Petrit Duraj – Pandemitë vrasin në forma të llojllojshme

Ishte mësuar të ngritej herët në mëngjes. Rrezet e para të diellit e gjenin përpara pasqyres. Në të, për disa minuta e shihte fytyrën e saj të vërtetë. Pastaj i shfaqej egoja prej një perëndeshe të gjithëpushtetshme. Ato pak minuta që përballej me vetveten në pasqyrë, i urrente tejmase. Ajo e kishte mësuar pasqyren t’i bindej dhe pamjen e saj ta mbante gjatë, vetëm kur ishte e kuruar në detajin më të vogël.

Atë ditë, nga pafundësia e buzëkuqëve me të cilët e kishte pasuruar së fundmi koleksionin e saj, çuditërisht vendosi të lyente buzët me atë që kishte marrë dhuratë nga një i panjohur. Nuk ishte hera e parë që pranonte dhurata nga njerëz të panjohur. Në të vërtetë, njohja e saj me ata që i bënin dhurata, ishte disaminutëshe e ndonjëherë edhe disaorëshe. Mori çantën e markës më të shtrenjtë që kishte dhe hodhi krahëve pallton që mbulonte trupin e saj deri te mesi. Nuk bënte assesi të mos i vinte në pah shalët e bollshme dhe këmbët e gjata, që mendonte se e identifikonin nga “konkurrentet”, të cilat, mendonte se ia cënonin terrenin e shumëdëshiruar.

Çdo minutë për të pritur autobusin e acaronte dhe i dukej se ia humbte disa minuta cilësore nga takimet e përditshme. Për atë kishte gjithmonë diçka të re. Diçka interesante. Prandaj, mezi priste të njihej me risitë e ditës së re. Çuditërisht sot nuk erdhi asnjë autobus. Dielli kishte nxjerrë kokën goxha poshtë dhe ngrohtësia që përçonte e kënaqte pa masë. Një erë e lehtë pranvere ledhatonte vetvetiu shpirtin e saj. Atë shpirt, që nga brenda mbante peshë të rënduar mëkatesh. Teksa u bind se nuk do të vijë asnjë makinë për ta çuar afër destinacionit që e vizitonte vazhdimisht, u nis me fuqinë e hapave të saj. A nuk ishte dhe kjo një mundësi për të reklamuar bukurinë e këmbëve prej një drenushe? Pak para se të arrinte aty ku dëshironte, u habit kur pa një patrullë policore. Vetëm atëherë i vajti në mendje se nuk e kishte parë askënd përgjatë gjithë rrugës. Megjithatë, ajo vazhdonte pa e vrarë mendjen për ecajaket e munguara nëpër rrugë. Qëllimi personal ishte më i rëndësishëm sesa brenga për të tjerët. Në çast, dëgjoi një zë:

Zonjë, a mund ta shoh numrin personal të letërnjoftimit?

Ha ha ha – reagoi ajo.

Po e vriste mendjen se, ç’i hynte në punë një polici numri i saj i kartës së identitetit. Ajo kishte ndërruar numra telefoni pa fund. Kishte shkelur numra zyrash nga më të ndryshmit. Kishte rënë e ishte zgjuar në numra të ndryshëm dhoma motelesh e vilash. Kishte numëruar para me numra vlerash të jashtëzakonshme, pas rutinës ditore që kryente. Dhe askujt nuk i ishte bërë vonë për numrin e saj personal.

Zonjë, numri juaj i parafundit është 9, kështu që e keni shkelur rregullin e lirisë së lëvizjes.

Ajo nuk mund ta përceptonte në asnjë mënyrë që liria e saj ishte e kufizuar në 90 minuta. Të gjitha mund t’i pranonte, por lirinë për të vazhduar rrjedhën e jetës që adhuronte nuk mund ta pranonte në asnjë mënyrë. Si do të jetonte pa komplimentet e gënjeshtërta që merrte çdo ditë? Si do të mund të mos i dëgjonte tik-taket e takave që i shërbenin si ilaç për vesh? U kthye e lodhur nga rruga, me 100 pyetje që nuk gjenin përgjigje brenda saj. Pa në pasqyrë sytë e përlotur. Fshiu buzët. Hodhi në dysheme rrobat dhe u tret në mendime. Jeta e saj po bëhej çdo ditë më e pashpresë. Ajo do t’i humbte “miqtë” e saj. Në lirinë që ia përkufizonte numri 9, e kishte të pamundur të kridhej në rrugët që ia jepnin mundësinë ta bënte jetën që dëshironte. Numri 9 nënkuptonte se ajo mund të dilte nga ora 21 deri në 22 e 30.

Në atë kohë dielli do të kishte perënduar. Dritat do të ishin shuar dhe autobusët do të kishin ndaluar. Buzëvarur e turi vrenjtur ajo mallkonte botën. Atë botën e saj, e cila gjatë gjithë kësaj kohe i kishte dhënë liri të pafundme fizike, porse ia kishte kufizuar lirinë shpirtërore. Ditët e jetës së saj po bëheshin monotone… Ajo kishte filluar të zbehej. Tanimë nuk donte ta shihte veten në pasqyrë, as kur bënte kombinime buzëkuqësh sa për ta harxhuar pasurinë e fituar djersërisht. Mungesa e lirisë me të cilën ishte mësuar, kishte filluar ta çmendte. Epo, pandemitë vrasin në forma të llojllojshme…

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.