Mark Twain – Një natë në një hotel të Parisit

E gjeta dhe hotelin ku shpresoja të kaloja një natë të qetë në Paris. Rreth mesnatës zhurmat e rrugës u fashitën dhe gati po më kaplonte një gjumë për shtatë palë qejfe, kur befas dëgjova një zhurmë të mistershme që s’më la të mbyllja sytë. Një copë herë u vura në përgjim të saj. Me sa dukej, ndonjë tip i çuditshëm vallëzonte në dhomën mbi mua. S’më mbeti gjë tjetër veçse të prisja me durim që zhurma të heshtte vetë, pra, kur të mbaronte qejfi i atij tjetrit. Kështu, në pritje, do të kalonin edhe pesë minuta, të cilat m’u dukën sikur s’do të mbaronin kurrë. Dëgjova sërish zvarritjen e këmbëve mbi kokën time. Vijoi një pauzë e shkurtër dhe pastaj diçka që u përplas me zhurmë në dysheme.
– Ja, përsëri miku atje lart, me siguri po heq çizmet nga këmba. Dhe ndoshta, falë Zotit, shpresoj t’i japë fund kërcimit të tij të hareshëm!
Heshtja vijoi fare pak, sepse u dëgjua sërish një goditje tjetër mbi dysheme.
– Duket se po provon të kërcejë me njërën çizme, – thashë me vete.
Akoma dhe një pauzë që u ndoq nga një goditje tjetër mbi dysheme.
– Tani që e hoqi edhe çizmen tjetër, do t’ia këpusë gjumit, – hamendësova shpirtlehtësuar.
Por nuk ndodhi kështu. Sërish atje lart u dëgjua ajo zhurma e njohur.
– Ç’dreqin bën ende tani që ka hequr të dy çizmet?! Mos vallë provon të kërcejë me pantofla? Vazhdoi dhe një pauzë tjetër, e shoqëruar nga goditjet e zakonshme mbi dysheme, me një lloj ritmi të mbytur. Dreqi ta hajë, mos vallë kishte mbathur dy palë çizme njëra mbi tjetrën?! Kështu, për më shumë se një orë, ai magjistar i fantaksur vazhdoi të zvarriste këmbët atje lart dhe të hiqte prej tyre një numër çizmesh të pambarimta, derisa ky numër mbërriti shifrën njëzetepesë, duke ma bërë kokën daulle.
Mend po më luante tepeleku i kokës. Mora pistoletën dhe me kujdes e pa zhurmë, u ngjita në katin lart. Por ajo që pashë atje e kalonte habinë time: Miku im ishte ulur në mes të një ushtrie këpucësh të hedhura në dysheme dhe po i jepte shkëlqim njërës prej tyre. Për mua tani çdo gjë ishte e qartë: Komshiu im ndoshta nuk kishte kërcyer kurrë ndonjëherë në jetën e tij. Ishte lustraxhiu i hotelit, i përqendruar tërë sy e veshë në punën e tij të zakonshme.

Përktheu Vasil Premçi

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.