Në portat e Madridit – NAZIM HIKMET

Mos dëgjo zërat e sferave të botës së përtejme,
as mos u pleks në gjarpërimet e rreshtave,
të “poezive hermetike”
as mos kërko
me durim argjendari
rima fine
e stërhollime shprehjesh,
sonte, lavdi zotit, unë jam më lart
se gjithçka.
Sonte
unë jam një recitues rruge.
Zëri im është i thjeshtë, pa artifice,
dhe ti
nuk mund ta dëgjosh këngën time …
Është natë.
Bie borë.
Ti je në dyert e Madridit.
Përpara, ke armatën e armiqve,
që ka ardhur për të vrarë
gjithçka më të bukur:
lirinë,
ëndrrën,
shpresën
dhe djemtë.
Bie borë.
Dhe mbase,
Këmbët e tua të zbathura ngrijnë.
Bie borë …
Dhe ja,
në këtë moment
kur unë mendoj për ty me gjithë zemër,
mbase
një plumb do të ta këpusë jetën
dhe për ty nuk do të ketë më
as borë
as erë
as natë
as ditë …
Bie borë.
E di mirë
edhe para se të bërtisnin
“Non Pasaran”
dhe të arrinte roja
në portat e Madridit,
ti jetoje!
Kush ishe,
nga erdhe ti?
Mbase
nga minierat e Asturias?
Mbase
një fashë e përgjakur mbi ballin tënd
ka mbuluar
një plagë që ke marrë në Veri?
Mbase
je ti ai që shtiu i fundit
atë natë që junkerët
bombardonin Bilbaon?
Ose shërbeje si punëtor krahu
në pronat e kontit
Pernando Valesquero e Cortolon?
Apo kishe një dyqan të vogël
te Porta e Diellit
dhe shisje fruta me ngjyra spanjolle?
Mbase nuk kishte ndonjë talent,
apo mbase kishe një zë të bukur?
Apo ishe një student,
një jurist i ardhshëm,
dhe librat e tu
nën zinxhirët e një tanku italian
mbetur
në qytetin e studentëve?
Mbase ti, nuk besoje në Zot,
dhe mbase mbaje një kryq të vogël bakri varur
në një kordon të shkurtër mëndafshi?
Kush je ti,
si të quajnë,
sa vjeç je?
S’e kam parë fytyrën tënde,
dhe s’do ta shoh.
Mbase
i kujton fytyrat e atyre
të cilët luftuan me bandat e Kollçakut në Siberi?
Ose, në ndonjë vend,
ti i mban mend ata
që ranë
për Domlupinarin?
Apo të duken si Robespierri?
S’e e ke dëgjuar emrin tim,
dhe s’do ta dëgjosh.
Midis ne dyve, vëlla,
Ka dete dhe male,
dhe zinxhirët e mi të mallkuar,
dhe rregullat
e komitetit të mosndërhyrjes …
Nuk mund të vij tek ti,
nuk mund të të dërgoj që këtu
asnjë kuti me fishekë
as vezë
as një palë çorape leshi …
Di
që në këtë ngricë
këmbët e tua të zbathura,
atje, në portat e Madridit,
si dy fëmijë
ngrijnë në erë …
Por di
se gjithçka në këtë botë
është e madhe
dhe e bukur,
gjithçka që do të bëhet nga njerëzit,
gjithë e vërteta e ardhme
dhe madhështia,
që unë pres me shumë ankth në zemër,
gjithë këtë rishkëlqim në sytë tu,
roja ime,
sonte
në portat e Madridit …
Dhe di
se sot unë s’mund,
si nuk mundja dje
dhe s’do të mund nesër,
të bëj asgjë tjetër
veçse të mendoj për ty
dhe të të dua.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.