Nje historik i jetes se Dritero Agollit

Dritëro Agolli lindi më 13 tetor 1931 në Menkulas të Rrethit të Devollit afër Korçës dhe u nda nga jeta më 3 shkurt 2017 në Tiranë. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, vazhdoi gjìmnazin e Gjirokastrës, një shkollë me mjaft traditë. Ai vazhdoi studimet e tij në Falkutetin e Arteve në Shën Petersburg. Ka punuar shumë kohë gazetar në gazetën e përditshme “Zëri i popullit”, dhe për shumë vjet ka qenë Kryetar i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë. Për tridhjetë vjet me radhë Dritëro Agolli u zgjodh deputet. Krijimtaria e tij letrare është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj. Është fitues i disa çmimeve dhe i nderimeve të tjera. Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në Perëndim e në Lindje. Dritëro Agolli hyri që në fillim në letërsinë shqiptare (vitet’60) si një protagonist i saj, duke i ndryshuar përmasën e së ardhmes. Në veprën e Agollit e pa veten si protagonist bujku dhe bariu, fshatari dhe studenti, malësori dhe fusharaku. Agolli i bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore. Vepra letrare e Dritëro Agollit krijoi traditën e re të letërsisë shqiptare. Ajo na bën të ndihemi me dinjitet përballë botës së madhe. Shkrimtar i madh i një “gjuhe të vogël”, ai është po aq i dashur prej lexuesve bashkëkombas, sa dhe në metropolet e kulturës botërore. Dritëro Agolli dhe brezi i tij letrar (vitet ’60) nuk u paraqitën me ndonjë poetikë të re, sido që u diskutua mjaft edhe për rimën dhe ritmin, për vargun e lirë dhe vargun e rregullt, për “rreptësinë” e poezisë. Më shumë përvoja e tij krijuese, se traktatet teorike, bëri që të ndryshohej rrënjësisht tradita e vjershërimit shqip. Dritëro Agolli u shfaq në letërsi si një autor me kërkesa të larta për poezinë. Ai synoi një poezi më të përveçme, me më shumë individualitet. Agolli krijoi poezinë e “un-it”, përkundër poezisë së “ne-ve”, që shkruhej “për të bashkuar masat”. Agolli krijoi një model të ri vjershërimi në problematikë dhe në mjeshtërinë letrare, gërshetoi natyrshëm vlerat tradicionale të poezisë me mënyra të reja të shprehjes poetike. Thjeshtësia e komunikimit, mesazhet universale dhe shprehja e hapur e ndjeshmërisë janë shtyllat e forta ku mbështetet poezia e tij. Në prozën e tij Agolli solli risi vetëm në strukturën narrative, por dhe në galerinë e personazheve të veta. Ata janë sa të çuditshëm aq dhe të zakonshëm, sa tragjikë aq edhe komikë, sa të thjeshtë aq edhe madhështorë. Frazeologjia e pasur popullore dhe filozofia jetësore e bëjnë përgjithësisht tërë veprën letrare të Agollit sot për sot ndër më të lexuarën.Në moshën 85 vjeçare ndahet nga jeta me një semundje kronike në mushkëri por, ai do të mbetet një nga figurat më të shquara të penës shqiptare. Disa fakte për jetën e tij: -Në moshën 9-vjeçare përfshihet në Luftën Nacional Çlirimtare. Merr detyrën si korrier i çetave partizane. Një përvojë që Agolli e përmend shpesh në kujtimet e tij. -U martua për të dytën herë në moshën 34-vjeçare me Sadijen, më 4 tetor të vitit 1965, me të cilën ka dhe dy fëmijë, Artanin dhe Elonën. -Me Sadijen u njoh në dasmën e Ismail Kadaresë me Helenën, në vitin 1963, në shtëpinë e Kadaresë. Agolli pyet pedagogun e Letërsisë, Naum Prifti, për vajzën që studionte për Letërsi në Universitetin e Tiranës. -Për herë të parë u martua gjatë kohës që ishte me studime, me rusen Nina, në vitin 1956, kur ishte 25 vjeç. Martesa zgjati shtatë vite, derisa Shqipëria prishi marrëdhëniet me Rusinë. Nga martesa e parë Agolli ka një djalë, Arjanin, i cili jeton në Rusi. -Në Rusi, Agolli u kthye pas 31 vitesh që nga ndarja e tij me gruan e parë. Udhëtimin e tij në Shën Petërburg e bëri në vitin 1991, kur mes Shqipërisë dhe Rusisë nuk kishte më sistem komunist. -Ditëlindja e Dritëro Agollit përkon me rilindjen e një tjetër gjiganti të letrave shqipe. Më 13 tetor ka lindur Millosh Gjergj Nikolla. Në të njëjtën datë, 20 vite më pas, lindi dhe Dritëro Agolli. -Pas përfundimit të gjimnazit në Gjirokastër, Agolli bëri kërkesë për të vazhduar shkollën e lartë për Zooteknikë. Siç thotë vet Agolli, edhe pse kishte botuar poezitë e para, mendonte se letërsia mund të zhvillohej vetë edhe duke ndjekur rrugë të tjera në jetë. -Kërkesa për të ndjekur studimet për Veterinari i dërgohet ministrit të Arsimit, Karahman Yllit, i cili e kishte fiksuar emrin e poetit të ri. “Ky djalë ka botuar vjersha, ndaj nuk ka për të studiuar për Veterinari, por të shkojë me studime për Letërsi”, kanë qenë fjalët e ministrit që i ndryshuan rrjedhën e jetës Agollit. -“Para se të bëhesha student, kur isha nxënës, ëndërroja të bëhesha veteriner, sepse më pëlqenin shumë kafshët. Unë mbaja një manar, një sheleg manar dhe ai flinte me mua, unë flija në atë shtrojën me dërrasa, ndërsa ai flinte poshtë nën mua. Nuk më ndahej kudo që shkoja. Më kujtohet, kisha një kalë në shtëpi, shumë të mirë. Edhe në dasma shkoja me të; ne djemtë shkonim në to se kush do t’ia çonte shaminë e nuses i pari në vatrën ku martohej dhe këtë punë bënim me kalin e shpejtë. Një mbrëmje kali ishte shtrirë në haur. Mua më dukej sikur qante, dhe qante vërtet. Vete në shtëpi dhe them se kali po qan. “Jo mor, – më thanë, – se nuk shtrihet kali, ai edhe kur fle, fle në këmbë”. Vajtëm të gjithë dhe vërtet kali ishte shtrirë, na pa një herë të fundit dhe vdiq. Kjo më ka mbetur merak dhe prandaj kërkova të bëhem veteriner kur mbarova gjimnazin”, ka thënë Agolli në një intervistë për dëshirën e tij për t’u bërë veteriner. – Gjatë kohës së komunizmit, Agolli ka mbajtur këto detyra, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe deputet në disa legjislatura. -Dritëro Agolli ka qenë që në vitet ‘90 anëtar i Partisë Socialiste, duke dhënë një kontribut të veçantë në reformimin e kësaj partie. Agolli ka qenë deputet i Partisë Socialiste që nga viti 1992 deri në vitin 2001. Ai ka qenë gjithashtu edhe anëtar i kryesisë së kësaj partie për vite më radhë. -Dritëro Agolli ka thyer edhe parimin se vetëm pas vdekjes bëhesh legjendë. Përgatiti: Kejdi Kraja

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.