Pablo Neruda – Sa gjëra ndodhin në një ditë

Nesër sërish do takohemi ne.
Gjithçka u rrit brenda ditës:
tani po shesin rrush
domatet ndërruan lëkurë,
ajo çupka e lezetshme
nuk po shkoka më në zyrë.
Papritur e ndërruan postierin.
Nuk ka më letra si zakonisht.
Vjeshta praron gjethnajën –
pema u bë bankiere.
A është e vërtetë që toka plakë
mund të ndryshojë kaq shumë!
Vullkanet u shtuan për një ditë,
në qiell re të reja,
lumenjtë ndryshe rrjedhin.
sa shumë konstruksione ka gjithandej.
Unë vet bëra zbulimin
e qindra xhadeve dhe ndërtesave
urave shtathedhura dhe të kthjellta,
që u ngjanin anijeve me dy direkë dhe violinave.
Kur në një takim të ri
puth gojën tënde të çelur si lule
është tjetër shija e puthjes,
dhe buzët tona janë të tjera.
Dashuri, rroftë e qoftë gjithçka,
që vyshket dhe lulëzon.
Tungjatjeta, e djeshme dhe e sotme,
e pasnesërme dhe e pardjeshme.
Tungjatjeta, gur dhe bukë,
tungjatjeta, zjarr dhe shi,
Ajo që, duke u lindur dhe tretur,
bëhet sërish puthje.
Ajo, që na dhuron ajri,
dhe ajo që na dhuron toka.
Kur vyshket jeta,
na mbesin rrënjët,
kurse era gjembëzohet si mëria.
Atëherë ne ndërrojmë lëkurën,
thonjtë, gjakun dhe sytë.
ti më puth, dhe unë
shes dritën në rrugë.
Rrofshin e qofshin mesnata, mesdita,
dhe katër stinët e zemrës
Përktheu: Ben Meçe