NJË BIRRË TEK BARI NË QOSHE – CHARLES BUKOWSKI

Nuk e di sa vjet kanë kaluar, nëse pesëmbëdhjetë apo njëzet. Po rrija në shtëpi, ishte një mbrëmje e nxehtë vere dhe ndihesha i fikur.
Dola nga dera dhe e gjeta veten në rrugë. Ora e darkës tashmë kishte kaluar për shumë familje, të cilat tani ishin fushuar pranë televizorëve të tyre. Po ecja përgjatë shëtitores. Nga ana tjetër e rrugës ishte një bar i lagjes, në një ndërtesë të vjetër druri të ngjyer jeshil e bardh.
Hyra. Pas një jete të tërë të kaluar në bare, këto kishin humbur për mua çdo gjë zbabitëse. Kur kisha dëshirë të pija diçka, shkoja në pijeotre, blija çfarë kisha për të blerë dhe pastaj kthehesha në shtëpi dhe pija në vetmi.
Hyra dhe u ula mbi një fron larg turmës. Nuk ndihesha keq, thjesht ndihesha jashtë loje. Por nëse më vinte dëshira të dilja, ky ishte i vetmi vend ku unë mund të shkoja. Në shoqërinë tonë, pjesa më e madhe lokaleve interesante ose është kundër ligjit, ose është tepër i shtrenjtë. Porosita një shishe birrë dhe ndeza një cigare. Ishte një bar si shumë bare të tjera të lagjes.
Ardhësit njiheshin të gjithë mes tyre. Tregonin hoka të ndyra dhe shikonin televizor. Ishte një grua e vetme brenda, plakë, e veshur në të zeza, me një parrukë të kuqe në kokë. Kishte në qafë nja dymbëdhjetë gjerdanë dhe ndizte cigare pas cigaresh. Fillova të ndjej disi mall për dhomën time e vendosa të kthehem sapo të mbaroja birrën. Një kallëmkusur hyri në lokal dhe u mblodh kruspull bri meje. Nuk i ngrita sytë për ta parë, nuk më interesonte, por nga zëri e kuptova se ishte pak a shumë i moshës sime.
Ishte i njohur atje brensa. Baristi iu drejtua duke e përmendur me emët dhe do klientë e përshëndetën. Qëndroi i ulur pranë meje me birrën e tij për nja tre katër minuta, pastaj tha: “Ej, si ia kalon?”
“Ia kaloj.”
“Je i ri në këtë zonë?”
“Jo.”
“Nuk të kam parë kurrë këtu.
Përktheu: SKËNDER BUÇPAPA

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.