Mark Twain – Gjalpi nen kapele

Një natë të ftohtë dimri, dyqanxhiu i fshatit, po mbyllte dyqanin. Doli jashtë në dëborë për t’i vënë drynin dritares, kur pa klientin e fundit të mbetur brenda, të rrëmbente një copë të madhe gjalpi dhe ta fshehte poshtë kapeles.
Nuk kaloi as një qime kohe ndërmjet asaj që pa dhe idesë së hakmarrjes që i lindi në kokë.
«Ej, Seth!» i foli duke tërhequr nga brenda derën e dyqanit.
Burri me emrin Seth nuk e dha veten. Dyqanxhiu i hodhi dorën në qafë dhe duke shkundur këpucët nga dëbora i tha:
«Ulu i dashur Seth! Ku do shkosh në këtë të ftohtë? Ulu të pimë një ponç të nxehtë!»
Sethi nuk donte në fillim. Gjalpi nën kapele i shkaktonte njëfarë ankthi se mos tjetri e zbulonte, por edhe ideja e një gote ponçi të nxehtë nuk ishte e keqe. Dyqanxhiu i futi krahun dhe e uli në një stol afër sobës, mbas disa arkave me mall, në mënyrë që tjetri të mos kishte mundësi të shpëtonte. Hapi sobën dhe i futi dru të tjerë.
«Të pimë një ponç të nxehtë Seth, ndryshe ky dimër ka për të na i ngrirë kockat»
Zjarri i sobës kishte filluar të shkrinte gjalpin. Sethi ndjente se po i lageshin flokët. U ngrit në këmbë, duke i thënë tjetrit se duhet të largohej pasi në shtëpi po e prisnin.
«Prit të kthejmë një gotë, pastaj do ikim. Do të të tregoj një histori Seth» i tha dyqanxhiu duke e detyruar tjetrin të ulej përsëri.
«Ёshtë shumë nxehtë këtu!» foli nëpër dhëmbë hajduti, duke kërkuar të çohej.
«Ulu e më shoqëro! Mos e merr me ngut!»
«Kam punë. Do u jap lopëve për të ngrënë, pastaj duhet të çaj edhe dru»
«Nuk bën burri kështu për një gotë. Ulu të them e lëri lopët rehat! Më dukesh pak i shqetësuar? Rri i qetë!» i tha dyqanxhiu, duke mbushur gotat.
Pastaj ciku gotën me atë të Sethin duke i thënë:
«Ktheje menjëherë! Rrëshqet poshtë si gjalpi, ky ponç i uruar.»
Hajduti e pa me dyshim. Avulli i mbuloi fytyrën, ndërsa gjalpi filloi ti rridhte nga flokët duke lagur shaminë rreth qafës. Tjetri vazhdonte të ngrinte dolli, ndërsa ky e kishte mbyllur gojën, më keq se një memec.
«Çfarë ke Seth, mos nuk ndihesh mirë?» e pyeti dyqanxhiu kur rrëketë e gjalpit i kishin pushtuar fytyrën.
«Hiqe kapelen po qe se ke vapë! Ma jep mua!»
«Jo!» u përgjigj Sethi i irrituar. «Duhet të iki. Më lër të largohem!»
Një katarakt gjalpi i shkrirë i zbriti nga mjekra duke u varur poshtë nëpër xhaketë, për t’u përplasur pastaj mbi këpucë.
«Po mirë o Seth.Ik! Nuk të mbaj me pahir. Natën e mirë!»
Teksa tjetri largohej, dyqanxhiu e thirri prapë.
«Seth! Shakaja që të bëra vlen tetëmbëdhjetë lekë: kështu që jemi barazim me gjalpin që më vodhe dhe e fute në kapele…»

Përktheu Ben Meçe

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.