“Zotit-Po thon’- I arthtë keq për mua!”
Po as m’a fal pendimin as ia dua.”
“Fito një zemër, puthe dhe rrëmbeje
Dhe adhuroje si Altar prej feje.”
“E prisnja! Si rrufeja më tronditi!
E dashura më shkoi, më neveriti:
S’e ç’monja kur e kisha… Ah! Ç’ma priti!
Ne Ferrin nga Parajsa më vërtiti.”
“Nga hidhërim’ I ndarjes jam përpirë,
Sa e sa herë zemra m’është grirë:
Ty natën të kujtonj e psherëtinj,
Nga malli digjem, si qiri kam shkrirë.”
“Kur s’dhëmp e s’shëmp nuk është Dashuri.”
“Për ty be të heth në det dhe nderin;
Në shkelqa fjalën, shkelmin nem dhe vrerin:
Në mos mjaftoftë jeta ime e zezë,
Lanj borxhin në të Funtmin Gjyq me Ferrin.”
“Në botë kotësira mos lakmo,
Të mirat e të ligat ia harro:
Kthjello e zemrën si ky Qiell I kaltër,
Si Yll më ndrit, si Diell perëndo.”
“Si merimanga vallë pse t’a tjerrim
Perin e Jetës, kur pastaj e ç’tjerrim?
Ç’do të fitojmë kur aspak s’e dimë
Frymën që marrim jasht’ a do ta nxjerrim?”
“Ditën e shkuar fare e harro
Dhe për të nesërmen mos u çkallmo:
Gëzo një çast të lumtur, faqebardhë,
Dhe Jetën në erë mos e çkatërro.”
“Të shkuarat mos I kujto me lot
Dhe për të pritmet mos u loth më kot:
Sa kohë në livadhin je, kullot;
Nga drapr’ I Vdekjes nukë shpëton dot!”
“Ç’fitoj me ardhjen time Gjithësia?
Me ikjen a m’I prishet bukuria?
Përse me kaqë lot po vijm e ikim?
ves më kot,- s’përgjigjet Perëndia.”
“Kjo botë: Ëndrr’ e shkurtër që shikojmë;
Ky lumë: Gjyrm’ e lotit që lëshojmë;
Ferri: Shkëndij’ e zjarrit që kalojmë;
Parajsa: çast I prehjes që gëzojmë!”
“Ç’gojë memece, Evë, puthe vallë
që na ke bërë shurdhër e të marrë?”
“Të paskan parë ca të shënjtëruar
Kur unë me qiri të kam kërkuar:
Bëj ç’munt, po je dhe mbetsh I mbuluar;
S’të qenj gjëkunt; më ndje, Zot I bekuar!”
“Kur vete mirë, lavdi pastë Zoti!
Kur vete keq, më kot po derdhet loti,
S’pyetesh as për gas as për vajtim;
Durim!- Kështu I Urti tha që moti!”
“T’a dinte ç’flamur helmi kish në bark,
S’më nxirrte në mejdan askurrë mëma!”
“Lavdi me Ty, O Zot! Të paktën unë
Nga çdo e mirë u shkelmova.”
“Mos qa, or mik, mos u mërzit më kot,
Se rrotën Botës nuk I ndreqim dot
Po rri mënjan’ I qet’ e bëj sehir
Shakatë që na bën I Madhi Zot.”
“Të Madhit Muhamet I çon selam
Dhe e pyet Imami Omar Khajam:
‘O Pejgamber, më thuaj, mora man,
Pse dhallën bën hallall, verën haram?’
Përgjigjet Muhameti me selam:
‘S’më more vesh, Imam Omar Khajam!
Dhalla hallall për lolot, mora man,
Verën për t’Urtët nuk e bënj haram!’”
“Fe kundër Fesh pa funt luftojnë,
Rrobat e çjera gjithënjë arrnojnë,
I hodha që të gjitha tej e tutje,
Se perëndinë s’e përfaqësojnë.”
“Po sikur t’ishe Vet’- O Zot- njeri,
A do t’a deshe këtë tru të mpirë?”
“Kur t’ep I marri mjaltë hidhe tej,
Kur t’ep I Urti vrer, e merr, e pi.”
“Zot, pse ma theve Poçen e skalitur?
Zot, pse ma thave Kopshtin e stolisur?
Tani më thuaj, cili është I dehur:
Un’ apo Ti, që sillesh si I krisur?”
“Kush rroj mi Tok’ e s’mëkatoj? Më thuaj!
Ay që s’mëkatoi a rroj? Më thuaj!
O Zot, kur keq për keq m’a kthen një lloj,
Mos qenkemi të dy një soj? Më thuaj!”
“Më linde pas dëshirës fuqiplote,
Më le të mbytem nëpër llom’ e lotë;
Tani tregomë çështë më e fortë:
Mëkati im, apo Mëshira jote?”