Nazim Hikmet – Letër gruas

E vetmja ime!

Në të fundit letrën tënde:

“Më dhemb koka,

zemrën e kam rrëmujë”

më thua.

“Sikur të të varin,

sikur të të humb”,

thua,

“s’jetoj dot”!

 

Jeton, gruaja ime e dashur,

si një tym i zi do ndahet

kujtimi im në erë,

jeton, flokëkuqja e zemrës sime,

e shumta një vit zgjat dhimbja e vdekjes

në shekullin e njëzetë.

 

Vdekja.

Një i vdekur varur në litar,

kjo vdekje, s’di pse

shpirtit tim s`i shkon për mbarë.

 

Por ji e sigurt e dashur

Nëse dora e zezë si një merimangë tërë qime

e një arixhiu të mjerë

do më hedhë litarin e përfundimit,

Do shohin me kot se s’do ta gjejnë,

frikën në sytë e kaltër të Nazimit.

 

Unë,

Në errësiren e purpurt të vjeshtës,

shokët dhe ty do vështroj,

dhe vetëm një dhimbje-këngë të mbetur gjysmë,

dheut do ti çoj.

 

Gruaja ime!

Zemërmira!

Florilyera!

Bleta ime me sy ngjyrë mjalti:

Përse të shkrova ty,

se kërkojnë të më varin?

 

Gjyqi është veç hapi i parë,

Dhe si bostan kokën menjëherë

s’ta marrin.

 

Eja, lëri këto,

kjo është veç një e largët mundësi,

Po pate para më blij një palë brekë

fanellate e mi sill.

Se më zuri prapë këmbën

shijatiku, i flamosuri.

Dhe mos harro:

Veç gjëra të mira duhet të mendojë

gruaja e një të burgosuri!

 

Përktheu: Alban Tartari

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.