Oscar Wilde – Peshkatari dhe shpirti i tij.

Oscar Wilde - Peshkatari dhe shpirti i tij. - ARRATISJE.AL

Njëherë e një kohë, në një fshat të largët, një peshkatar shkonte çdo natë në det dhe hidhte rrjetat e tij në ujë. Kur era frynte nga toka, nuk kapte asgjë. Kur era vinte nga thellësitë e detit, atëherë rrjetat mbusheshin me mijëra peshq. Një natë rrjetat e tij ishin kaq të rënda, sa që nuk mund t’i tërhiqte në barkë. “Bo! Bo! Me siguri kam kapur të gjithë peshqit e detit ose ndonjë përbindësh të madh që vetëm në oqeane të mëdhenj mund të gjesh”.

Kur arriti të nxjerrë rrjetën në sipërfaqe, nuk pa asgjë, përveçse një sirenë të vogël e cili flinte, pa kuptuar asgjë. Peshkatari sapo e pa, humbi të folurën. Ishte aq e bukur sa asnjë grua tjetër nuk kishte parë kurrë të kishte bukurinë e saj. Flokët e saj të lagura dhe të bardha si ari, binin mbi supet e saj. Trupi i saj ishte i bardhë dhe bishti dukej si të ishte mbuluar nga mijëra perla.

Peshkatari nuk mundi të përmbahej dhe shtriu duart duke e mbajtur fort në krahë. Sirena u zgjua dhe u frikësua aq shumë saqë i kërkoi peshkatarit ta linte të shkojë, sepse ishte vajza e vetme e mbretit të botës së ujit. Atëherë peshkatari i vogël, pasi u mendua pak dhe për shkak se nuk donte ta humbiste, tha se do ta linte të largohej, mjaftonte që, sa herë ta thërriste, të dilte mbi shkumën e detit dhe t’i këndonte me zë të ulët. Sirena i premtoi dhe kështu u bë.

Çdo natë peshkatari i vogël shkonte në të njëjtin vend dhe e thërriste. Dilte atëherë ajo dhe këndonte aq ëmbël, sa që të gjithë peshqit mblidheshin rreth saj për ta dëgjuar dhe delfinët vallëzonin në shkumë. Peshkatari magjepsur harronte rrjetat dhe peshkun e tij, dhe i dashuruar siç ishte, rrinte vetëm ulur dhe shihte sirenën e bukur, duke dëgjuar këngën e saj.

Derisa një natë nuk mund të duronte më vetëm ta shihte Sirenën pa e prekur dhe pa jetuar me të dhe i tha: “Sirenë, Sirena ime, të dua dhe dua të jem bashkëshorti yt. Dua që jetën time ta kaloj me ty”. Por sirenë e vogël tundi kokën. “Ti ke shpirt njerëzor. Nëse arrin të dësbosh shpirtin tënd, atëherë unë do të jem në gjendje të të dua dhe të vish me mua në botën dhe mbretërinë time”. Kjo është ajo që Sirena tha dhe u largua. Atëherë peshkatari mendoi: “Çfarë është shpirti dhe për çfarë na shërben? Kurrë nuk e kam parë dhe kurrë nuk e kam prekur. Pra, do të jetë diçka e panevojshme që kemi brenda nesh. Dhe sigurisht do ta dëboj, në qoftë se fitoj lumturinë që kërkoj, duke marrë për grua Sirenën e bukur”. Pa u menduar më shumë, shkon tek prifti i cili i tmerruar nga fjalët që dëgjoi i thotë me zemërim: “Kush të bëri magji dhe thua këto fjalë? Zoti ynë na ka dhënë shpirtin për të qenë njerëz të mirë dhe të sjellshëm. Të mendojmë dhe të bëjmë gjënë e duhur. Pa shpirtin dhe ndihmën e zemrës, njeriu bën gjërat më të këqija dhe asgjë nuk ka brenda tij, sepse nuk e dallon të mirën nga e keqja. Asgjë nuk vlen sa ai, dhe nuk ka sakrificë më të madhe se ajo që Zoti bëri për shpirtin. Vetëm largohu tani dhe mos të dëgjoj më të thuash gjëra të tilla “.

Por peshkatari i vogël i magjepsur nga Sirena e kishte marrë vendimin. Do të jepte shpirtin e tij dhe çfarë i tha prifti nuk i mendoi fare, sepse nuk i kuptonte. Më pas iu kujtua se kishte dëgjuar për një magjistare që jetonte në një shpellë në një mal të lartë dhe që mund të bënte çdo gjë. Mori rrugën peshkatari i vogël për në mal dhe, pasi eci shumë, pa nga larg një grua me flokë të kuqe duke mbajtur në duart e saj shumë bimë të çuditshme. E kuptoi se ishte magjistare dhe vrapoi drejt saj. “Dua ta dëboj shpirtin tim”, i tha me një zë që dridhej nga lodhja dhe ankthi. Magjistarja nuk e imagjinonte kurrë se dikush do të kërkonte diçka kaq të tmerrshme. U zverdh, kur e dëgjoi dhe në fillim nuk pranoi.

U përpoq t’i tregonte atij bukurinë e saj, sepse ajo ishte me të vërtetë e bukur, por peshkatari nuk donte asnjë tjetër përveç Sirenës sç tij të vogël. Dhe kur magjistarja pa se asgjë nuk mund të ndryshonte mendjen e tij dhe që e luste me lot në sy, nxori nga rripi i saj një kamë dhe i tha: “Ajo që njerëzit mendojnë se është hija e tyre nuk është …. Është trupi i shpirtit. Duhet të qëndrosh në breg të detit me shpinën nga hëna dhe të presësh hijen tënde rreth këmbëve të tua, duke e urdhëruar të ikë. Kështu vetëm mund të ndjekësh shpirtin tënd”. Dhe para se të mund t’i tregonte ndonjë gjë tjetër, peshkatari i vogël kishte arritur tashmë në breg të detit dhe bëri atë që i tha magjistarja.

Shpirti i tij, i cili ndjeu se donte ta dëbonte, filloi ta luste, por ai i kishte mbyllur veshët dhe gjithçka që mendonte ishte momentin që më në fund do të takonte të dashurën e tij. “Ik,” i thotë shpirtit, “nuk kam nevojë për ty. Nuk më ke bërë asnjë të keqe, por dhe nuk më ke ofruar asgjë. Nuk të dua më brenda meje”. “Të lutem!” i bërtiti shpirti. “Të paktën më jep zemrën tënde për të më bërë shoqëri, sepse bota është shumë e ashpër”. “Nëse të jap zemrën time, si do ta dua Sirenën time të ëmbël? Zemra ime është dashuria ime. Pra, mos më vono dhe largohu menjëherë!”. “Mirë,” i thotë. “Do të largohem. Por do të vij çdo vit në breg dhe do të thërras. Ndoshta do kesh nevojë për mua”, tha, dhe u largua. Peshkatari i vogël, i lirë tani, u zhyt në ujërat blu dhe vrapoi për të gjetur dashurinë e tij duke dëgjuar boritë në botën oqeanore që festonin ardhjen e tij. Pasi kaloi një vit, shpirti erdhi në breg të detit dhe thërriti peshkatarin e vogël.

Ai erdhi në sipërfaqe, iu afrua dhe e pyeti pse e kërkonte. “Shkova në botë mrekullish kur më le”, i thotë, “dhe kam ardhur këtu tani, sepse kam një dhuratë për ty. Të sjell nga Lindja pasqyrën e Urtësisë. Kushdo që e ka këtë pasqyrë është më i mençuri nga të gjithë të mençurit dhe të gjitha sekretet e botës janë të tijat. Gjithçka që duhet të bësh është të vish me mua”. “Dashuria është më e rëndësishme sesa Urtësia”, tha peshkatari i vogël”, dhe Sirena më dashuron”, dhe humbi në fund të detit. Viti tjetër erdhi dhe me të erdhi dhe shpirti. Thërriti përsëri peshkatarin e vogël dhe pasi iu afrua, i tha: “Kur më dëbove herë e fundit udhëtova në Jug dhe po të sjell nga atje unazën e Pasurisë. Kushdo që ka këtë unazë është më i pasuri nga të gjithë mbretërit e botës dhe të gjitha pasuritë që ekzistojnë janë të tijat. Të vetmen gjë që duhet të bësh, është të vish me mua”. “Dashuria është më e mirë se të gjitha pasuritë e botës”, u përgjigj peshkatari, dhe Sirena më do mua” tha dhe humbi sërish në detin e thellë blu.

Në vitin e tretë, shpirti u kthye në bregdet dhe i tregoi për një balerinë, që kishte dy këmbë të bardha dhe kërcente aq bukur, sa që dukeshin si dy pëllumba që fluturojnë në qiell. Dhe këtë herë, për shkak se Sirena nuk kishte këmbë, por bisht, peshkatari dëshironte shumë të shihte një grua me këmbë të kërcejë dhe kështu shpirti e bindi dhe e ndoqi atë. Por shpirti e mashtroi dhe e mori me vete në qytetet që shkonte, kur ishte vetëm dhe e vinte të bënte gjëra të këqija. Sepse kur e kishte dëbuar, nuk i kishte dhënë zemrën. Dhe shpirti, kur nuk është brenda njeriut dhe nuk ka zemërn për shoqëri, nuk di vetë për të bërë gjënë e duhur. Dhe ai mësoi në botën që shkoi, të bënte të këqija dhe të kënaqet me to.

Peshkatari i vogël nuk donte të bënin këto veprime, por nuk mund të shpëtonte prej shpirtit të tij, sepse magjistarja nuk i kishte treguar se, nëse hynte brenda shpirti përsëri, nuk do të mundte kurrë ta dëbonte. Të vetmen që mund të bënte ishte të lidhte duart e tij dhe të mbyllte veshët, që të mos dëgjonte urdhërat e këtij shpirti të korruptuar. Shkoi në breg të detit, ndërtoi një shtëpi të vogël dhe thërriste më kot të dashurën e tij për të dalë pak dhe ta takojë. Vitet kalonin dhe Sirena nuk dilte. Por ai e thërriste mëngjes e darkë, duke shpresuar se një moment do të dilte. Shpirti që ishte me të dhe shihte se sa e madhe ishte dashuria e tij, iu lut me lot në sy që ta linte të kthehej përsëri dhe të ndiente dhe ai mirësinë e tij.

Djaloshi që e kishte kuptuar të keqen që i kishte bërë, kur e dëboi, u përpoq ta linte të hynte, por zemra e tij ishte aq e mbushur me dashuri sa nuk gjente hapësirë. Dhe kur shpirti filloi të hyjë brenda tij, u dëgjua një gjëmim i fuqishëm dhe deti u bë i zi, dhe dallgë të mëdha u përhapën mbi të. Sirena e vogël kishte vdekur dhe bota nënujore ishte në zi. Peshkatari shkoi shumë pranë detit dhe bërtiti: “Të tradhtova dhe ti u largova Sirena ime e ëmbël, por dashuria ime për ty mbushte gjithmonë zemrën time dhe, meqënëse nuk ekziston më, nuk mundem dhe unë të jetoj, sepse kam premtuar të jesh gjithnjë me ty”, tha, dhe ra në ujërat e errëta të detit së bashku me shpirtin e tij që kishte gjetur rrugën dhe i ishte bashkangjitur. Kishte të drejtë pra, peshkatari i vogël.

Dashuria ishte më e çmuara se çdo gjë që shpirti i kishte ofruar nga udhëtimet e tij. Por nuk e kishte kuptuar se, pa shpirtin brenda tij, çfarëdo që të ndiente, do të ishte gjysmake. Sepse shpirti e bën të madhe dhe të gjallë. Sa për dy të dashuruarit aty ku i gjetën, kishin lulëzuar lule të mrekullueshme dhe për herë të parë kishin parë fshatarët që lule të tilla të rriteshin në breg të detit….

 

Per me shume, lexo: KETU

Librin mund ta gjeni: LINK

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.