Pjesë nga letrat e Gustav Flober

Natën e së martës për të mërkurë, 15 shtator 1846

Bëhu e arsyeshme, puno, shkruaj diçka të madhe, të bukur, të përkorë, të ashpër, diçka që të jetë e ngrohtë përbrenda dhe madhështore në sipërfaqe, me të cilën të krenohem, dhe unë, nga thellësia e folezës sime, kur ta marr vesh se ata aty do të të duartrokasin, do të them me vete: “E ka shkruar duke menduar për mua!”
Përse e largon aq ashpër të mirin Filozof, i cili e ka kuptuar dhe të qorton për këtë? Ç’të ka bërë i gjori që e trajton keq? Mos i harro miqtë; dil me ta si më parë. S’dua të heq asgjë, më kupton? Përkundrazi dua të të shtoj diçka. O sa qesha me përshkrimin e hyrjes së Berangesë së Dymasë, kur ai pa zonjën në këmishë. Sa simpatik ky Dyma! Dhe çfarë zakonesh të bukura! A e di se atij njeriu, nëse i mungon stili në shkrimet e tij, e ka mërishëm brenda vetes? Ai vetë do të jepte një karakter tejet të bukur, por sa keq që një organizim kaq i shkëlqyer të bjerë kaq poshtë! mekanika! mekanika! bëj me çmim sa më të lirë, për një numër sa më të madh konsumatorësh. Nuk lexohej aq kur shkruante Anxhelën. Të gjithë e lexojnë tani, për arsye se pinë më shpesh Medok të zakonshëm, se Lafit. Le të themi sa të duam, popullorësia e turpshme vete gjer te Arti; ajo popullorësi te vepra e tij është si numër.
Po punoj mjaft; gjithë ditën greqisht dhe latinisht, në mbrëmje Lindjen! Megjithëse po merrem, nuk përparoj fare. Nuk e kam mendjen të lirë; ajo ngjitet gjithnjë në katin tënd dhe varet në dritare për të parë nga xhami se ç’ndodh aty; nesër do të më vijë një kolltuk nga Parisi; do të ulem për herë të parë duke të shkruar ty. Kjo do t’i sjellë fat gjithçkaje që do të shkruaj më pas. Lamtumirë e dashur, kokën në gjoksin tënd e vë dhe gjumi më zë.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.