semenoviç s’e mbajti dot veten dhe ia plasi së qeshurës.
-Do ta shohim se rropullitë e kujt do të dalin më parë. Kush e tha këtë? Tiska?
-Po, Mihail Semenoviç. Asnjë s’flet mirë. të gjithë flasin keq dhe ju kërcënojnë.
-Mirë pra! Po Pjetër Mikevi ç’thotë? Më mallkon edhe ai leshkoja?
-Jo, Mihail Semenoviç, Pjetri nuk ju mallkon.
-Po ç’bën?
-Është i vetmi që s’ju mallkon. Është i çuditshëm. E shohin me habi, Mihail Semenoviç.
-Po, pse?
-Të gjithë fshatarët habiten me sjelljen e tij.
-Po ç’bën, pra?
-Është vërtet diçka e jashtëzakonshme. Kur unë iu afrova atij, ai kishte punuar më shumë se një hektar atje në shpat, pranë Turkinos. I vete pranë dhe dëgjoj që ai këndonte me një zë kaq të ëmbël, kaq të dashur… dhe mbi parmendë shkëlqente diçka…
-Çfarë?
-Diçka si një zjarr i vogël. I afrohem dhe shoh një qiri pesëkopekësh të vendosur mbi parmendë. Qiriri digjej dhe nuk e shuante as era. Ai shkundi parmendën, u hodh në brazdën tjetër dhe përsëri qiriri nuk u shua.
-Po ç’thoshte?
-Asgjë. Kur më pa, më uroi festën dhe ia mori sërish këngës.
-I fole?
-Jo. Disa fshatarë iu afruan atëherë dhe qeshën. “Ah… Ah!… – thoshin, – Mikevi s’do të lutet kurrë. Mjaft që t’i paguhet puna që ka bërë gjatë javës së pashkës”.
-Po ai si u përgjigj?
-Tha vetëm një gjë: “Paqe mbi tokë njerëzve me vullnet të mirë”. Nisi përsëri të lëronte tokën, nguci kalin dhe vazhdoi të këndonte me zërin e tij të ëmbël. Dhe qiriri digjej vazhdimisht dhe nuk kurrsesi shuhej.
Qehajai nuk qeshi më. Ai uli balalajkën, e la kokën t’i binte mbi gjoks dhe u zhyt në botën e vet. Mbeti kështu i kredhur në mendime për pak kohë dhe, pasi u dha leje kuzhinieres dhe mbikëqyrësit të largoheshin, u hodh mbi krevat dhe filloi të dëneste me ngashërim.
E shoqja iu afrua t’i fliste. Ai nuk përgjigjej; shqiptoi vetëm:
-Ai më mundi, tani është radha ime.
-Shko, – tha e shoqja, – shko e u thuaj fshatarëve që ta lenë punën dhe do të të kalojë. Edhe herë të tjera ke bërë të këqija, po kurrë nuk të ka kapur një frikë e tillë. Pse trembesh tani?
-Humba, – përgjigjet. – Ai më mundi.
E shoqja ia ktheu:
-Ti përsërit gjithmonë të njëjtën gjë: “Ai më mundi! Ai më mundi!” Shko, urdhëroi fshatarët që të lenë punën dhe gjithçka do të vejë mirë. Shko. Po të shaloj kalin. U suall kali dhe e shoqja e qehajait e bindi të shoqin që të shkonte në fushë dhe t’u
thoshte fshatarëve të linin punën. Mihail Semenoviçi hipi në kalë dhe u nis drejt fushës. Kaloi gardhin, një grua i hapi portën e oborrit dhe ai përshkoi fshatin. Me të parë qeha-janë, të gjithë njerëzit dredhonin rrugën dhe fshiheshin, kush në oborrin e vet, kush në kopshtin e tij, kush në ndonjë qoshe.
Qehajai përshkoi kështu gjithë fshatin dhe arriti te dera e një shtëpie. Dera ishte e mbyllur dhe ai s’mundi ta hapte duke qenë mbi kalë. Thirri që të vinin t’ia hapnin, por s’u duk askush. Atëherë zbriti, e hapi vetë dhe mori të hipte sërish mbi shalë. Vuri këmbën në yzengji dhe, ndërsa hidhte këmbën tjetër mbi shalën e kalit, kafsha u tremb sapo pa një derr dhe u përplas pas portës. Qehajai ishte i rëndë. Shala u anua dhe ai shkoi e u përplas pas portës. Atje ndodhej një shufër hekuri e mprehtë, më e lartë se të tjerat; ai u përplas tamam te kjo shufër hekuri, e cila i çau barkun dhe ra përtokë.
Fshatarët po ktheheshin nga puna. Disa kuaj ndjenë erën e gjakut dhe s’pranuan të kalonin aty pranë të vrarit. Fshatarët e panë dhe dalluan Mihail Semenoviçin të shtrirë në kurriz, me duart e kryqëzuara, me sy të akullt, me rropullitë që i vareshin jashtë, i larë i tëri në gjakun e tij, një gjak që as toka nuk e thithte. Fshatarët, të tmerruar, i drejtuan kuajt nga ana tjetër e rrugës. Vetëm Pjetër Mikevi zbriti nga kali, iu afrua qehajait dhe, duke e parë ashtu të vdekur, ia mbylli sytë. I ndihmuar nga djali i tij, rregulloi një karrocë, vuri mbi të kufomën dhe e çoi në shtëpinë e agait. Ky i fundit, duke dëgjuar gjithë historinë, i liroi fshatarët nga puna angari.
Dhe fshatarët kuptuan atëherë se jo në hakmarrjen, por në butësinë qëndron plotfuqishmëria e Zotit.

 

 

 

Përktheu: Faslli Haliti

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.