Meditim rreth llojit të librit “uroj që secili të gjejë veten”!

uroj te gjeni veten

Nëpër mediume të ndryshme, po promovohen përditë libra. Libra të rinj, nga autorë të rinj dhe jo vetëm. Ishte vetë ndoshta ky vit, 2020-ta, që u bë frymëzim për të shkruar libra, si shkak i kohës së tepërt që na ofroi karantina. Shumë njerëz, kjo edhe si shkak i një propagande të madhe mediatike, filluan të lexonin, dhe veçanërisht të shkruanin. Dhe deri këtu, pothuajse, nuk ka asgjë të keqe. Ndoshta nuk ka asgjë të keqe deri në fund. Por ka një arsye pse po e shkruaj këtë.

Ka një sens të përbashkët që një libër i mirë duhet të lexohet gjërësisht, duhet të kuptohet gjerësisht dhe secili duhet të ketë një lidhje me librin. E, për ta bërë këtë, vjen ajo shprehja e tmerrshme e autorëve kur promovojnë librin, që “Uroj që secili të gjejë veten tek libri im”. Dhe kjo, “…jo se është libri im, por sepse e kam shkruar për të gjithë.” Padyshim, që fraza e lexuesit që vjen pasktëtaj lidhet me përmbajtjen e fjalimit të autorit/es, që “kam gjetur veten”, “jam shumë i/e prekur”, “kujtova veten në filan kohë”, etj, etj.

Po ja çfarë thonë Franc Kafka kur vjen puna tek lloji i librit që duhet lexuar:
“Mendoj se duhet të lexojmë vetëm llojin e librave që na plagosin ose na therrin. Nëse libri që po lexojmë nuk na zgjon me një goditje në kokë, për çfarë po lexojmë? Që të na bëjë të lumtur mënyra jote e të shkruarit? Oh Zot i madh, ne do të ishim të lumtur pikërisht nëse nuk do të kishim libra, dhe lloji i librave që na bëjnë të lumtur janë lloji që mund të shkruajmë vetë nëse do të duhej. Por na duhen libra që na prekin si një katastrofë, që na brengosin thellë, si vdekja e dikujt që e donim më shumë se vetja, si të dëbohesh në pyje larg të gjithëve, si një vetëvrasje. Një libër duhet të jetë sëpata për detin e ngrirë brenda nesh. Kështu besoj unë.”

Këtu po ndalem vetëm pak për të sqaruar dallimin që më lind vetvetiu ndërmjet llojit të librit “uroj që secili të gjejë veten” dhe librit “që na zgjon me një goditje në kokë”, le ta quajmë kështu.

Kafka në fakt e ka thënë shumë mirë, që librat që do na bënin të lumtur do ishin librat që i shkruajmë vetë dhe pikërisht kategoria e parë e librave janë të tillë. Njerëz që mendojnë në një moment të jetës se mund (që mos ta përcaktojmë si “duhet”) të shkruajnë një libër, njerëz që shkruajnë dhe e shohin këtë si një formë e mirë reklame tek të tjerët, njerëz që shfrytëzojnë famën e tyre në një fushë tjetër për të bërë dhe shitur libra, njerëz që nevojën e tyre për të bërë diçka në jetë – meqë e bëjnë edhe tjerët – e mendojnë si librashkrues. Të shkruarit e një libri mund të jetë nevojë e autorit, këtë e them me shumë përulësi, por ky libër duhet të përmbajë më shumë se sa shprehjen e një nevoje. Në bazë të një libri, duhet të jetë elementi “puro” artistik.

Siç thotë Ernest Heminguej: “Shkruaj i dehur, redakto esëll”, shprehet qartë që një libër të jetë i kompletuar duhet të ketë elementin e vetkritikës si përcaktues. Vetkritika ka aftësinë të të ofrojë një mundësi të dytë për librin, ta çosh atë në një nivel më të lartë artistik. Duke eliminuar gjërat që ke shtuar me aq pasion ose “i dehur”, duke i zëvendësuar me elemente që i japin kuptim të tërës në libër. Ftohtësia, ose vetëdija, ose të qënurit esëll në ripunimin e librit e bën atë të gjallë dhe të vërtetë.

Në këtë mes, lumturia, ose libri “uroj që secili të gjejë veten”, është prej atyre që shkruhen në kohë “dehjeje”. Por edhe nëse kanë redaktim, qëllimi mbetet ai i të shkruarit një libër vetjak dhe për të lumturuar veten.
Por elementi që i ndan të gjitha është koha, besoj. Një personazh i Murakamit thotë “që unë nuk lexoj libra të autorëve që kanë më pak se 25 vite të vdekur”. Sepse aq vite u mjaftojnë librave të lumtur të mos ribotohen më, sepse lumturia ndryshon formë here pas here. Ndërsa librat që na godasin në kokë, mbeten të atillë çdo kohë.

 

Suad ARILLA

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.