Nainpaul, fituesi i Cmimit Nobel në letërsi, ndërroi jetë!

V.S. Naipaul, një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm të shekullit XXI, fitues i çmimit “Nobel” në letërsi në vitin 2001, ndërroi jetë sot në moshën 85 vjecare. Prej këtij autori kemi në shqip 2 libra: një prej romaneve më të mirë të 50 viteve të fundit, “Qyteti bri lumit” i cili vijon të shihet si udhëtimi që çdo njeri duhet të bëjë për të gjetur dritën, tashmë mund të lexohet në shqip nën përkthimin e Vladimir Markut, nën siglën e botimeve “Saras” dhe një përmbledhje me ese titulluar “Shkrimtari dhe bota”.

Libri “Qyteti bri lumit” është një lloj autobiografie e një shkrimtari që la vendin e tij Indinë, për t’u shkolluar e më pas për t’u bërë një nga autoritetet e mendimit në Britaninë e Madhe. Është një përplasje e kulturave, mentaliteteve, botëve të vjetra që kanë dominuar fatet e njerëzimit. Ky libër është një manual për ndryshimin, për atë ndryshim që shpesh dhemb, por që është i domosdoshëm në shumë shoqëri. Libri shoqërohet në shqip me një parathënie nga kritikja dhe shkrimtarja e njohur angleze Elizabeth Hardwick.“Qyteti bri lumit” është historia e një trazire historike dhe e një kolapsi social. Përplasja e kulturave në Indi, vendet islamike, Afrikë, Amerikë e Jugut dhe ishujt Karaibe janë burimet që Naipaul përdor për imagjinatën e tij krijuese, në letërsinë artistike dhe në librat e tij të udhëtimeve nëpër botë, udhëtime këto aq të ngadalta në kohë, e aq personale, saqë nuk mund të klasifikohen dot si libra udhëtimi.Ngjarjet zhvillohen në periudhën postkoloniale, në kohën e pavarësisë. NaipaulEuropianët janë shpërngulur nga aty, ose janë detyruar të shpërngulen, dhe skena është kaotike, gjithë dhunë, me luftime mes fiseve, injorancë e plotë, izolim, varfëri dhe një mungesë përgatitjeje për botën e re, në të cilën ata kanë hyrë, ose pjesërisht e supozuar si një lloj dekorimi. Siguria e verbër e administratës koloniale, me rregullat e saj, komercializimin e resurseve të disponueshme, me bulevardet e saj dhe me shtëpitë e bukura, e klubet për argëtimin e të ardhurve të huaj, çoi në bumin e shumë shteteve, që sapo e kishin fituar pavarësinë. Këtu aktualisht pushteti është në duart e presidentit, një luftëtar fisnor i kërcënuar nga ambiciet e luftëtarëve të fiseve të tjera.Libri është një akuzë për pushtet e dhunshme, përmes një personazhi që nuk nguron të përshkruajë dhe presidentin e vendit të tij. “Te ‘Qyteti bri lumit’ zvarritja, korrupsioni mbytës dhe shkatërrimi që e shoqëron ardhjen në pushtet të forcave fisnore, ose dhe komplotimin e tyre për të marrë pushtetin, pasiguria e zbatimit të marrëveshjeve, pakënaqësia e turmave të vendasve që vuanin për një kohë të gjatë, e që e përhapnin edhe në qytet këtë pakënaqësi: e gjitha kjo është panorama në të cilën zhvillohet romani. Pjesë e tij janë tregtarë indianë dhe pronarë të një biznesi apo të një tjetri, një çift europianësh të bardhë, një prift plak, belg, që ka shumë vite që jeton aty dhe afrikanë të shumtë, në kërkim të mundësive të reja. Romani është një ndërmarrje me disa rreziqe dhe pa rreziqe, të cilit Naipauli, i ka dhënë formën e një vepre të kryer, me një forcë imagjinuese, fort të gjallë”, thotë Elizabeth Hardwick.

Përtej letërsisë së tij, e cila vijon të botohet çdo vit në çdo vend të botës, Naipaul është një shkrimtar që tërheq vëmendjen dhe me karakterin e tij. I quajtur “shkrimtari i errësirës”, mediat shohin një anë të errët dhe në raportin që ai ka pasur me të shoqen, me të cilën jetoi 41 vjet, anglezen Patricia Ann Hale, me të cilën u njoh gjatë një vizite në Spanjë në vitin 1952. Ata studiuan bashkë në Oksford dhe u martuan në Londër më 1955. Martesa e tyre zgjati 41 vjet, deri në vdekjen e Pat, ashtu si e thërrisnin miqtë e saj. Bashkëjetesa e tyre nuk ka qenë e lehtë dhe shpesh çifti ka qenë në qendër të medias, pas deklaratave të Naipaul se nuk mund “t’i shmangte dot prostitutat”, apo pas marrëdhënies së gjatë që ai ka pasur në të njëjtën kohë me Margaret Gooding. Ka pasur akuza në media mbi rolin që Naipaul ka pasur mbi vdekjen e Pat, pavarësisht se ajo vuante prej kohësh, pas gjetjes së shënimeve të saj mbi faktin që Naipaul ishte shpesh dhe i dhunshëm. Te “Qyteti bri lumit”, ne kemi pasazhe dhune, në një apartament në Londër, nga një çift dashnorësh, të ndarë mes pasionit dhe së vërtetës… Ndoshta ajo çfarë ka shkruar, forca për të dhënë dhimbjen deri në skajin e saj, e bën këtë autor nga më të rëndësishmit e shekullit XXI, të jetë shpesh dhe në qendër të këtyre akuzave, që mbeten thjesht të tilla.

 

Shkrimtari i botës

Vidiad-har Suraxhprasad Naipoli (Vidiadhar Surajprasad Naipaul), një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm të anglishtes së sotme, lindi në Trinidad, nga prindër indianë, më 17 gusht 1932. Gjyshi i tij ishte një induist nga veriu i Indisë, që emigroi në ishujt Karaibe, si një punëtor me kontratë. I ati ishte gazetar dhe ai e frymëzoi Naipaulin e ri për atë që do të ndiqte më vonë. “Në të vërtetë, që prej një moshe fare të hershme, e mendoja veten si shkrimtar… për shkak të idesë së parezistueshme të këtij profesioni fisnik”, – kujton ai. Në vitin 1938, familja u vendos në qytetin e Portit të Spanjës, ku Naipauli ndoqi shkollën fillore dhe të mesme. Në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare, emigroi në Angli, me një bursë për në kolegjin universitar të Oksfordit. Pasi arriti të merrte diplomën për letërsinë angleze, në vitin 1953, ai shkoi në Londër për të punuar si redaktor për Caribbean Voices-in, një program radioje i BBC-së, që transmetohej në Indinë Perëndimore. Karriera e tij si shkrimtar pati një fillim të mbarë me botimin e romanit Masazheri misterioz, në vitin 1957. Një roman pikaresk, rreth një njeriu kontradiktor, i cili u bë burrë shteti në Trinidad. U nderua me çmimin John Llewellyn Rhys Memorial. Urata e Elvirës (1958) dhe Rruga “Migel” (1959), një përmbledhje me tregime që fitoi çmimin “Somerset Maugham”, pasqyrojnë gjithashtu idiotësitë e shoqërisë në Indinë Perëndimore. Botimi i “Një shtëpi për Z. Bisuas” (1961), një roman tragjikomik që të kujton Dikensin, ishte një kthesë e madhe në veprën e Naipaulit. E respektuar gjerësisht si kryevepra e tij, ky roman është një raport imagjinar i jetës së të atit, i cili bën një jetë të dyfishtë dhe me këtë simbolizon vuajtjet në periudhën koloniale. “Z. Ston dhe shoqëria e kalorësve” (1963), romani i tij i parë, ngjarjet e të cilit vendosen në Angli, e bëri të fitonte çmimin Hawthornden. Naipauli e filloi serinë e veprave të tij rreth kombeve afrikane që kishin ardhur në ekzistencë nëpërmjet pavarësive të tyre politike, duke e përshkruar botën e pas periudhës koloniale me Kalimin e mesit (1962). E hartuar në formën e kujtimeve të udhëtimeve, kjo vepër shpreh pikëpamjet e shoqërisë britanike, franceze dhe holandeze të Indisë Perëndimore dhe të Amerikës së Jugut. Pas një udhëtimi njëvjeçar nëpër Indi, ai shkroi “Një rajon i errësirës” (1964), një portretizim kontradiktor i atdheut të të parëve të tij. Më vonë, Naipauli bëri një gërshetim mes përshkrimit artistik dhe atij joartistik, në lidhje me identitetin kulturor. Në vitin 1967, ai botoi romanin shumë të rëndësishëm, “Imituesit”, një vepër rreth pasojave të imperializmit britanik, i cili bëri që të fitonte çmimin W. H. Smith, dhe “Një flamur në ishull”, një përmbledhje e dytë me tregime. Në vijim ai përshkoi origjinën e Trinidadit të sotëm, me elemente të shumta personalë, te “Humbja e El Dorados” (1969). Në një shtet të lirë, një vepër novatore që u referohej emigrantëve britanikë në një vend afrikan me konflikte të shumta, u nderua me çmimin prestigjioz të Anglisë, “Booker”, në vitin 1971. “Barrakuni i mbipopulluar dhe artikuj të tjerë” është një kompilim i gazetarisë personale dhe politike, i cili doli në qarkullim vitin e ardhshëm. Botimi i “Guerilja” (1975), një roman gjuetie njerëzore, vrasjesh e revolucioni në një ishull të Karaibeve, të çliruar së fundi nga sundimi kolonial, e përforcoi ndjeshëm reputacionin e Naipaulit në Shtetet e Bashkuara. Pasi e rivizitoi Indinë, gjatë kohës së emergjencës (1975), ai solli një tjetër vështrim të kontinentit të vogël me veprën India: “Një qytetërim i plagosur” (1977). Në vitin 1979, ai botoi “Qyteti te kthesa e lumit”, një përshkrim i thellë që rrëmon po aq thellë, çështjen e shpërnguljeve në një epokë neokoloniale.

Gjatë viteve ’80, Naipauli u përqendrua kryesisht te letërsia joartistike. Ai shkroi një sërë trajtesash të shkurtra: “Kthimi i Eva Peronit dhe vrasjet në Trinidad” (1980), “Mes besimtarëve: Një udhëtim islamik” (1981), një studim rreth rilindjes islamike në Iran, Pakistan, Malajzi dhe Indonezi; dhe “Duke gjetur qendrën – dy rrëfime” (1984), një trajtesë autobiografike dhe një trajtesë rreth Bregut të Fildishtë. “Enigma e mbërritjes” (1987), romani i tij i vetëm i asaj dekade, është ndoshta më autobiografiku i tij. Veç kësaj, ai shkroi “Një kthim në Jug” (1989), shënime rreth udhëtimeve të tij nëpër Amerikën e Jugut. Në vitin 1990, ai u shpall kalorës prej mbretëreshës Elizabetë II. Në të njëjtin vit, ai botoi “India: Një milion kryengritje tani”, një vizion më optimist i këtij kombi për ditët e sotme. Në vitin 1993, ai u nderua me çmimin britanik për letërsinë, David Cohen. Romani më i fundit i Naipaulit, “Një rrugë në botë” (1994), është një gërshetim i elementeve autobiografike dhe përsiatjes, një rrëfenjë madhështore e rikthimit në identitet. “Për begatinë e tij origjinale, vështirë se ka ndonjë shkrimtar të gjallë që ia tejkalon V. S. Naipaulit, – shkroi ‘The New York Times Book Review’. – Ai është shkrimtari i botës, një mjeshtër i gjuhës dhe i perceptimit”.

Burimi: http://gazeta-shqip.com

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.