Orhan Pamuk – I vetëm me fjalët

Për mua, të jesh shkrimtar, kjo është të zbulosh me durim, përgjatë vitesh, personin e dytë, të fshehur, që jeton brenda nesh, dhe një botë e cila pjell jetën tonë të dytë: shkrimi më sjell ndërmend në rradhë të parë, jo romanet, poezinë, traditën letrare, por njeriun që, i mbyllur në dhomën e tij, mbyllet në vetvete, i vetëm me fjalët, dhe duke bërë këtë, hedh themelet e një bote të re. Ky burrë, ose kjo grua, mund të përdorë një makinë shkrimi, një kompjuter, ose, siç unë, mund të kalojë tridhjetë vjet duke shkruar me stilograf dhe mbi letër. Duke shkruar, ai mund të tymosë, të pijë kafe ose çaj. Herë pas here mund të hedhë një sy jashtë, nga dritarja, mbi fëmijët që luajnë në rrugë – nëse e ka këtë fat, mbi pemët, mbi një peizazh – ose dhe mbi një mur qorr. Ai mund të shkruajë poezi, teatër ose siç unë, romane. Të gjitha këto larmi janë dytësore në lidhje me aktin thelbësor të të ulurit në një tavolinë, dhe të të zhyturit në vetvete. Të shkruash do të thotë të përkthesh në fjalë këtë vështrim të brendshëm, të kalosh në brendësi të vetes, dhe t’i gëzohesh lumturisë së të hulumtuarit me durim, dhe këmbëngulje, të një bote të re. I ulur në tavolinën time, ndërsa rreshtoja fjalët mbi fletë të bardha, dhe kjo me ditë, muaj dhe vite, unë ndjeja të ndërtoja këtë botë të re, siç ndërtojmë një urë, apo një kupolë, dhe të zbuloja në mua një si person tjetër. Fjalët për ne, shkrimtarët, janë gurët me të cilët ndërtojmë. Vetëm duke i marrë në dorë, duke i vlerësuar njëra me tjetrën, duke i hetuar nganjëherë së largu, nganjëherë përkundrazi duke i peshuar dhe përkëdhelur me majën e gishtave dhe të stilografit, është kjo që ne e vëmë secilën në vendin e vet, për të ndërtuar përgjatë vitit, pa humbur shpresë, pa u ndalur dhe me durim.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.