Përshtypje për romanin “Kërkohet një vrasës”

Në mesin e jetës ndodh që vdekja vjen
të të marrë masën. Vizita
harrohet dhe jeta rrjedh. Por kostumi
është qepur në heshtje.
[Tomas Transtörmer]

Nuk e kam zakon të shkruaj përshtypje a parathënie (e as t’i filloj fjalitë me NUK), pasi besoj se shkrimi letrar e ka autoritetin dhe aftësinë të ndikojë vetë te lexuesi, pa nevojën për ndërmjetës; por ndërgjegjja xanxare nuk më la të qetë e më tha të mos hesht. Dhe dihet, teqeja e shkrimtarëve është veçse ndërgjegjja.

Po filloj me dy fjalë për autorin  i cili në këtë rast është i gjinisë mashkullore [Liridon Mulaj] e që në tjetër rast nuk do të më hante shumë meraku, sepse për shekuj me radhë kjo gjini në gjininë e letrave ka pasur privilegje me bollëk, ndryshe nga ne, gjinia “frymëzuese”  por për autorin si qenie e jetueshme e me moshë, qenie e cila është gati i papërfillshme nëpër revistat letrare po qe se nuk ka lindur në mes të shekullit të kaluar ose po qe se nuk ka në dorë interesa me botuesit e tyre. Një dukuri fort e çuditshme ndodh rëndom në lëminjtë e letrave: studiuesit merren me të vdekurit, ndërsa revistat letrare gati-gati merren me të para-vdekurit, domethënë ose me ata të vlerësuar nga regjimi i mëparshëm të mbetur ende gjallë [kritikën nuk po e përmend se është në koma dhe s’bën të bësh shaka]. Duket sikur letërsia vetë është bërë vlerë e dikurshme, old-fashion, e jo sikur gjallon e zhvillohet ende. Dikur mendoja se këta revistues janë ca përtacë: e pse të vlerësojnë të rinj, kur merren me ata që kanë një nam e nishan që prej kohësh; pastaj marrin gati prej të huajve ata që i kanë vlerësuar andej dhe ja ku dolën ballëlarë. Por ja që argumentin ma hedh poshtë fakti se këto revista letrare zakonisht i zotërojnë persona me moshë mesore dhe këtu nyja më bëhet gongla, se pjesa tjetër e ndërgjegjes më thotë se tagri i pikasjes së të rinjve dhe i shpalosjes së tyre është i përket kritikës (rahmet pastë) dhe këtu revistuesit dalin duarlarë. Por duke qenë se edhe vetë kam çuar rrallë-e-tek poezi për botim dhe nuk kam marrë qoftë edhe një përgjigje me e-mail [huq tangarllëku i sipërmarrësve privatë shqiptarë], i kujtova vetes betimin e shkrimtarit: “… në vetmi e në ironi, derisa vdekja të na ndajë…”, ndaj thashë se kësaj radhe ishte koha për të bëzajt. Ndaj po shkruaj.

Për veprën!
“Kërkohet një vrasës”. Shkruar si një faqe amaneti e mbledhur tub. Njësh kolonë. Si kolona e ceremonisë mortore që tërhiqet zvarrë si bisht. On block. Me paragrafë të rrallë. Rënduar nga heshtja e brendshme, lagështira e gjakut, vranësira dhe stuhitë vetëtitëse.
Flet për ngjarje të pashlyeshme që të trishtojnë sa herë shpirti varet në atë që mungon. Libër i shënuar me kryq, si dyert me tymin e zi të qiririt. Libër që të egërson, të bën ta lexosh me dhëmbët shtrënguar sikur të jesh duke duruar plagë. Libër që e çudit realitetin modern që i është dhënë dukut.
Flet për një kronikë që po bëhet kronike. Për atë të zezën. Korb. Korb që rri mbi një tabelë rruge. E kur tabela mungon, do të thotë se korbit i është shtruar gostia e tij e kobshme. Për ta shndërruar njeriun në flutur. Në një shpirt të paqashëm. Të psherëtishëm.
Rastësitë, rastësitë mund të jenë të tmerrshme për vdekje, por edhe për jetë. Rastësia është ajo që e mbyll dhe e hap jetën këtë libër, është një çelës qafe i metaltë  si mjetet e ftohta vrasëse  që njeriu i gjorë nuk e di se e ka të lidhur pas qafe, e që i luhatet diku në mes kraharorit që ulet e ngrihet së marri frymë. Rastësia e çon dashurinë të mbijë në toka të papërputhshme e të papajtueshme. Rastësia i vë të njëjtin emër dhe vrasësit dhe viktimës. Rastësia mbyll qarkun e shkurtër jetë-fatkeqësi-vdekje.
Flet për një grua zhytur në jetë me vdekjen në zemër. Që vdekja e kishte poshtëruar duke e detyruar të jetonte. Që dhimbja e kishte shndërruar në aktore të jetës së saj. Që rrënjët e shpirtit i qenë shkëputur nga ajo. Që trupi i dukej sikur i pat kaluar në vrimë të gjilpërës. Që zemra e shkrumbuar s’është veçse një kokë shamizezë. Që jeta e të gjitha kujtimet i shndërrohen në negativ filmi dhe zwri nw kujisje. Që ka mbetur si e vetmja gjethe në pemë, tundur prej pafuqisë, teksa sheh prej së larti gjethet e saj të shtrirë në tokë, fëmijët dhe bashkëshortin. Që prej kësaj është shndërruar në fosile të harruar nga qenia. Që kurrizi i kërmillohet prej gërmuqjes, fytyra i kërmillohet prej lotëve, shpirti i kërmillohet prej shëllirës së ditëve, gjestet i kërmillohen prej ngurrimit, e zemra i kërmillohet si zhguall. Që e mban në jetë vetëm një gur stralli: hakmarrja
Flet për një mundje dore mes dy krijuesve të jetës: gruas e Zotit [habia: krijuesi i librit është mashkullor], ku ajo ka në dorë jetën, e ai fatin. E këtu, mjafton një grua e njelmët, një qenie e shprishur, për të përshkruar një shoqëri të helmët, që nuk ka prift t’ia mësojë njerëzillëkun. Po një grua, PO mund të ta mësojë të qenët NJERI. Duke kapërcyer fillimisht veten.

Për mjeshtërinë.
Më kujton pikturën me dritë të Gjon Milit. Njësoj e ngadaltë, e mezilëvizshme, e pabesueshme, sepse çastet e rënda, ato tragjiket, zotërojnë fuqinë e ngadalësimit të kohës.
Një libër si pistë patinazhi në akull, shkruar me shenjat e gërvimave të lapsit.
Rrëfimi, i tjerrë prej reve me gri, një iso e gjatë sa fryma e një jete. Një penelatë ngjyrash të bruzta ku çdo qime e penelit lë një vragë të fortë si plagë.
Ka poezi aty brenda, melhemi që grasaton fytin për të treguar fatkeqësitë.
Ka një ndjeshmëri të rrallë, për t’iu futur emocionit nëpër zgavrat më të thella, për të zbuluar.
Ka një përshkrim të mprehtë e të nëndheshëm, i thellë duke cikur edhe atë që fshihet dritëhijeve. Ka portretizime të thepisura, që shkojnë përtej poreve, përmes indeve, nervurave e madje edhe kockës… janë palcërore.
Ka një mençuri të çuditshme për të përcaktuar kohën, personazhin, ndjenjën, ngjarjen, atmosferën.
Por shtylla që mban shtëpinë është filozofia me të gjitha nuancat e njerëzores: që nga brishtësia, te shpresa, te lutja, te malli, te brenga, te dhimbja, te mllefi, te hakmarrja… secila prej tyre është e veshur me pallton e rëndë të kuptimit se pse jetojmë. Është ajo, filozofia e jetës që e çon personazhin të thyejë çdo ligj letrar të ngjarjes, çdo ligj moral të shoqërisë, çdo ligj të kacafytjes së brendshme të marrë vendimin se NJERIU duhet të JETOJË. E njerëzishmja. Është kaq katërcipërisht e përmbysur filozofia jetës e parë me sytë e grave!

Shënim. Fjalitë me të pjerrëta janë shkëputur prej librit.

 

Rudina Cupi

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.