Mbijetesa si nevojë njerëzore për t’i shkuar deri në fund

gazmend kapllani - arratisje.al

Mbi romanin e Gazmend Kapllani – “Fjala e fundit”

Mbaj mend që kur dëgjova për herë të parë për autorin Gazmend Kapllani, ishte kur në shqip erdhi “Ditar i shkurtër kufinjsh”. Mbi këtë libër, mediat flisnin për suksesin dhe bujën që kishte bërë në Greqi. Ndonëse kisha kuriozitet ta lexoja, nuk do ta lexoja deri me librin e tij të tretë në shqip “Faqja e fundit”. Një libër i shkurtër, që lexohet shpejt dhe që të lë pas disa ndjenja të përshtjelluara në lidhje me identitetin, dualizmin social, përjetimi i realitetit dhe i humbjes.

Personazhi kryesor Melsi, është një shkrimtar dhe gazetar në Athinë, të cilit i vjen papritur lajmi se babai i tij ka ndërruar jetë gjatë një udhëtimi në Kinë. Ngjarja është sa tragjike, aq edhe absurde. Ai kthehet menjëherë në Tiranë në një qerthull. Dyzimi i parë është mes kujtimeve dhe jetës së tij të së tashmes. I gjendur në shtëpinë ku është rritur, kujtimet fillojnë t’i burojnë në forma të ndryshme: nga humbja e nënës, nga ndjesitë e para të adoleshencës, nga largimi prej vendit.

Ndërkohë që rrëmon për të zgjidhur misterin që lidhet me largimin e të atit në Kinë, rastësisht zbulon një bllok ku babai ka mbajtur shënime, në formën e një romani, historinë e familjes së tij. Kjo gjetje e fut Melsin në një tjetër histori, odisenë e një familjeje hebreje nga Selaniku, të cilët nën forcën e dhunës dhe presionit nga ushtritë gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore, detyrohen të largohen fshehurazi nga një fshat në tjetër deri në sa mbërrijnë në Kavajë, në Shqipëri.

Në këtë periudhë në kohë dhe vend, gjyshi i Melsit merr vendimin për një transformim total. Duke harruar, duke fshirë dhe injoruar çfarë kanë lënë pas, me shpresën e një jete të re. Jeta e re na paraqitet me tjera elemente, pra jo diçka normale. Sepse fati i kësaj familjeje kalon nga utopia në utopi. Jeta e re ndërthur tjetërsimin, kamuflimin, mashtrimin. Tjetërsim që vjen prej ideologjisë komuniste të kohës. Pra, këta njerëz të gjendur në një breg të ri po aq fatkeq, nuk mund të jenë ata që janë, as disa njerëz me të shkuar në një vend të ri, as njerëzit e ri në një vend të trazuar. Ata janë thjesht njerëz që duhet të mbijetojnë me çdo mënyrë.

Autori na sjell imazhet e tre brezave të cilët janë në ndikuar nga fati i keq i ngjarjeve të mëdha historike. Gjithashtu marrëdhënia njerezore paraqitet lehtësisht e lëkundshme dhe e ndikueshme, jo vetëm nga ngjarje të mëdha, siç janë Lufta e Dytë Botërore – Diktatura komuniste në Shqipëri – Periudha demokratike tranzitore dhe migruese, por edhe nga gjëra më personale si dashuria, mungesa, humbja, braktisja, identiteti, etj.

Melsi na paraqitet si një personazh i dyzuar në kohë: mes djalit të rritur nën diktaturë dhe jetës apo arritjeve në Greqi; i dyzuar në dashuri mes Ariadnës  që vjen si një nevojë për të ngulur rrënjë në Greqinë e trazuar të viteve 2010 dhe Anës që vjen si thirrje e nevojës për liri; i dyzuar mes nostalgjisë për fëmijërinë, mallit për nënë, vendin që ka lënë pas dhe nevojës së tij për të qënë një njeri i lirë në këtë botë. Por ajo që mbizotëron në çdo rast, dhe që paraqitet si një linjë lidhëse mes të tre brezave – pavarësisht se çfarë ndodh me botën apo individin – është nevoja e pashmangshme e njeriut për të mbijetuar. Përpjektjet e pafundme për të mos marrë fund, për të qëndruar gjallë deri sa t’ja dalësh. Deri sa të mbërrin në faqen e fundit…

Ndërsa vetë autori që në fillim na thotë “VENDET E GABUARA janë si dashuritë e gabuara. Ndjesia që u linde apo jetove në një vend-gabim ngjason mjaft me ndjenjën zhgënjyese të të rënit në dashuri dhe të shpërdorimit të kohës kot me njeriun e gabuar. Ky formulim i pëlqeu shumë Melsit…”

Suad Arilla

*Fotoja bazë marrë nga emisioni “Bibliotekë” në RTSH

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.