Nje historik per Gjergj Fishten…

Poeti i madh Gjergj Fishta është një nga vazhduesit autentikë dhe të drejtpërdrejtë të Rilindjes Kombëtare, shprehës i idealeve atdhetare dhe demokratike në kushtet e krijuara në shekullin e njëzet dhe kjo shprehet në mënyrë të dukshme edhe në mënyrat e pasqyrimit të jetës në krijimtarinë e tij, si vazhdim i natyrshëm i teknikës letrare të Rilindjes, ku mbizotëron romantizmi, realizmi dhe klasicizmi. Gjergj Fishta lindi në fshatin e vogël Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871. Fillimisht punoi si bari, por shumë shpejt, kur ishte 6 vjeç, zgjuarsia e tij i bie në sy famulltarit të fshatit, i cili e dërgon Fishtën në Seminarin Françeskan të Shkodrës. Më 1880, kur hapet seminari në Troshan, ai vijon mësimet në këtë shkollë. Këtu ai shfaqi trillin poetik. Më 1886 dërgohet për studime në Bosnjë. Vitin e parë e kaloi në Guçjagorë, afër Travanikut. Mësimet filozofike i mori në kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos. Të kësaj kohe janë edhe “Ushtrimet e para poetike”. Më 1893 i kreu studimet shkëlqyeshëm. Gjergj Fishta ishte i pari shkrimtar shqiptar, i propozuar për çmim ‘Nobel’, prozator, poet, përkthyes; “Militant i letërsisë shqipe” – cilësuar nga Lasgush Poradeci dhe “Poet kombëtar i shqiptarëve” nga Eqrem Çabej. Poezinë e parë Fishta e botoi në “Albania”, më 1899, me pseudonimin e popullit. Gjatë veprimtarisë së dendur botuese, e cila përveçse në librat, u publikua edhe në 15 gazeta e revista të kohës brenda edhe jashtë vendit, veprimtaria e tij përfshin 40 vite të jetës, ku ai përdori 24 pseudonime. Si krijues Fishta, në radhë të parë ishte poet. Përkushtimin më të madh e pati ndaj epikës. “Lahutës së Malësisë”, veprës së jetës, ai i kushtoi 40 vjet punë. Me administrimin ndërkombëtar të Shkodrës, drejtoi të përkohshmen “Hylli i Dritës”, por u mbyll pas një viti prej autoriteteve të qytetit prej artikujve thumbues të vetë Fishtës. Për shkak të qëndrimeve të tij, autoritetet lëshuan urdhrin që të syrgjynosej në Maltë, gjë për të cilën u strehua ndër famullitë e krahinës dhe krerët e klerit ndërhynë që t’i pezullohej urdhri i mërgimit. Me pushtim-administrimin austro-hungarez pas 1916, botoi fletoren “Posta e Shqypniës”. Po atë vit çoi shtypshkronjën në Shkodër, e cila do të marrë emnin Shtypshkroja Françeskane, pra françeskanët që deri atëherë botonin tek shtypshkronjën “Nikaj”, tashmë do t’i botonin vetë. Më 6 qershor 1921 u zgjodh deputet i prefekturës së Shkodrës. Fishta në fillim zgjidhet anëtar e më vonë kryetar i komisionit të buxhetit, anëtar i komisionit të arsimit dhe në gusht të atij viti zgjidhet nënkryetar i Parlamentit. Kur iu desht ta linte, propozoi Marlaskajn si zëvendësues. Në tetor sivëllaun Dodajn, shkuan në Romë për të takuar Kryetarin e Urdhnit dhe u pritën nga Papa Benedikti XV, ku morën ndihma për hapjen e shkollës publike me emrin “Illyricum”. Në fillim të 1922 niset për në Mbretërinë e Bashkuar, në shkurt 1922 nga Liverpool, pas 12 ditëve mbërrin në Amerikë. Takoi senatorë katolikë, të cilët ndikuan tek Henry Cabot Lodge, i Partisë Republikane, duke bërë kësodore të mundur hapjen e dyerve për njohjen diplomatike Shqipërisë së pavarur. Pas pushtimit italian, më 3 qershor 1939 Fishta emërohet akademik i Italisë. Më 1940, Papa Piu XII e priti atë në një audiencë të gjatë në Selinë e Shenjtë në Vatikan. Si me autorë të tjerë të rinj, me ardhjen në pushtet të regjimit komunist, Fishta u shpall “armik i popullit” dhe si autor u ndalua sepse kryevepra e tij Lahuta e Malcís është anti-sllave. Ndër akuzat e tjera që i bëheshin postum qenë edhe pranimi i medaljes së dhënë nga sulltani, të qenët agjent i austro-hungarezëve kur botonte Posta e Shqypnís si dhe për mosrefuziminin e titullit akademik i Akademisë së Shkencave të Italisë fashiste pasi kjo pushtoi Shqipërinë. Për Arshi Pipën, arsyeja e vërtetë me të cilën mund të shpjegohej fishtofobia e partisë, është sepse ishte gegë dhe prift katolik. Në fushën e letrave Fishta lëvroi gjini të ndryshme si poezinë epike ashtu edhe atë lirike, satiriken, dramën, publicistikën edhe përkthimin. Si ndër më përfaqësuesit të poetëve romantikë, shkroi vepra që zhvillojnë tema të poezisë gojore dhe të traditës, duke u mbështetur shumë mbi modelet stilistikore folkloike, duke përfshirë edhe metrikën folklorike. Ka të dhëna që ka lënë piktura dhe po ashtu qe arkitekti i njërës prej kishave të Shkodrës.Ka botuar 9 tekste dramatike. Më 30 dhjetor 1940 Fishta ndërroi jetë. Në valën e Revolucionit Kulturor, më 20 mars 1967 eshtrat e Fishtës me urdhër të strukturave të shtetit komunist zhvarrosen nga Kisha Françeskane e Gjuhadolit. Sipas një dëshmie, eshtrat e tij me të sivëllezërve të tjerë u hodhën pas tri ditëve në lumin Drin. Por dëshmi të tjera përcjellin se dikush i shpëtoi dhe u varrosën tinëz sërishmi në varrezat e Rrëmajit në Shkodër. U rivarros më 1996.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.