Nje punim mbi “Dashnori japonez” – Isabel Allende

“Dashnori japonez” – Isabel Allende

Në romanin “Dashnori japonez” të autores Isabel Allende ngjarjet zhvillohen në dy kohë: në të tashmen, ku rrëfimi merr jetë në një azil pleqsh (Lark House) dhe në të shkuarën, ku rrëfehet historia e Alma Belaskos që nga fëmijëria e në vazhdim. Lark House është një azil që mirëpret të moshuarit. Është i ndërtuar në formë piramide, me nivele. Në nivelin ose katin e parë janë vendosur ata mysafirë që janë ende në formë të mirë dhe janë qeraxhinj. Kati i dytë mban të moshuarit që kanë nevojë për shërbimet bazë. Kati i tretë mund të quhet paradhoma e Parajsës, ndërsa i katërti është Parajsa ku qëndrojnë ata që po japin shpirt.
Emri i azilit do të thotë “Shtëpia e laureshave”. Lauresha është zog i vogël këngëtar dhe në vepër simbolizon të moshuarit, tashmë janë “të vegjël”, të mpakët nga mosha si dhe faktin që ata “këndojnë”, rrëfejnë, kanë plot histori e ngjarje për të treguar, e natyrisht kanë kohë me bollëk.
Irina Bazili, 23 vjeçarja moldave, fillon punë në Lark House. Me kohën ajo bëhet ndihmësja personale e piktores 80 – vjeçare të pasur, Alma Belasko. E moshuara ka një nip të preferuar, Setin. Irina dhe Seti bëhen bashkë për të zbuluar se kush ja dërgon letrat e lule gardeniat Almës, si dhe për të zbuluar se ku zhduket ajo herë pas here.
“Pas një viti që punonte për Almë Belaskon, Irinës i lindi dyshimi i parë se gruaja kishte një dashnor. Alma nisej me nxitim, si një nuse e re, pa lënë fjalë se ku po shkonte dhe as se kur mendonte të kthehej. Një herë në javë Almës i mbërrinte një konfeksion me tri gardenia. Nuk mbante emrin e atij që e dërgonte apo të luleshitësit por Alma nuk shfaqte as befasi e as kureshtje. E kishte zakon të merrte në Lark House një zarf të verdhë, pa dërgues.”
Kurioziteti i dy të rinjve është i madh dhe në një nga përçapjet e tyre për të mësuar më shumë, Alma u rrëfen historinë e saj që nga fëmijëria. Në pranverë të ’39, Alma Mendeli, një vajzë 8 vjeçare polake niset nga Polonia drejt San Franciskos për të qëndruar te tezja e saj Liliana dhe ungji Isak Belasko. Prindërit e saj ishin marrë vesh me ungjërit për të strehuar vogëlushen për shkak të luftës. Alma u rrit në famijen Belasko, ku mori edukim, strehim miqësi e dashuri. Lidhi miqësi me kushëririn Nataniel disa vite më i madh se ajo, miqësi që me kohën do shndërrohej në dashuri e do përfundonte në martesë.
Gjatë fëmijërisë tek Belaskot, Alma u njoh e u miqësua edhe me djalin e vogël të kopshtarit japonez të shtëpisë, Ikimei Fukuda. Fëmijët u lidhën shumë bashkë dhe kur komuniteti japonez u detyrua nga amerikanët të grumbullohej në kampe përqëndrimi, Ikimei dhe Alma u ndanë por vijuan t’i shkruanin njëri – tjetrit.
Allende i jep forcë dashurisë së kopshtarit dhe Almës duke e bërë atë të qëndrueshme e njëkohësisht të lehtë. Dashuria mes tyre ndizet, rindizet, qëndron e ndjehet në çdo moment. Të dy martohen me njerëz të ndryshëm por vijojnë të takohen, të duhen, të kënaqin njëri – tjetrin në një dhomë të lirë moteli.
Në një tjetër kontekst dashuria e tyre do të figuronte banale, e ndyrë, e njollosur. Do duhet të ishin dy tradhëtarë, dy gënjeshtarë. Por autorja i vërtit krejt natyrshëm dy personazhet në lëmin e dashurisë. Nuk është faji i tyre që nuk mund të martohen bashkë. Shoqëria me rregullat e saj të ngurta, me dallimet racore, shoqërore, ekonomike bëhet pengesë serioze për dashurinë.
Racizmi është një nga temat e prekura në libër. Trajtimi i tjetrit në bazë të ngjyrës së lëkurës, rreziku i verdhë (prezenca e japonezëve në Amerikë) pas përplasjes së Japonisë me SHBA-në përbën disa kapituj më vete.
Allende përshkruan një botë ku secili prej personazheve nuk arrin të gjejë veten. Urrejtja ka mbirë mes njerëzve dhe çdokush përpiqet të jetojë pa bërë shumë bujë, veçanërisht ata që janë ndryshe. Një tjetër temë e prekur nga autorja është prostitucioni i vajzave të varfra, të pashkolluara nga vendet e pazhvilluara.
Romani përmban edhe tema që e bëjnë lexuesin t’i ngrihet shpirti peshë nga çiltërsia, sinqeriteti dhe forca e karakterit. Personazhe si ai i mjekes Katerinë Hopi janë tregues të forcës, vullnetit dhe dëshirës për të jetuar.
“Katerinë Hopi ishte në këtë botë vetëm falë vullnetit të saj të fortë dhe mrekullive të kirurgjisë.Duke u ngjitur në mal, kishte rënë dhe kishte mbetur e zënë midis dy shkëmbinjve, me këmbët dhe legenin të frakturuar. U zgjua nga koma dy muaj më vonë.Pas 14 ndërhyrjesh kirurgjikale dhe vitesh të tëra riaftësimi, Katit iu desh të pranonte se nuk do të ecte më. E duroi palëvizshmërinë që do të çmendte çdo njeri tjetër atletik dhe energjik siç kishte qenë ajo.”
Kati edhe pse në karrige me rrota ndihmonte në laboratorin e krijuar brenda Lark House- it dhe merrej me pacientët.
Një tjetër temë mjaft e spikatur në letërsinë e Allendes është dhe eutanazia. Ndeshet në romanin “Paula” ku autorja flet për të bijën dhe vendimin e rëndësishëm që duhet të merrte.

Eutanazia në romanin “Dashnori japonez” adaptohet disi më lehtë pasi duke qenë një azil të moshuarish bëhet më i pranueshëm. Drejtori i azilit nuk pranon futjen e eutanazisë, kjo për shkak të opinionit publik. Në libër del një tjetër rast ku autorja e fut eutanazinë, rasti i Natanielit të sëmurë me AIDS. Alma, si bashkëshorte legjitime e tij dhe Leni, dashuria e madhe e Natanielit (ishte homoseksual) pasi kanë disa muaj që kujdesen për të, e lusin të sëmurin që të mos luftonte më me vdekjen.
“Nëntë muaj më vonë, trupi i Natanielit ishte katandisur në skelet, ajri mezi arrinte të depërtonte në labirintin e bllokuar të mushkërive, ishte viktimë e një etjeje të pashuar, lëkura ishte e mbuluar me plagë, kishte humbur zërin dhe mendja i endej në përçartje të tmerrshme. Një të diel të përgjumur, kur ishin vetëm në shtëpi, Alma dhe Leni iu përgjëruan Natanielit të reshtte së luftuari dhe të ikte i qetë. Natanieli hapi sytë dhe lëvizi buzët duke formuar një fjalë të heshtur: faleminderit. E interpretuan për çka ishte në të vërtetë: urdhër. Leni e puthi në buzë para se ti injektonte një overdozë morfine në flebo.”

Ta lësh të dashurin të shkojë i qetë, mos ta shohësh të vuajë, në njëfarë mënyre është një lehtësim, duhet të dhembë shumë por mënyra se si e sheh autorja e bën gati – gati një veprim të pranueshëm dhe një shprehje dashurie ndaj personit që po vuan e që nuk ka shpresë për jetë.
Personazhet e autores preferojnë të përballen me dhimbjen e humbjes se sa të zgjasin pambarimisht dhimbjen e vuajtjen e njeriut të dashur.
Letërsia e Isabel Allendes mbart një larmishmëri tematikash që shpesh herë lexuesi nuk është i përgatitur për t’i përpunuar. Por mënyra se si ajo i servir është gjithmonë e natyrshme e kjo është një nga veçantitë e letërsisë së saj.

 

Xheni Shehaj

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.