MARK TUEIN – Një ngjarje e veçantë

Një javë krejt e veçantë filloi për Santijonin, një javë historike…
Helmuesi Gadijo’ duhej të paraqitej në Gjykatën Penale, për të dhënë llogari për krimet e tij…
E gjithë qyteza e vogël ziente… Kishin këtu e gjashtë muaj, që flisnin vetëm për Gadijonë dhe për shpirtin e tij të zi, të mallkuar… Dhe me të drejtë. Pa mendoni që ai kishte helmuar gruan e vet, vjehrrën, tre fëmijët e tij e bashkë me ta edhe dy qentë e shtëpisë…
Kjo ishte e tmerrshme, e padëgjuar, e paimagjinueshme!…
Ndërgjegjja e banorëve të Santijonit ishte e revoltuar dhe ndjente një etje të madhe për t’u qetësuar…
-E gjora grua!… – thoshnin.
-E gjora vjehrrë!…
-Të gjorët fëmijë!…
-Të gjorët qen!…
Ata që zgjuan simpatinë më të madhe tek të gjithë, ishin dy qentë, dy qentë lodërtarë, të cilët santijonezët ishin mësuar t’i shihnin rregullisht në rrugën Gamveta, njërin me fjongo të trëndafiltë, tjetrin me fjongo të kaltër…
Ah, është e tmerrshme, që një njeri të vrasë pa kurrfarë shkaku dy qenie kaq të uruara të zotit!
Por ajo që e ngriti në kulm zemëratën e banorëve të qytezës së vogël, ishte se Gadijo nuk i pranonte krimet e tij.
Përbindëshi, hipokrizonte dhe bënte të paditurin, duke mos pranuar asgjë prej gjëje…
Bënte be e rrufe për të gjithë zotat e shenjtët, se nuk kishte helmuar askënd, se ishin në gabim, se ishte pre e shpifjeve dhe e trillimeve, se tjetërkush ishte autori i atij krimi të rëndë, po kurrsesi ai…
Po hetuesi nuk jua vinte veshin përrallave të tilla.
Brenda hapësirës kohore prej gjashtë muajsh nga dita e krimit, ai kishte mundur të evidentonte faktet më bindës, që vërtetonin fajësinë e Gadijosë. Këto fakte ishin plot shtatë dhe mjaftonin për t’i prerë kokën shtatë herë Gadijosë, ndërkohë që natyra dorështrënguar i kishte dhënë vetëm një të tillë. Për këtë shkak hetuesi ishte mëse i sigurt, se helmuesi nuk do t’i shpëtonte varjes. Këtë gjë e dinte edhe vet Gadijo, i cili në ëndrra shikonte karamanjollën…
Kishte disa ditë që qyteti përgatitej me një seriozitet të rreptë zyrtar, për këtë ndodhi të veçantë…
Gazetat nuk shkruanin pothuajse për asnjë temë tjetër veç gjyqit, ndërsa të gjithë banorët e zonës nuk flisnin për gjë tjetër, veçse për gjyqin e ardhshëm të kriminelit të tmerrshëm…
Edhe në qytetet fqinjë, bile edhe në Paris, emri i Gadijosë kishte marrë dhenë.
Çdo mëngjes i vinte një zarf i fryrë me postë.
Gjysma e letërdërguesve e kërcënonin me vdekje, gjysma tjetër i kërkonte autografe.
Qysh tani kishin filluar të grumbulloheshin pranë Gjykatës Penale, gjë që e vështirësonte qarkullimin e njerëzve.
Kryetari i bashkisë i llogariste deri në njëzetepesëmijë vetë të huajt, që do të vinin ditën e gjyqit…
Asnjëherë tjetër, veç vizitës së Perandorit në 1854-ën, Santijoni nuk kishte përjetuar ngjarje të tillë, kaq të bujshme…
-Mirë, po ku do të rrinë kaq njerëz? – pyetën këshilltarët.
-Duhet të përkujdesemi të mos ketë mungesë ushqimesh, -t ha kryebashkiaku.
Dhe të gjitha këto bëheshin se krimi i Gadijosë ishte i pazakontë, i frikshëm, i përbindshëm.
Meqë i akuzuari kundërshtote vazhdimisht, hetuesi kishte kërkuar gjykim të hollësishëm dhe kishte ftuar treqind dëshmitarë.
Sipas përllogaritjeve paraprake, gjykimi i çështjes do të vazhdonte rreth një javë. Po sa e sa gjëra duheshin për ushqimin, strehimin dhe transportimin e kaq shumë të huajve!…
Prandaj, me të drejtë, ”Hoteli i Paqes”, shtoi edhe tridhjetë shtretër në koridoret e tij, ”Restoranti i Parisianëve”, shtoi edhe tri tryeza të mëdha, të ngushta e të gjata, ”Kafeneja e Europës”, shtoi së tepërmi kërkesën për birra, pije dhe limonada.Përveç këtyre, pronarët e karrocave, u dhanë edhe nga një dorë vernik karrocave të tyre të vjetra, therrtorët therrën bagëti pa hesap, perimeshitësit hodhën në treg male me lajthi, -prodhim ky tipik i vendit, -letërshitësit porositën dengje të tërë me dërgesë postare, mbi të cilët ishte skicuar figura e të neveritshmit Gadijo…
Të gjithë banorët i ishin përveshur punës, për t’iu përgjigjur në nivelin e duhur ndodhisë, gjallëria e kryeqytetit të vogël të krahinës, ishte dhjetëfishuar, ajri kundërmonte lumturi, kurse dielli, çdo mbrëmje, kur ulej në perëndim, i ngjante një disku të artë!…
Më në fund agoi edhe dita e shumëpritur!
Qysh prej orës tetë të mëngjesit, rrugët filluan të bëheshin të pakalueshme nga njerëzit e shumtë… Të huajt, që kishin ardhur, ishin mbi njëzetepesëmijë vetë… Sheshi i Gjykatës ishte i zënë tërësisht nga patrullat ushtarake, të cilat do të mbanin rregullin. Jo pak prej njerëzve të shumtë u mavijosën nga të shtyrët dhe të ngjeshurit, por farmacistët kishin marrë masat e duhura me garza dhe fasha…
Fiks në orën dhjetë, gjykatësit u paraqitën zyrtarisht dhe zunë vendet e tyre.
Dëgjuesit e mbajtën frymën pezull… Mjedisin e zotëronte një zyrtarizëm i rreptë… Kudo binte erë drejtësi…
Ndërkohë gjysma e banorëve të Santijonit priste me padurim jashtë sallës, për të mësuar të rejat e gjyqit, ndërsa gjysma tjetër vërtitej nëpër dyqane, hotele, gjellëtore, bare, duke pritur me padurim lajme. “Kafeneja e Europës” ishte plot e përplot. Pijet derdheshin lumë.
Befas, aty rreth orës njëmbëdhjetë, një gazetar çau turmën dhe hyri brenda si rrufe.
-I pafajshëm!- thirri, duke iu marrë fryma nga të rendurit.
-Çfarë ? Si thatë ?, -pyeti i çuditur pronari i kafenesë.
-Po. Gadijo doli i pafajshëm!
-More, çfarë po thua ?
-Nuk ishte ai autori i helmimit. Ishte shërbëtorja….
-Cila shërbëtore?
-Shërbëtorja e familjes Gadijo. Ajo i helmoi të pesë njerëzit dhe dy qentë… E pranoi vet me gojën e saj…
-E pranoi?
-Po. Gadijo, për të cilin dyshohej në fillim, i shkroi asaj pardje dhe i kallëzoi për gjendjen e tij tepër të vështirë, duke iu lutur dhe duke iu përgjëruar të tregonte të vërtetën.E, pra, shërbëtorja i telegrafoi kryetarit të gjykatës, se ishte ajo fajtorja e vërtetë dhe se e dënoi veten për krimin e bërë, pasi ndërkohë ishte vetëvarur! Veç kësaj, gjykimi mori fund, gjyqi mbaroi…dhe Gadijo u la i lirë…
-Çfarë thua, vëllaçko?- e pyeti i zoti i kafenesë, i bërë dyll i verdhë në fytyrë.
-Ja ç’na qenka! – ndërhynë kamerierët. -Po furnizimet që bëmë ?-thirri me zemëratë drejtori i ”Restorantit të Europës”, i cili kishte mbërritur aty me një frymë.
-O fatkeqësia jonë! Si e pësuam kështu!-thirrën njëherësh fshatarët.
-Kjo është e padurueshme!-shtuan therrtorët.
-I pacipi Gadijo, si na i punoi kështu! – thirri me të madhe ëmbëlsirashitësi, duke shkulur flokët.
-Pa shih, të dalë i pafajshëm i pafytyri! – ulërinë karrocierët.
-Krimineli! – shau furrtari.
-Por ama lojra të tilla nuk janë luajtur kurrë në kurrizin tonë!-shfrynë zarzavateshitësit.
-I pafajshëm thatë ? Tani do ta shohim se kush është i pafajshëm!-shpërthyen të egërsuar pronarët e bareve dhe të gjellëtoreve.Dhe të gjithë së bashkujellëtorë, barmanë, zarzavateshitës, furrtarë, karrocierë, therrtorë, hotelierë, kafeterë, mësynë drejt Sheshit të Gjykatës, duke sharë, mallkuar e kërcënuar…
Në atë çast po dilte edhe Gadijo, duke shkëlqyer nga gëzimi dhe kënaqësia.
-Në lumë, në lumë…! – filluan t’i thërrasin të gjithë së toku, me një shpërthim të paparë urrejtjeje dhe egërsie.
-Shpejt në ujë, hajdut, vjedhës, vrasës.kriminel!…

 

Përktheu: Iliaz Bobaj

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.