Patrick Modiano – Tolstoi shkrihej me qiellin dhe peizazhin që përshkruante

Përfundimisht, cila është distanca e duhur ku duhet të qëndrojë një romancier? Anash jetës, për ta përshkruar atë, sepse nëse jeni brenda saj – në veprim – do të keni një imazh të turbullt. Por kjo distancë e vogël nuk e pengon fuqinë e tij për t’u identifikuar me personazhet dhe me ata apo ato që e kanë frymëzuar në jetën reale. Floberi ka thënë: “Zonja Bovari jam unë”. Dhe Tolstoi u identifikua menjëherë me atë që e pa të hidhej në shinat e trenit një natë, në një stacion të Rusisë. Kjo dhunti për t’u identifikuar shkonte aq larg, saqë Tolstoi shkrihej me qiellin dhe peizazhin që përshkruante dhe që ai e përthithte të tërin, deri dhe përplasjen më të lehtë të qerpikëve të Ana Kareninës. Kjo gjendje e dytë është e kundërta e narcizmit, sepse kërkon harrimin e vetes dhe përqendrim të madh në të njëjtën kohë, me qëllim që të ngacmohesh nga detaji më i vogël. Kjo kërkon gjithashtu njëfarë vetmie. Ajo nuk është mbyllje në vetvete, por falë asaj arrin një shkallë të tillë përqendrimi dhe largpamësie ndaj botës që të rrethon, që të mund ta zhvendosësh në roman.

Kam besuar gjithmonë se poeti dhe romancieri i veshin me mister qenie që duken të zaptuara nga jeta e përditshme, gjëra në dukje të zakonshme – dhe kjo si pasojë e vëzhgimit të vëmendshëm dhe në një mënyrë pothuaj hipnotike. Nën vështrimin e tyre, jeta e zakonshme mbështillet me mister dhe merr një lloj fosforeshence që nuk e kishte në pamje të parë, por e kishte të fshehur në thellësi. Roli i poetit dhe romancierit, por edhe i piktorit, është të shpalosë këtë mister dhe fosforeshencë të fshehur te çdo njeri.

Më shkon mendja te kushëriri im i largët, piktori Amedeo Modigliani, punimet më prekëse të të cilit janë ato për të cilat ka zgjedhur modele anonime, fëmijë dhe vajza endacake, shërbëtore, fshatarë, shegertë. Ai i ka pikturuar me penel të mprehtë, çka të kujton traditën e shquar toskane, Botticelli-n dhe piktorët sienezë të Quattrocento-s. Kështu ai u ka dhënë – ose më saktë ka zbuluar – gjithë hijeshinë dhe fisnikërinë që ndodhej pas pamjes së tyre të përulur. Puna e romancierit duhet të shkojë në këtë drejtim. Imagjinata e tij nuk duhet ta shformojë realitetin, duhet ta përshkojë në thellësi dhe ta vendosë këtë realitet para vetes së tij, me forcën e rrezeve infra të kuqe apo ultraviolet për të gjetur atë që fshihet pas dukjes. Dhe unë gati-gati besoj se në rastin më të mirë, romancieri është një lloj fallxhori, madje edhe vizionari. Dhe gjithashtu sizmograf, gati për të regjistruar lëvizjet më të paperceptueshme.

Gjithmonë kam ngurruar para leximit të biografisë së këtij apo atij shkrimtari që kam admiruar. Biografët shpesh merren me hollësi, dëshmi jo gjithmonë të sakta, me tipare karakteri që shkaktojnë hutim ose zhgënjim, dhe kjo më sjell ndër mend zhurmimet në disa emisione në radio që i bëjnë të padëgjueshme muzikën dhe zërat. Vetëm leximi i librave të tij na hap derën për në intimitetin e shkrimtarit, dhe vetëm aty ai është në formën e tij të plotë dhe na flet me zë të ulët pa patur asnjë zhurmues parazit aty rrotull.

Por duke lexuar biografinë e një shkrimtari, zbulojmë ndonjë ngjarje që ka lënë gjurmë në fëmijërinë e tij dhe është bërë matricë e veprës së tij të ardhshme, edhe pse ai mund të mos jetë gjithmonë i vetëdijshëm për këtë, kjo ngjarje, në forma të ndryshme, nuk u ndahet librave të tij. Sot, sjell në mend Alfred Hitchcock, ai nuk ishte shkrimtar, por megjithatë filmat e tij kanë forcën dhe kohezionin e një vepre romaneske. Kur i biri ishte pesë vjeç, babai i Hitchcock-ut e dërgoi t’i çonte një letër një miku të tij, komisar policie. Djali çoi letrën, polici e mbylli në një qeli nga ato ku mbahen gjatë natës kriminelë të ndryshëm. Fëmija, i trembur deri në palcë, kishte qëndruar aty një orë, pastaj komisari e kishte liruar duke i thënë: “Ti e di tashmë atë që të pret, nëse do të bësh diçka të keqe në jetë”. Ky komisar policie, me parime të çuditshme edukimi, është pa dyshim në origjinë të atmosferës së lënë pezull dhe ankthit që gjendet në të gjithë filmat e Alfred Hitchcock-ut.

(Fragment nga fjalimi në ceremoninë e marrjes së çmimit Nobel 2014/ Në shqip nga Blerta Hyska)

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.