Martin Armstrong – Rivalët

Treni ishte, pothujase, treçerek ore larg nga stacioni dhe po ecte me gjashtëdhjetë milje në orë, kur z. Herebi – Ribston, një biznesmen i suksesshëm, u ngrit nga ndenjësja, nxori valixhen e tij nga rafti dhe e flaku nga dritarja. I vetmi udhëtar në vagon, një burrë trupvogël, i dobët, z. Krouther, ngriti sytë nga libri që po lexonte në çastin që bashkëudhëtari i tij ishte ngritur nga  ndenjësja befasisht, dhe kishte parë ç’ndodhi. Më pas, të dy burrat shkëmbyen nga një vështrim të mprehtë dhe, menjëherë, z. Krouther vazhdoi leximin, ndërsa z. Herebi-Ribston rregulloi ndenjësen, u ul duke shfryrë paksa dhe i bërë flakë nga mundimi. Vështrimi i shokut të udhëtimit e shqetësoi jashtëzakonisht, sepse z. Krouther e pa në një mënyrë të tillë, pa shfaqur asnjë lloj emocioni. Ajo nuk tregonte as alarm, as surprizë dhe as interesin më të vogël, kur ai, në të vërtetë, ishte shumë i madh. Kurioziteti i z. Herebi-Ribston u shtua ndjeshëm. Jo vetëm kaq. Nga natyra ai ishte i shoqërueshëm, fjalëshumë dhe ishte i bindur se veprimi i tij do të bëhej objekt bisede. Por, asnjë dialog nuk po fillonte dhe, në një situatë të tillë, ai nuk kishte mundësi të shpjegonte sjelljen e tij. Për këtë ai filloi të ndjente se kishte bërë një budallallëk në sy të bashkëudhëtarit të tij ose, më keq akoma, se tjetri mund të mendonte se në valixhe mund të kishte ndonjë kufomë dhe, në një rast të tillë, kur të mbërrinin në destinacion ai mund të lajmëronte policinë, çka do të pasohej nga shqetësime dhe kërkime poshtëruese. Mendime dhe hamendje të tilla gumëzhinin në kokën e z. Herebi-Ribston, duke i vjedhur kënaqësinë dhe qetësinë që ishin karakteristike për të.

Nga ana tjetër, z. Krouther ishte duke vuajtur shpërqëndrimin. Edhe pse përpiqej të lexonte, nuk ishte fare i vëmendshëm. Pavarësisht pamjes së tij të qetë e indiferente, gjesti i burrit të pashëm dhe me gjyzlykë, i cili flaku valixhen nga dritarja në kohën kur treni ishte në lëvizje, e kishte habitur pa masë. Por ai nuk e mposhti habinë e vet. Bashkëudhëtari i tij, me siguri po llogariste ndonjë reagim të dhunshëm, por z. Krouther nuk bëri as lëvizjen më të vogël. Edhe sikur ai veprim të ishte ose jo një shaka, z. Kruother e quante të pajustifikueshme ndërhyrjen në jetën private të tjetrit. Për të ishte njëlloj sikur shoku i tij i udhëtimit të kishte pëlcitur një qese letre për ta bërë të hidhej përpjetë i trembur. Megjithatë, ai nuk do të hidhej përpjetë, ai do ta hante atë rreng. Nëse shoku i udhëtimit mund të mendonte se hedhja e valixhes nga dritarja do t’i jepte atij njëfarë rëndësie, e kishte gabim.

Por, z. Herebi-Ribston kishte arritur në një gjendje të tillë, për të cilën, të paktën, duhet të fliste ose të shpërthente dhe, duke zgjedhur të fliste i pari, tha:

– Më falni, zotëri, por më duhet të them se ju më habitët.

Z. Krouther ngriti sytë e lodhur nga libri.

–  Ju habita? Kaq shumë ju habit leximi në tren?

–  Jo, jo! – tha z. Herebi-Ribston. – Nuk e kisha fjalën për këtë. Ajo që më habit është se ju nuk u çuditët fare kur unë flaka valixhen nga dritarja.

– Me të vërtetë? Kjo ju habiti? Ju u habitkeni shumë lehtë!…

– Nuk mund të flas më për këtë,  – tha z.Herebi Ribston. Sigurisht, sigurisht, i dashur zotëri, po shikimi juaj ishte, të them së paku, një vështrim i pazakontë. Vë bast që ju nuk keni parë ndonjëherë më parë një njeri të hedhë valixhen nga dritarja kur treni është në ecje.

Z. Kruother u mendua.

– Nuk di të kem pasur rast të tillë, – tha. – Me gjithë kujtesën time të fortë asnjëherë nuk kam parë ndonjë njeri të hajë rrepa të pabëra në tren apo ndonjë valltar popullor të kërcejë, ndërkohë që familjarët e tij kryejnë ritin e lutjeve. Po, ç’rëndësi ka? Nëse dikush i lejon vetes të habitet me çdo gjë, edhe pse e pakuptimtë, jeta e tij do të mbushej me një numër të jashtëzakonshëm habish.

– Dhe, ju mendoni se është një veprim i pakuptimtë të hedhurit e një valixheje nga dritarja e kabinës së trenit?

– Kryekëput! – tha z. Krouther, duke hedhur sytë nga libri.

– Atëherë çfarë, nëse mund t’ju pyes, – tha tjetri, që dukej i ngacmuar, – do ta quanit një veprim të kuptimtë?

Z. Krouther mblodhi supet si me përtesë.

– Mbase, mund ta thoja diçka të tillë, nëse valixhja do të kishte qenë e imja.

– E shoh. Ju mendoni se jeni më i rëndësishëm se unë.

– Me sa mbaj mend, – tha z. Krouther, – unë nuk përmenda veten time, por sigurisht që valixhja ime do të ishte më e rëndësishme se e juaja. Dhe duke thënë këtë, nuk e kam fjalën për cilësinë e materialit, por thjesht në faktin se unë jam unë, ndërsa ju një njeri krejt i panjohur.

– Dhe, punët e të panjohurve nuk ju interesojnë?

– Vetëm atëherë kur kanë të bëjnë me mua.

– Mirë, – tha z. Herebi – Ribston, – unë kisha menduar se, kur flaka valixhen nga dritarja, në një farë mënyre, patjetër që do të kishte lënë përshtypje te dikush…

– Nuk është tamam ashtu! – tha ftohtë z. Krouther.

– Kjo tregon, – tha  z. Herebi – Ribston, – se njerëzit janë të ndryshëm. Por, nëse ju do të kishit flakur valixhen tuaj nga dritarja, unë do të kisha qenë shumë kurioz të dija pse e bëtë.

– E kuptoj, – iu përgjigj krejt indiferent z. Krouther. – Se ju mezi po prisni të më tregoni përse e bëtë atë veprim.

– Nuk do ta bëj nëse juve nuk ju intereson.  E kam të vështirë të besoj se dikush nuk mund të ketë interes për të.

Ai pushoi, por as z.Krouther nuk iu përgjigj; përkundrazi, ai vazhdoi me leximin e librit. Për t’iu kundërpërgjigjur, z. Herebi – Ribston u rehatua në ndenjësen e tij.

– E vërteta e gjithë kësaj historie, – tha pastaj –  është se, para një ore, unë braktisa shtëpinë dhe time shoqe dhe tani po filloj një jetë të re. Dhe arsyeja përse e hodha valixhen nga dritarja në këtë moment ishte se unë, papritur, kuptova që bashkë me të isha duke marrë me vete dhe një pjesë të jetës së vjetër. Rroba, furça flokësh e, kështu me radhë, të gjitha sendet kishin lidhjet e tyre, lidhje nga të cilat doja të shkëputesha. Kështu, rrodhi dhe veprimi im i pazakontë. E pohoj, nuk jam njeri dosido, jam një burrë rreth të pesëdhjetave, kam qenë  i martuar për njëzet e një vjet dhe, ja ku jam, po filloj një jetë të re. Epo, kjo mund t’ju duket juve si diçka e jashtëzakonshme për t’u bërë.

– Përkundrazi, – tha z. Krouther. – Asgjë nuk mund të jetë më e natyrshme.

Z. Herebi-Ribston u ndje si i vënë në lojë.

– Normale? Ju e mendoni si normale? Më duhet t’ju them se ju po më habisni.

– Ju më dukeni i habitur, – tha z. Krouther. – Një njeri i surprizave nuk dihet të habitet.

– Ndërsa ju, me sa kuptoj, – ia ktheu në çast z. Herebi-Ribston, – e mbani veten për një njeri që nuk prekeni nga asnjë surprizë.

– Jo, aspak! – iu përgjigj z. Krouther.  – Puna është, mendoj unë, se ne habitemi nga gjëra të ndryshme. Ju më thatë se kishit qenë i martuar për njëzet e një vjet dhe prisnit që unë të habitesha kur shtuat se tani keni lënë edhe gruan. Por, i dashur zotëri, në gjithë këtë histori unë nuk gjej ndonjë surprizë. Ajo që më habit mua është si e keni shtyrë kështu për një kohë kaq të gjatë.

– E kuptoj, – tha z. Herebi-Ribston. – Ju nuk jeni një burrë i martuar.

– Jo tani, – ia ktheu z. Krouther.

– Jo tani?! Doni të thoni që keni qenë i martuar dhe e keni lënë gruan tuaj?

– Jo, tamam ashtu. Të lësh gruan do të thotë të lësh edhe shtëpinë, dhe kjo nuk kishte lidhje me pyetjen. Unë jam shumë i lidhur me shtëpinë; një shtëpi e këndshme, një oborr i këndshëm, dhe sot, dyfish të këndshme kur i kam vetëm për vete.

– Atëherë, doni të thoni se e hoqët qafe gruan tuaj?

– Oh, jo, jo! Kjo do të më kishte sjellë një mal me telashe.

– Atëherë, çfarë?! – pyeti z. Herebi – Ribston, me më tepër kuriozitet. – Ç’bëtë?

Tjetri tundi duart në ajër.

– Ka rrugë të tjera, rrugë më të thjeshta.

– Do të doja t’i dija ato, – tha z. Herebi – Ribston.

– Unë nuk mendoj, se metoda ime e veçantë do t’ju përshtatej linjës tuaj, – tha z. Krouther.

– Po, përse jo? – mërmëriti gjithë kureshtje z. Herebi – Ribston.

– Përse jo? Në rregull, metoda ime kërkon . . . Si t’ua them? . . . Kërkon durim, takt dhe shumë plane të kujdesshme.

– Dhe ju mendoni se unë jam i pazoti për këtë?

– Epo, – tha z. Krouther, – duhet t’ju them se durimi nuk është pika juaj e fortë; sikurse dhe dëshira juaj e dukshme për të ngjallur kureshtjen e të tjerëve. Për këtë arsye, nëse ju do të kopjonit metodën time do të gjendeshit si mbi gjemba.

– Ju po më shtoni më shumë interesin, – tha z. Herebi – Ribston. – Tani, ju lutem, më thoni se çfarë bëtë?

Z. Krouther u duk sikur po hezitonte, derisa të vendoste për të folur.

– Nëse ju tregoj, – tha – besoj se nuk do të më akuzoni që dua t’ju bëj një surprizë. Kurrë nuk kam pasur as dëshirën më të vogël për t’i bërë surprizë ndokujt. Kini kujdes, ju lutem, unë nuk ua imponoj mendimin tim. Në qoftë se ju nuk do të më kishit folur, ne do të kishim udhëtuar në një qetësi absolute. Kam një libër këtu, i cili më intereson shumë dhe, nëse nuk do më kishit, nëse mund të them kështu, tërhequr në bisedë. . .

– Vërtetë! Vërtetë! – tha z. Herebi – Ribston, i cili, deri tani, ishte përfshirë në një kënaqësi befasuese. – E pranoj, e pranoj tërësisht. Dhe ju premtoj se do të bëj të pamundurën që të mos habitem.

– Mirë, – tha z. Krouther, – ajo çka bëra ishte thjesht kjo. Të më ndjeni nëse do të tingëllojë pak sensacionale dhe kujtoni, ju lutem, se do të vëzhgoj çdo lloj reagimi të pamjes suaj. Siç po thosha, thjesht e vrava time shoqe.

Z. Herebi – Ribston e kuptoi jashtëzakonisht mirë zbulimin. Ai reagoi, është e vërtetë, u drodh dhe u zbeh, por në pak çaste, e mori veten.

– Faleminderit, zotëri! – tha ai. – Dhe, më lejoni, t’ju them se e vlerësoj sinqeritetin tuaj. Në fakt, ju kujtuat se unë po flisja pa dorashka me ju. Më lejoni t’ju rrëfehem, atëherë, se në të vërtetë unë nuk e kam lënë time shoqe, për arsyen e thjeshtë se jam beqar. Merrem me rritjen perimeve të një cilësie të lartë dhe, një herë në javë, kjo punë më çon në Londër. Sa për atë punën e valixhes, kam disa miq, shtëpitë e të cilëve i lamë pas disa milje më parë, dhe çdo javë unë mbush një valixhe me perime ((një valixhe të vjetër, siç mund ta keni vënë re)), e marr me vete dhe sapo treni kalon pranë shtëpive të tyre e flak nga dritarja e kabinës. Ajo rrokulliset mbi trase dhe qëndron pranë gardheve të tyre. Është një metodë primitive, e di këtë, por kursen postimin dhe, ju nuk e keni idenë sa biseda zbavitëse provokon tek bashkëudhëtarët e mi. Ju, nëse do të thoja kështu, nuk bëni përjashtim.

 

 

Shqipëroi E. Topi

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.