Mospërfillja e jetës tek kthimi i “Lepurit”

Lepuri kthehet - Arratisje.al

– Koment mbi “Lepuri kthehet” i John Updike

Në librin e dytë të sagës së Herri “Lepur” Engstëmit, kthimi na vjen në një formë sa sociale, aq edhe individuale. Kemi lidhjen e çështjeve më të nxehta të kohës si një shfaqje e problemeve të brendshme familjare. Përkatësisht: zbritjen e njeriut të parë në qiell me braktisjen e bashkëshortes; çështja e të drejtave të njerëzve me ngjyrë me futjen e personazhit “Skitër” në shtëpi; problemet që lidhet me konsumimin e substancave narkotike në një masë të madhe me vdekjen e Xhillit dhe ndikimin që ajo ka në jetën e Nelsonit, djalit të Herrit.
 
Libri i dytë i tetralogjisë së “Lepurit”, fillon me një dilemë që ai ka: Ruthi, ish e dashura e tij në kohën kur braktisi bashkëshorten, tani ka 3 fëmijë dhe njëri mund të jetë i tiji. Por ajo ka ecur para me jetën e saj. Ai jo. Ai ende është peng i momenteve të së shkuarës. Ka një bashkëshorte të pakënaqur dhe një djalë me të cilin kalon gjithnjë e më pak kohë. Po vetë ai nuk e tregon a është i lumtur apo jo, çfarë dëshiron nga jeta, çfarë pret nga njerëzit përreth. Kontaktin më të afërt e ka me babain, që i kërkon vazhdimisht të shkojë e të shohë të ëmën, e cila është në një gjendje të rënduar shëndetsore.
 
Në momentin kur braktiset nga bashkëshortja, Herri futet në një botë të panjohur: aty ku nuk ka një ndjesi të caktuar apo keqardhje nga kjo ndodhi, aty ku ballafaqohet me një marrëdhënie pak të njohur në lidhje me të birit, aty ku nevojat e tij emocionale dhe fizike duhet t’i plotësojë një grua tjetër. Por mbi të gjitha, elementi i braktisjes na paraqitet me një mospërfillje dhe indiferencë. Ndoshta se Herri këtë donte? Nuk na tregohet diçka e tillë, por ai ka njëfarë lirimi nga një kurs i caktuar jete. Ndonëse kupton që as kursi i ri nuk është ajo ç’ka dëshiron. Mëdyshjet dhe dilemat e shoqërojnë deri në fund të librit, por ai nuk pendohet apo nuk merr përsipër faje që nuk i takojnë. Jeton jetën me një lehtësi të ekzagjeruar nganjëherë dhe çdo gjë që ndodh nuk e shqetëson, por vetëm e zhyt në vorbulla kur rrallëherë kupton se si duhet të dalë. Kompleksi i moshës apo i viteve që ikin vjen si një formë e të jetuarit të jetës pa ndonjë vramendje: ashtu duhet të ndodhë. Dhe ai nuk shqëtësohet të bëjë diçka që t’i japë kuptim jetës së tij.
 
Stili i Updike është i tillë që të rrëmben në lexim, i rrjedhshëm, aspak i lodhshëm, por me mesazhe që më së shumti vijnë si shkak i asaj që nuk thuhet në tekst. Përtej të gjithave, ndonëse shpesh herë personazhet janë në zgrip të jetës, në një fazë krize me njëri tjetrin dhe vetveten, secili prej tyre na shfaq nevojën e madhe për dashuri dhe për të qënë të lumtur. Secili prej tyre e dashuron jetën, ndaj i vlerëson krizat si një mundësi gjetjeje zgjidhjesh.
 
Përkthimi brilant i Granit Zelës, na sjell në shqip situata tipikisht amerikane të shqipëruara kaq mirë, sa në çdo kohë gjithçka të vjen e njohur dhe e kuptueshme. Gjuha e pasur është një element i këtij libri, poashtu edhe i librit të parë “Lepur, vrapo”.
 
Në ndryshim me “Lepur, vrapo”, Herri tashmë nuk ikën, por sheh njerëzit e tjerë që ikin dhe kthehen tek ai. Ai ka vendosur të qëndrojë. Kthimi i tij është vetëm për lexuesin. Dilemat e tij janë dilemat e secilit prej nesh, ndaj ballafaqimi që vjen gjatë leximit është shumë personal. Emocionet përcillen tek lexuesi duke na bërë të qarta zgjedhjet tona, jo zgjidhjet. Ndaj këtë kurth të jetës, Updike me Lepurin e vet e tejçon tek çdo lexues si një kërkesë për vetëdijësimin e sfidave që sjell koha, ndryshimet sociale, problemet politike.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.