Midis armiqve – FRIEDRICH NIETZSCHE

(sipas një proverbi cigan)
Andej sfurku, këndej litari
dhe mjekra e kuqe e xhelatit.
Njerëz rrotull dhe sy plot helm –
Por për mua s’është gjë e re!
I di për këtë njëqind marifete,
Ua përplas talljen në surrete:
“Mua të më varni? E keni kot.
Unë nuk mundem me vdekë dot!”
Ma lakmoni, ju lypsarakë,
Atë që kurrë s’keni me e pasë:
Vërtet vuaj, unë vuaj kështu!
Por me vdekë, vdisni veç ju!
Edhe njëqind herë me shkue në litarë
Unë prapë jam dritë, frymë e flakë –
“Mua të më varni? E keni kot?
Unë nuk mundem me vdekë dot!”
– Përktheu: SKËNDER BUÇPAPAJ